Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale, krijimtaria është pasuria ime, ligji ma mbron

0
192

mkk mkkkkk mmmm

 

Ekonomi dhe Kumbaro të ruhen markat shqiptare e të mbrohet krijuesi

 

Ministrja Milva Ekonomi: “Brenda qershorit do të funksionojë  edhe inspektorati për pronësinë intelektuale”.  Kumbaro: “I ftoj gjykatat të bëhen pjesë në mbrojtjen e të drejtës së pronësisë të autorit”.

 

Krijimtaria është pasuria ime. Ligji ma mbron. Ky ishte sensibilizimi që erdhi nga Ministria e Kulturës në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale. Ky aktivitet pjesëmarrës në konferencën “Reforma në sistemin e Pronësisë Intelektuale – Sfidë dhe angazhim për Integrimin Evropian si dhe zhvillimin ekonomik të vendit” ngriti edhe një herë shqetësimin për respektimin e të drejtave të autorit. Për këtë disa stenda informuese të Ministrisë së Kulturës, ndodheshin në sheshin Skënderbe për të informuar e për të siguruar të ardhmen e muzikës, filmit, librit dhe artistëve. E drejta e autorit, si pjesë e qenësishme e kulturës dhe e trashëgimisë sonë  kombëtare, është një angazhim i Shqipërisë edhe në plotësimin e angazhimeve që rrjedhin nga MSA-ja ashtu edhe interesat legjitimë të krijuesve dhe tregut intelektual shqiptar. Përpos të drejtës së autorit në këtë aktivitet u diskutua edhe për markimin e produkteve shqiptare duke respektuar edhe të respektuar edhe të drejtën e pronësisë intelektuale. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ajo e Kulturës Mirela Kumbaro dhe përfaqësues të trupave diplomatikë. “Ministrja Milva Ekonomi tha se pronësia industriale ka qenë e rregulluar më mirë se Copyright në Shqipëri dhe se tregu ka nevojë për rregulla. “Një sektor që mendohet se do i japë Zhvillim Shqipërisë, është turizmi. Markat e atyre që marrin vulën si prodhim shqiptar, janë shumë të rëndësishme. Duhet një inventar për këto produkte dhe  po punojmë për të përfunduar strategjinë kombëtare të pronësisë intelektuale gjë e cila kërkohet edhe në raportin e komisionit evropian. Inspektorati i tregut funksionon sot në mbrojte të kësaj pronësie dhe brenda qershorit do të funksionojë  edhe inspektorati për pronësinë intelektuale.”, tha Ekonomi. Ministrja Kumbaro u shpreh se tashmë është miratuar ligji për mbrojtjen e  të drejtës së autorit i cili në objektivi e parë ka krijuesin. “Është parashikuar një periudhë 6 mujore për shpjegimin dhe implementimin e ligjit për të drejtën e autorit. Ky ligj sjell një risi thelbësore në shërbim të artistëve, autorëve ku më në fund shteti merr rolin e mbrojtësit të autorit. Gjykatat ende nuk janë të përfshira në njohjen në praktikë e të drejtës së autorit. I ftoj gjykatat të bëhen pjesë në mbrojtjen e të drejtës së pronësisë të autorit.”, tha Kumbaro. Që nga viti 2000, më 26 prill të çdo viti, të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara festojnë Ditën Botërore të pronësisë Intelektuale, me qëllim promovimin e IP si një mjet civilizimi i fuqishëm që ndikon në rritjen ekonomike të një vendi. Po ashtu Ministria e Kulturës ka prodhuar edhe një spot audiovisual me pjesëmarrjen e krijuesve dhe artisteve për sensibilizimin e publikut mbi rëndësinë dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to. Në këtë spot televiziv theksohet se: “Ligji i ri i të Drejtës së Autorit mbron krijuesin. E drejta e tij është garanci për krijimtari artistike. Të gjithë bashkë të sigurojmë sot të ardhmen e muzikës, filmit, librit. Njihu me të Drejtat e Autorit dhe mendo për artistin sa herë ia përdor veprën”.

 

Risitë e ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”

 

Subjektet përdorues tashmë do të paguajnë një tarifë të vetme tek Sporteli unik, duke i shërbyer formalizmit të tregut intelektual. Mundësi të reja përfitimi për autorët dhe fushë e zgjeruar e përdorimit të veprave për interesin publik. Përafrimi i plotë me direktivat e BE-së, zbatimi i praktikave më të mira evropiane në territorin shqiptar.  Tarifa transparente, konkurruese për subjektet, jo arbitrare, ç’ka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formalizmin e tregut. Barra e provës, risi për zgjidhjen e konflikteve në rastet e cenimit të të drejtave të autorit. Orientime të thjeshta e të qarta për organin procedues, gjykatën dhe zgjidhjen e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore. Instrumente të qarta për shkeljet në Internet në kohë të shpejtë. Ndëshkim i gjithanshëm për këdo që shkel këtë ligj. Krijimi i Drejtorisë së të Drejtës së Autorit (DDA), një drejtori e dedikuar edukimi dhe politikash, shumë më efiçente në bashkëpunimin e saj me inspektoratin, organet e tjera dhe publikun, në rastet e cenimit të të drejtave. Këshilli Kombëtar i  të Drejtës së Autorit, organ i ri i specializuar për vendosjen e tarifave të shpërblimit. I jep fund konfliktit permanent mes subjekteve përdorues dhe autorëve apo agjencive. Skema të reja përfituese për botuesit dhe autorët për  riprodhimin personal dhe vetjak. Skemat e reja të përfitimit nga importimi i makinerive dhe pajisjeve të tjera, ku fiksohet vepra, si dhe shpërndarjes dhe riprodhimit të autorizuar. Nxitja e tregut për krijimin e agjencive të reja për administrimin kolektiv të të drejtave, sipas nenit 131 të këtij ligji. Transparencë e shtuar në jetën e  agjencive gjatë shfrytëzimit të licencës së dhënë nga MK. Kontrata të reja të parashikuara në këtë ligj, me parashikime të qarta në mbrojtje të interesave legjitime të palës më vunerabël në marrëdhënien kontraktore. Konkretisht kontrata e botimit vjen e qartë në  këtë ligj. Marrëdhënie të qarta midis autorit dhe punëdhënësit për veprat e krijuara gjate marrëdhënies së punës.

 

Kosova për të drejtën e autorit

 

Konfernca për konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale” u zhvillua edhe në Kosovë ku Ministri i kulturës Shala u shpreh: “Kreativiteti dhe Inovacioni janë dy komponentë shumë të rëndësishme të kulturës, respektivisht ekonomisë, sidomos tani kur zhvillimi kulturor dhe ekonomik është avancuar dhe ekonomia globale dhe digjitale kanë kaluar kufijtë shtetëror, ku dija e shpikjet na përcjellin e rrethojnë në çdo moment të jetës tonë.” Sipas tij pronësia intelektuale ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin dhe avancimin e kulturës, shkencës dhe të teknologjisë, për faktin se e drejta e autorit dhe të drejtat e tjera pronësore intelektuale janë mjet të zhvillimit kulturor, shkencor dhe ekonomik. “Me punën që është bërë nga ana e MKRS-së në fushën e të drejtës së autorit dhe nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë në fushën e të Drejtave Pronësore Industriale, Kosova ka krijuar një sistem të konsoliduar të pronësisë intelektuale, bazuar në konventat ndërkombëtare dhe në direktivat evropiane të fushës”, vazhdoi Shala dhe bëri të ditur se Kosova tanimë është plotësisht e përgatitur për të aderuar në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale.  Në funksion të vetëdijesimit për rolin dhe rëndësinë e pronës intelektuale, MKRS-ja ka ndërtuar infrastrukturën ligjore për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, është hartuar Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, i cili tani është në Kuvend në proces të plotësim-ndryshimit, me qëllim që të jetë plotësisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here