Policia ka arrestuar 36-vjeçarin e shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri, të ndodhur para 4 ditësh në Vlorë. Në pranga ka rënë Elton Zotaj, banues në Vlorë.
Arrestimi i tij u bë për ngjarjen e ndodhur më datë 14.06.2016, në lokalin Eurolloto “Goxhaj” në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë.
Elton Zotaj pas një konflikti për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur rëndë me armë zjarri “pistoletë” në këmbë shtetasin Rr. M., 37 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal, jashtë rrezikut për jetën.
Për këtë ngjarje është bllokuar dhe sekuestruar arma e zjarrit “Pistoletë-Glock” me të cilën është kryer plagosja, si dhe është kapur në flagrancë poseduesi i saj, Edmond Maskaj, i përfshirë në këtë konflikt.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “plagosje e rëndë me dashje” dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve”.