Vrasja ne Laç, ekzekutohet në lokal Gëzim Gjoni

0
3831

Sonja Caka

poliPolicia: Ngjarja për motive banale, viktima dhe autori kanë debatuar në lokal. Dyshohet të kenë qenë të dehur

 

Ekzekutohet me armë zjarri në ambientet e një lokali në Laç një 34-vjeçar, pas një zënke me një tjetër klient të lokalit. Dyshohet se kanë qenë të dehur ndërsa motivet e përplasjes të kenë qenë banale. Të paktën këto kanë qenë të dhënat e bëra me dije nga policia pas ngjarjes, ndërsa shtohet se policia ka identifikuar autorin dhe është vënë menjëherë në ndjekje të tij. Viktimë e të shtënave ka mbetur Gëzim Gjoni, 34-vjeç, ndërsa mësohet se është qëlluar me armë zjarri në një lokal në lagjen Numër 2 të qytetit. Sipas burimeve policore, të shtënat brenda ambientit të lokalit kanë shkaktuar panik te qytetarët, pasi ka qenë një orar kur njerëzit kanë qenë të shumtë nëpër rrugë apo në lokale. Të njoftuar për ngjarjen, forcat e komisariatit të Kurbinit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, dhe pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, kanë identifikuar autorin dhe janë vënë në ndjekje të tij. Identiteti i autorit mbahet i fshehur për arsye hetimore, ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes në një lokal në lagjen nr.2 të qytetit të Laçit. Viktima Gëzim Gjoni ka qenë i ulur në një nga tavolinat e lokalit dhe ka filluar një përplasje verbale me një person në tavolinën tjetër. Debati me fjalë ka degjeneruar deri në sharje, duke bërë që autori i krimit, emri i të cilit nuk jepet nga policia për arsye hetimore, të qëllojë me pistoletë ndaj 34-vjeçarit Gëzim Gjoni. Pas krimit, autori është larguar, ndërsa policia e Laçit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe pas identifikimit të autorit, ka nisur nga puna për kapjen e tij. Janë ngritur disa postblloqe në pikat kyçe të hyrje-daljeve të qytetit, ndërsa nga uniformat blu bëhet me dije se arrestimi i autorit është çështje orësh.

Hetimi

Pas marrjes dijeni për ngjarjen, grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur nga puna për zbardhjen e krimit. Në pyetje janë marrë dëshmitarë që kanë parë skenën e debatit mes autorit dhe viktimës, ndërsa përmes tyre u bë e mundur të identifikohet edhe identiteti i autorit. Burime policore bëjnë me dije se nga dëshmitë e grumbulluara në vendngjarje prej grupit hetimor rezulton se zënka ka qenë për motive të dobëta mes autorit dhe viktimës Gjoni, ndërsa shtohet se kanë qenë të dy të dehur. Pas shkëmbimit të fjalëve mes tyre nga njëra tavolinë në tjetrën, viktima dhe autori kanë shkëmbyer fjalë fyese mes tyre, të cilat kanë degjeneruar në nxjerrjen e pistoletës me pasojë vrasjen e 34-vjeçarit Gjoni.

 

Pukë

Terror në fshat me të shtëna në ajër, arrestohet Kristian Gjergji

Një person është arrestuar nga policia e Pukës pasi për disa minuta terrorizoi banorët e fshatit të tij duke qëlluar në ajër me armë zjarri. Policia ëhstë vënë në ndjekje të tij duke rrethuar zonën dhe vetëm disa orë më pas e ka prangosur. Sipas burimeve zyrtare nga policia e këtij qyteti bëhet me dije se pasditen e djeshme të shtëna armësh kanë tronditur fshatin Kishaxhi të Pukës. Të njëjtat burime nga policia e qytetit verior bëjnë me dije se pasi kanë identifikuar autorin, Kristian Gjergji janë vënë menjëherë në ndjekje të tij duke bërë të mundur edhe arrestimin e tij. Gjatë kontrollit në banesën e tij policia gjeti dhe sekuestroi një automatik me 2 karikatorë, dhe 2000 fishekë. Nga hetimet paraprake mësohet se Kristian Gjergji ishte person me precedentë penalë, si dhe akuzohet se ka ushtruar dhunë edhe ndaj familjarëve të tij. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun që e çoi Gjergjin në përdorimin e armës së zjarrit, ndërsa materialet hetimore do i kalojë organit të akuzës për hetime të mëtejshme.

Mirditë

Arrestohet mësuesi, tentoi përdhunimin e 15-vjeçares

Një 63-vjeçar me profesion mësues është vënë në pranga nga policia e Rrëshenit, pasi akuzohet se ka tentuar të përdhunojë një 15-vjeçare. Sipas burimeve policore dyshohet se mësuesi i bënte presion nxënëses me anë të notës me qëllim për ta përdhunuar. Burime nga policia e Rrëshenit bëjnë me dije se kanë arrestuar shtetasin Ded Gjini, 63 vjeç me profesion mësues në shkollën 9-vjeçare të qytetit. Nga hetimet paraprake mësohet se mësuesi Gjini i ka bërë presion nxënëses me iniciale E.V, duke e kërcënuar me notë negative nëse nuk bënte atë që ai i thoshte. Sipas burimeve policore, 15-vjeçarja u ka treguar familjarëve qëllimet e mësuesit, të cilët kanë bërë menjëherë denoncimin në polici. Uniformat blu pas denoncimit kanë arrestuar menjëherë 63-vjeçarin, ndërsa mësohet se ky i fundit ka mohuar akuzat e nxënëses së tij. Policia e Rrëshenit ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Itali

Kapen me drogë, prangosen dy shqiptarë dhe një italian

Dy shqiptarë dhe një shtetas italian janë arrestuar, në Pescara të Italisë, pasi u kapën me 11 kg marijuanë. Mediat italiane bëjnë me dije se Edi Rizai 27 vjeç, Elton Beharaj 31vjeç dhe Juri Di Blasio, 36 vjeç janë vënë në pranga, pasi policia ishte vënë në ndjekje të tyre, teksa ktheheshin nga Lazio ku ishin furnizuar me sasinë e drogës. Të arrestuarit gjatë momentit të arrestimit udhëtonin në dy mjete të ndryshme, një furgon dhe një automjet tip Mercedez gjatë momentit të ndalimit. Droga e cila kap vlerën e 110 mijë eurove, ishte e shpërndarë në 7 pako. Policia nis hetimet për zbulimin e një rrjeti të mirë organizuar trafikantësh.