Ndryshon ligji për siguracionet e makinave

0
195

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”, me qëllim qartësimin dhe forcimin e rregullave për dëmshpërblimin në rast aksidentesh. Gjithashtu ndryshimet formatojnë ligjin për të përshtatur atë me sistemin bonos-malus

Ndryshimet e reja ligjore e detyrojnë kompaninë e sigurimit të trajtojë kërkesën për dëmshpërblim për dëme pasurore dhe jopasurore dhe të kryejë njoftimin përkatës brenda 60 ditëve kalendarike nga data e plotësimit të dokumentacionit për dëmshpërblim.

Nëse ky afat nuk është respektuar, interesat mbi shumën e llogaritur nga shoqëria e sigurimit apo gjykata, fillojnë pas përfundimit të këtij afati.

Në rast se dokumentacioni i kërkesës për dëmshpërblim mungon ose është i paplotë, siguruesi përgjegjës informon palën e dëmtuar me shkrim në lidhje me informacionin që mungon dhe/ose është i pasaktë, brenda 8 ditësh pune nga data e marrjes së dokumentacionit të tillë.

Në rast se përfituesi nuk është dakord me vlerën e ofruar të dëmshpërblimit nga siguruesi përgjegjës, mund të paraqesë ankim pranë shoqërisë së sigurimit.

Siguruesi përgjegjës është i detyruar t’i përgjigjet ankimimit të palës së dëmtuar brenda 15 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së tij. Pala e dëmtuar mund të ngrejë padi civile kundër siguruesit përgjegjës pas mbarimit të ankimit në shoqërinë e sigurimit, në rastet kur:

1-Siguruesi përgjegjës nuk i përgjigjet palës së dëmtuar brenda afatit 60 ditor.

2-Pala e dëmtuar nuk është dakord me masën e dëmshpërblimit të ofruar nga siguruesi përgjegjës.

Për dëme pasurore me karakter material, kur shkalla e dëmtimit është e vogël, dhe vlerësohet deri në 200,000 lekë, afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim është brenda 14 ditëve kalendarike nga data e plotësimit te dokumentacionit.

Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit vetëm në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit dhe ose përfituesit. Pala e dëmtuar ose përfituesi në rast se merr shërbime nga mbrojtësi ligjor, për dëmet e ardhura si pasojë e një ngjarje sigurimi mund t’i paguajë deri në 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar./monitor.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here