Përgatiti Altin Vorpsi
Për skuadrën që vetëm pak vite më parë bëri “tripletën” e famshme, humbja ndaj Kaljarit ishte e 12-ta sezonale në Serinë A
Arbitrat, fati dhe numrat janë kundër Interit. Dy “faktorët” e parë kanë bërë që i treti të jetë “shkatërrues” për një skuadër që vetëm dy ditë më parë vuajti një tjetër humbje nga një gabimi i radhës (trashanik) i kryesorit. Ishullorët e Kaljarit u shkaktuan zikaltërve disfatën e katërt në pesë takimet e fundit. I vetmi “oaz” për djemtë e Stramaçonit ka qenë Xhenoa (Sampi u dorëzua në shtëpi, pasi u mund 2-0). Për skuadrën që vetëm pak vite më parë bëri “tripletën” e famshme, kjo ishte humbja e 12-të sezonale në Serinë A.
Ende kohë… për më keq
Përveç rekordit të të dëmtuarve (dy ditë më parë u larguan nga fusha Gargano dhe Nagatomo), zikaltrit duhet të bëjnë llogaritë edhe me një tjetër rekord. I referohemi atij të humbjeve. Këtë shije të hidhur zikaltrit e kanë provuar plot 12 herë në 32 ndeshje. Si të mungonte, kjo ekipi i Milanos ka marrë plot 45 gola. Me këtë ecuri Interi i Stramaçonit ka barazuar rekordin negativ të Interit të vjetshëm. I referohemi këtij të fundit, pasi ishte Interi më i dobët i shekullit XXI, me 12 disfata. Për të gjetur një Inter edhe më të dobët duhet të shkojmë në edicionin 1998/99 dhe në edicionin 1993/94 (humbi 13 herë). Për të “kapur” fundin ka ende kohë…
Vetëm Leo më mirë
Golat e pësuar janë shumë. Plot 45 si në edicionin 2000/01. Ky nuk është një lajm i mirë për Andrea Stramaçonin, që me shumë mundësi do të ketë në dorë ekipin edhe për vitin tjetër. Deri më tani Strama ka fituar 1,72 pikë për ndeshje, pra vetëm 0,08 pikë më shumë sesa Klaudio Ranieri (ishte në 35 ndeshje në krye të zikaltërve në edicionin 2011/12). Gjithashtu, tekniku roman ka bërë pak më mirë edhe se Rafa Benitezi, duke marrë 0,04 pikë më shumë se Interi i drejtuar nga spanjolli në fillim të edicionit 2010/11. Strama humb duelin me Leonardon, që në fundin e 2010/11 ishte i zoti që të mblidhte dy pikë për takim (2,09 saktësisht).
Morati: Arbitrat? Edhe Murinjo habitej nga durimi im
Një ditë pas asaj disfate përballë Kaljarit, Masimo Morati nuk ngurroi që të dilte para mediave për t’u qartësuar idetë të gjithëve. Për stafin e mjekëve ai tregoi se duhet të rishikonte disa gjëra. Ndërkohë që sa i përket trajnerit, numri një i Interit tha: “E mbështes”. Sa u përket gabimeve të arbitrave, ai gjeti një mënyrë origjinale për të përshkruar disi situatën: “Murinjo më pyeste si ia dilja që duroja dhe qëndroja këtu. Ai më tregonte se këtu kisha gjithçka kundër”.
Rekordi
“Tika-taka” bën 300
Barcelona vazhdon të mahnitë me rekordet e jashtëzakonshme që vendos herë pas here. Këtë radhë, katalanasit kanë dhuruar një rekord pa precedent, duke regjistruar ndeshjen e 300-të zyrtare radhazi në të cilën ata arrijnë të sigurojnë mbajtjen më të lartë të topit gjatë 90 minutave. Tika-taka e famshme e katalanasve është bërë objekt diskutimi prej shumë vitesh në botën e futbollit, por pakkush kishte menduar se sa kohë ka që kjo mënyrë loje është treguar efikase për t’i dhënë avantazhin kësaj skuadre. Sipas statistikave të ofruara nga vetë klubi spanjoll, hera e fundit që nuk kanë pasur mbajtjen e topit në një ndeshje ka qenë në 7 majin e vitit 2008, kur Real Madrid i mori zotërimin e topit me 50.5% përballë 49.5% të katalanasve. Në total bëhet fjalë për 185 ndeshje kampionati spanjoll, 62 në Ligën e Kampioneve, 39 në Kupën e Mbretit, 8 në Superkupën e Spanjës, 4 në Botërorin për Klube dhe 2 në Superkupën e Evropës. Duke pasur parasysh se filozofia e tiki-taka vazhdon të mbizotërojë në klubin katalanas dhe për disa vite të tjera protagonistët do të jenë të njëjtët, atëherë është e imagjinueshme që shifra 400 ndeshje radhazi me zotërimin e topit, mund të vijë shumë shpejt.
Merkato
Jol interesohet për Berishën
Rrugët e portierit të kombëtares shqiptare, Etrit Berishës, dhe Fulhemit po kryqëzohen gjithnjë e më shumë. Pas ndeshjes me Aston Vilën portieri Mark Shvarcer la të kuptohej se ai mund të mos rinovonte me londinezët në fund të sezonit. Veterani 40-vjeçar bëri një paraqitje fantastike në “Villa Park”, por Martin Jol kërkon garanci për të ardhmen në portë. “Unë po përpiqem të jap më të mirën, por nuk e di se çfarë do të ndodhë në fund të sezonit. Të presim dhe të shohim”, – tha australiani. Tekniku Jol ka qenë sërish në stadium për të ndjekur Berishën gjatë humbjes së Kalmarit me Malmon. Skuadra e gardianit 24-vjeçar u mposht 1-0 nga Malmo në “Swedbank Stadion”, por Berisha bëri një tjetër paraqitje fantastike. Holandezit i pëlqen shumë shqiptari, të cilin mund ta përfitojë me parametra zero. Por Berisha ka theksuar se ai nuk dëshiron të shkojë në një skuadër më të madhe për të ngrohur stolin.
Përkujtohet
24 vite nga tragjedia e Hillsborout
Liverpuli ka përkujtuar 24-vjetorin e tragjedisë së Hillsborout një ditë më parë. 15 prillin e vitit 1989 në stadiumin e Shefilldit ku luhej gjysmëfinalja e “FA Cup” Notingem Forest -Liverpul humbën jetën 96 tifozë të kuq. Viktimat u fajësuan nga policia se ishin pikërisht ata shkaktarët e shtypjes së tyre në stadium, por dy dekada pas hetimeve doli se përgjegjësia ishte e policisë.