Brenda dyerve të PS-së/ Zgjedhje të parakohshme dhe referendum, çfarë fshihet pas propozimit

0
166

 

Majko: Nëse demokratët janë gati, ti ftojmë sëbashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë

 

Gëzim Saliu

 

 

Ndryshon taktika e Partisë Socialiste lidhur me zhvillimet për reformën në drejtësi. Në kushtet kur ende nuk janë mbyllur mundësitë për negociata me palën tjetër dhe kur mbetet vetëm një çështje që ndan palët, PS mendon se më e lehtë është të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe në referendum se sa të gjendet zgjidhja me demokratët. Përmes një statusi në rrjetin social deputeti socialist Pandeli Majko, njëkohësisht anëtar i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, duke bërë të ditur edhe një herë kundërshtinë e PS për kërkesën e demokratëve lidhur me rekomandimin 88 të Venecias, bëri të ditur se zgjidhja mund të vijë duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme si edhe në votim për referendum në të njëjtën ditë. “Sot, lexova në media se opozita kërkon që në se nuk i plotësohet kërkesa e saj për pikën 88 të Komisionit të Venecias ajo do e kërkojë këtë tek votuesit në ZGJEDHJE të reja. Jam dakord me arsyetimin e fundit. Shpresoj të jetë i fundit dhe të mos nxisë diskutime të mëtejshme qesharake.  Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. Ti bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes. Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do.  Nëse demokratët janë gati, ti ftojmë së bashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!  Populli ynë nuk është dele. Ai flet edhe kur hesht. Delet nuk meritojnë referendum!”, shkruante Majko.

 

Çfarë fshihet pas deklaratës

 

Deklarata e ish-kryeministrit socialist ka brenda saj disa çështje që ja vlen të diskutohen për te hedhur sadopak dritë në qëndrimin e PS-së. Pikë së pari përmes deklaratës së Majkos vërtetohet se ndryshe nga më parë, në saj edhe të presionit të fortë ndërkombëtar, kryeministri Rama është tërhequr nga skenari “B” që përkonte me “peshkimin” e votave nga krahu kundërshtar. Po ashtu edhe qëndrimi i LSI-së, forcë e cila ka kërkuar nga fillimi e deri në fund një reformë në bazë të rekomandimeve të Venecias dhe me konsensus, ja ka bërë më të vështirë realizimin  skenarit të PS-së për trafikim vote. Tashmë socialistët shprehen të bindur se zgjidhja nëse nuk arrihet konsensusi, edhe pse nuk po bëjnë asnjë hap para për të negociuar me PD-në, mbeten zgjedhjet e parakohshme dhe referendumi. Por edhe pse këto dy zgjidhje ishin përfolur jo vetëm në media, por edhe në korridoret e partive kryesore apo në zyrat diplomatike të akredituara në vend, me deklaratën e Majkos specifikohet propozimi socialist për të zhvilluar si zgjedhje të parakohshme ashtu edhe referendum, madje në të njëjtën ditë. Në fakt kjo duket një strategji e mirë menduar nga ana e PS për të përfituar së më shumë politikisht, jo vetëm nga çështja e reformës në drejtësi ,por edhe nga “gabimet” e tre viteve të fundit në qeverisje.  Duke zhvilluar si zgjedhje ashtu edhe referendum, socialistët e kthejnë votën politike në votë që vjen si “goditje” ndaj atyre që “bllokuan” reformën në drejtësi. Duke paraqitur në publik PD-në si forcën e vetme bllokuese e duke luajtur underground edhe ndaj LSI-së, PS po mendon të përfitojë sa më shumë nga çështja, duke u paraqitur publikisht si forca e vetme që e do reformën në drejtësi. Përmes kësaj skeme, socialistët mundohen të bëjnë të “harrohen” nga qytetarët problematikat e mëdha të qeverisjes tre vjeçare nën vendimmarrjen e kryeministrit Rama. Në këto kushte refuzimi i prerë i kreut të qeverisë për të negociuar me demokratët mbi rekomandimin 88 duket më së shumti si një “gjysmë dëshirë” e socialistëve për ta çuar vetë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kujtojmë se edhe më parë, edhe atëherë deklarata erdhi nga Majko dhe u përforcua nga ministri Tahiri, PS ka folur gjithnjë për variantin e zgjedhjeve të parakohshme, duke gjetur tek to zgjidhjen e vetme për ti “shpëtuar” përballjes popullore për rezultatet në qeverisje. Mundësia e shfrytëzimit të mendimit kritik të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë për të përfituar politikisht nga çështja e reformës mbetet “shkopi” i vetëm mbi të cilin PS mbahet. Zgjidhja e paraqitur dje nga ish-kryeministrit Majko për të zhvilluar si zgjedhje të parakohshme ashtu edhe referendum e tregon më së miri këtë skenar të socialistëve.

 

 

Pandeli-Majko-780x439

 

Ja qëndrimi i ish-kryeministrit dhe deputetit të PS-së Pandeli Majko

 

Vlen të shkruhet dhe rishkruhet se “pika 88” e vlerësimeve të Komisionit të Venecias e cila ka “bllokuar” aktualisht Reformën e Drejtësisë sipas opozitës shkruan: “Në se partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”

Pyetja naive që mund të bëhet nga kushdo që e kupton shqipen e shkruajtur kur lexon këtë vlerësim me “numrin 88” është se çfarë nuk i përmbushet opozitës me këtë vlerësim të Komisionit të Venecias? Ajo që vlen të ripërsëritet si përgjigje fillon nga pjesa e parë e “pikës 88”: “Në se partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë…” Pra, gjithshka e “pikës 88” fillon me një kusht me “Në se…”-në që nuk e komenton asnjë opozitar sot. “Në se palët nuk bien dakord për NJE SHUMICë TE CILESUAR(!)… O miq, vëllezër e motra, që nuk na keni votuar! Ne socialistët, mund të kemi një “thes” me probleme e të meta. Por, a mundet që oponentët tanë politikë (që kanë votën tuaj) ta shpejgojnë në shqipen e kuptueshme se :“KUSH ESHTE SHUMICA E CILESUAR QE PARTIA SOCIALISTE KA REFUZUAR?!”  Të dalë një i vetëm dhe të thotë shqip dhe qartë: – KERKUAM KETE SHUMICE TE CILESUAR DHE PARTIA SOCIALISTE E REFUZOI! Ndjesën më të thellë dhe sic thotë fjala e vjetër “e hëngshim turpin me bukë” në se Partia Socialiste e ka bërë këtë! Por a e ka bërë?!

Përgjigja është një rrokëshe: JO! Çfarë është kjo lodër fëmijësh me pikën 88 të Komisionit të Venecias që po kthen në budalla një opinion të tërë publik të vendit?! Kjo qenka arsyeja pse vendi ynë Shqipëria të shpallet shtet i dështuar dhe të bllokohet në “karantinë” për vite, pa hapur negociatat me Bashkimin Europian?! Kemi kërkuar REFERENDUM që publiku të vendosë mbi diferencat që partitë politike kanë për reformën në drejtësi! Për ta realizuar referendumin duhet që ai të miratohet me 94 vota në Kuvend… Oponentët e Partisë Socialiste NUK PRANOJNE REFERENDUM! Duan “marrëveshje politike” mbi një “pikë 88” që nuk ka kuptim ashtu si e shpjegojnë ata!!!

Në Kuvend, të enjten e fundit, opozita doli në Kuvend me një kërkesë, tjetër, të padëgjuar në asnjë deklaratë të mëparshme, në tavolinat e punës së reformës apo në gjithë dokumentet me shkrim që kanë depozituar për këtë çështje… Tani opozita dëshiron që VERIFIKIMIN e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë sonë për pasuritë që kanë, për aftësitë profesionale dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit (VETING-u) të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët (për një periudhë të përkohshme tranzitore) (!) Shpjegimi i cili jepet nga opozitarët për këtë kusht të ri të fundit është “se preket sovraniteti i vendit”(!) Këta që dje deklaruan kur Shqipëria u pranua në NATO se “Kjo është një mrekulli e lirisë”… thonë sot këtë?! Kjo është njëlloj si të thuash se në Shqipëri nuk duhet të vinë trupa të huaja të NATO-s apo që hapësira jonë ajrore të mos ruhet nga avionët e Aleancës sepse “preket sovraniteti” i vendit(!)… A shkelin sovranitetin e Shqipërisë vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Pyetje si këto ka mjaft për të kuptuar “shqipërimin” e kësaj që ndodh.

Sot, lexova në media se opozita kërkon që në se nuk i plotësohet kërkesa e saj për pikën 88 të Komisionit të Venecias ajo do e kërkojë këtë tek votuesit në ZGJEDHJE të reja. Jam dakord me arsyetimin e fundit. Shpresoj të jetë i fundit dhe të mos nxisë diskutime të mëtejshme qesharake.  Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. Ti bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes. Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do.  Nëse demokratët janë gati, ti ftojmë së bashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!  Populli ynë nuk është dele. Ai flet edhe kur hesht. Delet nuk meritojnë referendum! Shpresoj të kuptohet se çfarë vjen kur populli ynë vendos ta refuzojë trajtimin si “dele”!  Nuk ka gjë më të guximshme në politikë se të bësh “gjënë e gabuar” për arsyen e duhur dhe interesat e vendit! Kjo punë do burrëri! Për atë që beson se është, sigurisht. Të tjerat janë fjalë!

 

 

lulzim_basha

 

PD rikonfirmon: Gati për zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike

 

Përmes një reagimi për një artikull të gazetës “shqip” mbi deklaratat e Bashës, PD bëri të ditur dje edhe një herë qëndrimin që mban opozita lidhur me reformën në drejtësi dhe zhvillimet e ardhshme të saj nëse nuk gjendet konsensusi me mazhorancën. Duke vënë theksin tek rekomandimi 88 dhe bllokimi që po i bën sipas demokratëve PS reformës në drejtësi, forca kryesore e opozitës nënvizon se në rast mos dakordërise zgjidhje mund të jenë zgjedhjet e parakohshme nën qeverinë teknike. “Jo referendum, por qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme ka qenë mesazhi i kreut të opozitës gjatë fjalës së tij përshëndetëse në Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane. “Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pyetja është; a do t’ia dalim bashkë me sovranin t’ia imponojmë sot kësaj oligarkie e cila bashkë me firmosjen e një sistemi të tillë zgjedhor të pacenueshëm ka firmosur “de facto” edhe largimin e saj nga pushteti?  Apo do të na duhet që ti bëjmë thirrje sovranit për ta larguar këtë qeveri dhe për të imponuar zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike e cila së paku nuk do të jetë në gjendje të cenojë standardet minimale zgjedhore për shqiptarët. Nëse nuk ia dalim dot, nëse kjo oligarki është e vendosur me çdo kusht të sabotojë Reformën në Drejtësi apo ta shtyjë vendin drejt destabilizimit politik përmes deligjitimimit të Parlamentit, atëherë le ti garantojmë sot shqiptarët se opozita, alternativa e tyre i ka zgjidhjet dhe se në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojmë edhe për një Reformë në Drejtësi larg duarve të Edi Ramës, larg duarve të korrupsionit dhe larg duarve të krimit të lidhur me të për një Reformë në Drejtësi sipas standardit të Komisionit të Venecias që sot i garantoj shqiptarët do të bëhet, me ose pa Edi Ramën.”- theksohej në deklaratën e PD-së duke rinënvizuar qëndrimin e kryedemokratit Basha.

 

 

“Kundër ndarjes së sovranitetit me Operacionin e Monitorimit”, LSI: Qëndrimi i Spahiut personal

 

Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar si një qëndrim personal deklaratën e deputetit të saj Përparim Spahiu i cili u shpreh kritik lidhur me procesin e vetingut nga ndërkombëtarët.  Këtë javë pritet edhe mbledhja e grupit të LSI-së për të shqyrtuar deklaratën e tij dhe mund të shkohet edhe në përjashtimin e deputetit nga grupi parlamentar. Në një postim në twitter deputeti i LSI, Përparim Spahiu paralajmëroi dy ditë më parë se nuk do të votojë reformën në drejtësi në rast se në të parashikohet udhëheqja e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve nga ndërkombëtarët. “E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkruante në twitter deputeti i LSI-së, Spahiu. Fjala është për atë që në draftin e reformës në drejtësi cilësohet si  operacioni ndërkombëtar i monitorimit, qe parashikon përfshirjen e  partnerëve në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit EuroAtlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Evropian . Operacioni nënkupton ekspertë të huaj që do të vijnë në Shqipëri për të mbikëqyrur procesin e vetingut dhe rikompozimin e institucioneve të reja të gjyqësorit në vend. Ndërkohë deputeti tjetër i LSI, Gjovalin Kadelli tha se si Spahiu e mendojnë edhe deputetë të tjerë në radhët e mazhorancës, por theksoi se qëndrimi i tij është individual dhe se nuk ka asgjë të keqe që vetingu të bëhet nga ndërkombëtarët. “Është një mendim personal, por i drejtë që e kanë shumë deputetë jo vetëm të LSI-së por edhe të PS pavarësisht se nuk e kanë shprehur. Gjithsesi kjo ngelet për tu diskutuar edhe në grup. Por jam i bindur se ky është një ngërç që do të kapërcehet. Nuk është shumë e rëndësishme se kush do ta ketë të drejtën e vetingut. Edhe nëse e kanë ndërkombëtarët s’është gjë e keqe. Qëndrimi i Spahiut është në koherencë me rolin e individit si deputet”. Ndërkaq të enjten në Parlament ish-kryeministri Berisha deklaroi se ai është kundër kryerjes së procesit të Vettingut nga ndërkombëtarët, duke mbështetur vetëm monitorimin e tyre. Në të njëjtën linjë me të u shpreh edhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cila tha se nuk do ta votojë një reformë në drejtësi ku vetingu do bëhet nga ndërkombëtarët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here