Gjykatë e Lartë Tërhiqet Artan Zeneli, dosja “Gërdeci” do të hidhet sërish në short

0
222

Sonja Caka

artaniReagimi i gjyqtarit: Kam konflikt interesi në këtë çështje, kam qenë avokat i Ylli Pinarit. Tjetër zëvendësim në trupën gjyqësore, pas largimit të Dizdarit në Gjykatën Kushtetuese

 

Tërhiqet nga gjykimi i dosjes “Gërdeci” gjyqtari Artan Zeneli, i caktuar me short si relator i çështjes. Arsyeja që ka dhënë gjyqtari ka qenë se nuk mund ta drejtojë gjykimin e kësaj dosjeje, pasi ka konflikt interesi. Para se të rifillonte punën si gjyqtar, Artan Zeneli ka qenë avokat i njërit prej të pandehurve të cilësuar përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, konkretisht i Ylli Pinarit. Por, gjyqtari Zeneli nuk është i vetmi që do të largohet nga trupa gjyqësore pasi do të zëvendësohet edhe gjyqtari Gani Dizdari, të cilit i ka mbaruar mandati në këtë gjykatë dhe do të kalojë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë bën me dije se dosja “Gërdeci” do të rihidhet në short për të përcaktuar relatorin dhe trupën e plotë gjyqësore. Ky vendim i Gjykatës së Lartë erdhi pasi shkalla më e lartë e gjyqësorit ka pranuar rekursin e bërë nga Prokuroria për dosjen “Gërdeci”. Shorti ka caktuar si relator në Kolegj Penal për të shqyrtuar dosjen voluminoze gjyqtarin Artan Zeneli, ndërsa në si anëtarë edhe gjyqtarët Shkëlzen Selimi, Edmond Islamaj, Aleksandër Musta dhe Gani Dizdari. Gjykata e Lartë bëri me dije se shorti për gjyqtarët do të hidhet nga e para për shkak te mungesës së dy anëtarëve Artan Zeneli, i cili u tërhoq për konflikt interesi dhe Gani Dizdari, i cili ka kaluar në Kushtetuese. Prokuroria iu drejtua 2 muaj më parë Gjykatës së Lartë për çështjen Gërdeci me gati 180 faqe rekurs ku kundërshtohet vendimi i Gjykatës së Apelit. Në 13 shkurt, Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë për 29 të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u dëmtuam mbi 300 të tjerë.

Vendimi

Në një seancë që zgjati vetëm disa minuta, trupi gjykues i kryesuar nga kryegjyqtari i Apelit, Alaudin Malaj shpalli vetëm dispozitivin e vendimit, duke argumentuar se vendimi i arsyetuar është dorëzuar në sekretarinë gjyqësore. “Gjykata lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke bërë disa ndryshime për një pjesë të pandehurve”, – deklaroi në fillim të shpalljes së vendimit gjyqtari, duke lexuar më poshtë ndryshimet për 13 nga të pandehurit. Kështu, pas vendimit të djeshëm dhe pranimit të gjykimit të shkurtuar, Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat i mbeten vetëm 10 vjet për të vuajtur, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg ku i ngelen 7 vjet e gjysmë, Dritan Minxolli me 18 vjet ku i ngelen 12 vjet burg, Sokol Ngjeci me 10 vjet ku i ngelen edhe 7 vjet e 6 muaj burg. Ndërkohë që, i është ulur vetëm 1 vit burg nga masa e dhënë në Shkallën e Parë ish-shefit të Shtabit Luan Hoxha, i cili përfundimisht u dënua me 5 vjet burg. Më fatlum ka qenë gjenerali tjetër, Shpëtim Spahiu, i dënuar nga Shkalla e Parë me 4 vjet burg dhe me pezullim aktiviteti shtetëror prej tre vjet, pasi u shpall i pafajshëm. Gjykata pezulloi dënimi me burg për Shkëlzen Madanin, Ilmi Laçajn, Agim Babameton, Rezart Tërshanën, Besnik Dautin dhe Zija Bajën që në vijim do jenë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, ndërkohë që për ta u shtua edhe dënimi plotësues për pezullim të ushtrimit të funksioneve shtetërore për 3 vjet. Gjykata vendosi të heqë sekuestron për pronat e Mihal Delijorgjit, ndërsa lë në fuqi vendimin për sekuestron e pronave të shoqërisë “Albademil”. Për të pandehurit e tjetër të papërmendur në dispozitiv nga trupi gjykues, u la në fuqi vendimi i kolegëve të Shkallës së Parë. Vendimi u shpall nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.

 

Krimet e Rënda

Çështja “Dajti”, në vijim do të procedohet pa avokat

Gjykata e Krimeve të Rënda duket se ka gjetur një zgjidhje për të bërë që procesi ndaj Dritan Dajtit të vijojë të ecë. Pasi avokati Sokol Mëngjesi i caktuar një seancë më parë nuk u paraqit, ndërsa vetë i pandehuri nuk pranoi të zgjidhte asnjë nga avokatët e listës kryesisht, por e la në çmim të gjykatës, pas 3 orësh këshillim, vendosi që procesi të vijojë pa praninë e një avokati dhe i pandehuri të mbrohet vetë. Më parë, Dajtit iu dha përsëri lista e avokatëve penalistë,listë nga ku ai kishte mundësinë të zgjidhte 2 prej tyre. Por, Dajti ka refuzuar duke i kërkuar bazën ligjore se ku e mbështeste gjykata këtë vendim dhe për me tepër ai u shpreh se nuk ka mundësi financiare që të përballojë një avokat,duke përsëritur kërkesën e tij që ti gjejë gjykata një.Pas kësaj 5-ja gjykuese u shpreh se janë ezauruar të gjitha mundësitë për t’i caktuar një mbrojtës dhe vendosi të zhvillojë seancat pa praninë e avokatit. Më pas, gjykata njoftoi policinë për thirrjen e 5 dëshmitarëve dhe seanca e radhës u vendos të mbahet në datën 8 prill. Ky reagim i gjykatës erdhi pas refuzimit të një numri të madh avokatësh për mbrojtjen e të pandehurit, refuzimin e dy krerëve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të marrë përsipër këtë mbrojtje dhe reagimin publik ku e cilësonin të paaftë gjykatën për menaxhimin e procesit, si dhe reagimin e vetë Krimeve të Rënda që u kërkonin institucioneve të drejtësisë të mbante secila përgjegjësitë e saj për ecurinë e këtij procesi. Seanca e djeshme shënoi shtyrjen e 208-të të këtij procesi gjyqësor, ndërkohë që ka krijuar precedencë në gjyqësorin shqiptar si një nga gjyqet më me zvarritje. Në reagimin e saj zyrtar, kjo gjykatë theksonte se “mbi bazën e kërkesës së të pandehurit ka caktuar avokatë kryesisht nga lista e avokatëve, 42 avokatë nga kjo listë kanë refuzuar paraqitjen para Gjykatës, 140 seanca nga ky proces janë shtyrë për shkak të mosprezencës së avokatëve dhe 19 të tjera me kërkesë të avokatëve. Për 207 seanca me radhë, Gjykata ka hapur këtë proces gjyqësor dhe ka qenë e detyruar ta shtyjë. Lista e avokatëve kryesisht në shumë raste nuk është e saktë, nuk ka adresa dhe numra kontakti. Gjykata ka kërkuar procedime për 42 avokatë, për asnjë prej tyre nuk është kthyer ndonjë përgjigje nëse është shqyrtuar apo jo në Këshillin Drejtues të Dhomës së Avokatisë”, – thuhet në reagimin e gjykatës.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency