Artan Fuga
——————————————————-
Po shihja rastësisht një emision televizioni ku flitej se në Tiranë tarracat e pallateve të kthehen në kopshtije, edhe ballkonet gjithashtu.
Dhe përmendej si një rast eksperimental tarraca e ndërtesës ku është bashkia dhe ku nga kamera shiheshin ca vazo me lule, ca stola dhe një hapësirë me bar.
Mirë e kishin zbukuruar. Nuk them. E lavdërueshme që bashkia e qytetit tim të jetë estetike dhe ekologjike.
Por, përtej imazhit publicitar, ka vend për investigim për të parë dy gjëra :
E para, a është vërtet një eksperiment ai që bëhet te tarraca e bashkisë? Sigurisht që jo, sepse për atë tarracë dhe mirëmbajtur atë hapësirë të vogël kushedi sa vetë punojnë dhe kanë punuar!
Ku t’i gjejmë ne banorët e pallatatit tonë aq puntorë dhe aq lekë?
Kushedi sa vetë janë paguar dhe kushedi sesa është kostoja që na ka shkuar nga xhepat tanë atje në formë taksash. Këtë mos e harrrojmë.
Pastaj si bëhet ujitja, kush e bën, se mirë që në dimër bie shi, po në verë me çfarë ujiten vazot me lule?
Aq më shumë që atje ngjitesh deri në kat të dytë të tretë me shkallë, por cfarë t’i bësh një tarrace në katin e 15 të? Apo të vadisim tarracat me ujë të pishëm???
E dyta, a ka mundësi Tirana t’i kthejë tarracat e pallateve në tarraca ku të mbillen pemë? Edhe ballkonet?
Unë them se sado e bukur dhe joshëse të jetë kjo ide është e pamundur. Është e pamundur. Nuk e bëjnë dot, ende në afat mesëm qytete gjigande europiane, jo Tirana jonë e shkretë…
Nuk besoj se mund të jetë një projekt pragmatik prioritar, është më shumë një ëndër utopike, e bukur, por e pabëshme.
Tarracat tona janë pronë kolektive. Ne nuk paguajmë lekët e ashensorit dhe të pastrimit të shkallëve jo të mbajmë bashkarisht me punë vullnetare tarracën e kthyer në një pyll të vogël.
E dini se atje duhet dhé, duhet pleh, duhen qindra e mijra litra ujë…
Kujtoni se mbajnë tarracat tona thjesht si peshë atë lloj bimësie. Veç poqese mbillet me bimë, pemë artificiale. Se ndryshe është e pamundur.
Do të rrjedhi tavani i katit të fundit e shkallët do të bëhen gjol, do të plasi igrasia nëpër mure nga uji që do të thithin muret, do të shkurojmë jetën e pallateve të banimit duke i rrënuar.
Po plehun e dheun, po krasitjen si do ta realizojmë?
Po ato duhen edhe spërkatur me kimikate.
Me cfarë do t’i ngjisim e zbresim nga kati i dhjetë ujin, plehun, dheun, pompat e spërkatjes? Apo me ashensorat që kemi duke i bërë helaq???
Si do ngjiten banorët atje kur për të hipur duhet kaluar nga brima e gjëlpërës, nga një baxhë e ngushtë, ku vetëm aktorët e cirkut mund të hyjnë duke bërë ushtrime ekuilibrimi nëpër ca shkallë të drunjta portative?
Bukur do të ishte që pasditeve banorët të ngjiteshin në tarracë për të ndejtuar poshtë hijeve të pemëve, por ata tarraca duhen rrethuar me mure e me parmakë. Në katërqind metra katror do të dilnin nënat dhe gjyshet me kalamajtë, xhaxhot duke luajtur domino, gocat duke bërë banjo dielli në shezlongje… Bukur do të ishte, por e pamundur sepse jomedoemos banorët e një pallati formojnë një komunitet social që ndajnë edhe jetën e tyre argëtuese.
Në ballkone edhe më keq. Se mos e ka dëgjuar komshiu im një kat më sipër dhe vendos bar dhe mbjell pemë në ballkonin e tij, dhe më thotë : E kam dëgjuar si këshillë të bashkisë!!! Do të ma shkatërrojë ballkonin tim, do të më rrezikojë kokën duke ma rrëxuar suvanë sipër, do të më përmbysë krejt sikurse ma bën një herë në vit me lavatriçen, a me vaskën e larjes a me lavamanin e wc -së. Sa herë flitet për këtë në tv, unë nxitoj ta thërras komshiun e katit të sipërm : O Xhelal hajde dalim një shëtitje!
Dua ta heq nga ekrani!
Lëre sa vend kanë ato të shkreta ballkone ! Ca vendosin tendat e varjes të robave të lara, ca vendosin bicikletën se mirë që ta kesh një, por biçikleta natën nuk parkohet në trotuar, ca vendosin rafte ku fusin këpucë të vjetra. Ku ka vend aty për ndonjë rrënjë ulli, a ndonjë pjeshkë a hurma…
Kopshtijet në lagje !!! Harrojini. Jetojmë në qytetin e betonit dhe jemi destinuar të ngordhim atje. Para një gjysëm shekulli e tutje tiranasi jetonte mes bahçeve me fruta e perime, të vërteta dhe jo artificiale sikuirse do ta realizonim këtë ide ne të sotmit.
Shoh komshiun tim që tërheq thasë me pleh, kova uji që rrjedhin nëpër shkallë, pemë që mbushin ashensorin, topi që u bie fëmijëve nga kati i pesëmbëdhjetë në trotuarin përballë, dhe mendoj : si do të mbillen tarracat dhe ballkonet e pallateve të Tiranës!
Pres… me shpresë gjithsesi! Mbase e realizojmë përpara Berlinit, Pragës, Parisit…Sado optimist që jam, them se nuk bëhet… Tjetër gjë duhet bërë për të shtuar hapësirat e gjelbërta të qytetit tim me realizëm.