Që prej dhjetorit të vitit të kaluar Gjykata dhe Prokuroria janë në ngërç ligjor. Dosjet e personave që arrestohen për mbajtje të armëve pa leje ose mbyllen, ose u ndryshohet kualifikimi i veprës penale. Mes avokatëve –prokurorëve dhe gjykatës duket se ka nisur një “luftë” e ftohtë, e cila zgjidhje nuk po gjen, ndonëse disa instanca kanë dhënë mendimin e tyre
Prokuroria dhe Gjykata që prej dhjetorit të vitit të kaluar kur kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për të forcuar marzhin e dënimit për veprën penale të mbajtjes së armëve pa leje dhe municioneve, janë në ngërç. Vendimi u zbardh në muajin shkurt të vitit 2016. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa paragrafë të nenit 278 që bënë fjalë për masën e dënimit që gjykata duhet të japë ndaj një personi që kapet me armë pa leje. Sipas Kushtetueses ligjvënësit kanë bërë ndërhyrje spontane në Kodin Penal. Qeveria kishte forcuar masën e dënimit për kategorinë e personave që kapeshin me armë pa leje, ndërsa Gjykata Kushtetuese argumentoi se ndërhyrje të tilla të ligjvënësve duhet të synojnë jo vetëm uljen e kriminalitetit, por duhet të jenë realisht efektive. Gjykata vëren se ndryshimet e ndërmarra nga ligjvënësi, kanë qenë përgjithësisht spontane, nisur nga synimi për të luftuar kriminalitetin, por pa iu nënshtruar më parë studimeve. Por ndërsa shohim realitetin sot flitet ndryshe. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e qeverisë, por që nga ajo ditë nuk është bërë asnjë ndërhyrje për të rregulluar këtë paqartësi të krijuar dhe konfuzitet. Nga Kodi Penal nenit 278 i është shfuqizuar paragrafi që përcakton masën e dënimit për personat që kapen me armë pa leje në makinë, ose në ambjente të tjera jashtë banesës. Prokurorët dhe gjyqtarët janë venë jo në pak raste në vështirësi. Të pyetur nga “Standard” gjyqtarët pranojnë problematikën. Madje disa prej tyre shkojnë më thellë kur shprehen se politikanët flasin për reformë por harrojnë që duhet të kujdesen për ligjet me të cilat ne punojmë. Ata thonë se janë vënë në vështirësi të mëdha. Nuk dinë se me çfarë dispozite të dënojnë një person që arrestohet me armë pa leje që i kapet në makinë teksa shëtit në qytet. Po kështu janë vet gjyqtarët ata që argumentojnë dhe vendimet e Gjykatës së Lartë. Si shembull marrin lirimin e kosovarit Ballist Morina nga Gjykata e Lartë. Thonë se ai u lirua sepse nuk mund të mbahej në burg me dispozitën ekzistuese. Pra në nenin 278 ka mbetur vetëm dispozita që përcakton senimin për personat që kapen me armë pa leje në banesë. Të njëjtin pretendim kanë edhe prokurorët. Askush nuk i jep një drejtim.
Manjani dhe Tahiri mendimie ndryshe për armët pa leje
Pas Gjykatës Kushtetuese ka pasur edhe reagime nga ministart e institucioneve ligjzbatuese. Nga njëra anë kemi ministrin Sajmir Tahiri i cili ishte ai që propozoi forcimin e nenit 278, dhe nga ana tjetër ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani që kërkon një nen më të butë. Nismat e Tahirit ishin në vitin 2013 dhe 2014. Ato u pranuan nga qeveria Rama. Ndërkohë pak kohë pas vendimit të kushtetueses kemi dhe një reagim të ministrit të drejtësisë Ylli Manjani. Ky i fundit, ka hartuar një projektligj, duke lehtësuar dënimet. Drafti u është dërguar grupeve të interesit, ndërsa mësohet se ligji duhet që të miratohet në mënyrë të shpejtë, duke qenë se qindra procese gjyqësore për armëmbajtje janë pezulluar në gjykatë dhe prokurori.
Relacioni i Manjanit
Sipas relacionit që shoqëron ndryshimet në Kodin Penal, qëllimi i projektaktit dhe objektivat që synohen të arrihen është plotësimi i vakuumit ligjor të krijuar në Kodin Penal, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që mban datën 26 shkurt 2016. Në këtë vendim, Kushtetuesja vendosi shfuqizimin e paragrafit të pestë dhe të gjashtë të nenit 278 të Kodit Penal, që ishin shtuar në vitin 2013 dhe 2014. “Këta dy paragrafë parashikonin se ‘Mbajtja e armëve, bombave apo minave ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet’. Kur vepra penale kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet”. Manjani shkruan në relacion se, në kushtet e shfuqizimit të këtyre dy paragrafëve me arsyetimin se mbartin probleme kushtetutshmërie, për shkak të dënimit të dukshëm joproporcional, në Kodin Penal mbetej e paparashikuar si rrethanë e posaçme mbajtja e armëve, bombave, minave dhe lëndëve plasëse në mjetet e motorizuara apo në mjedise publike, që për shkak të rrezikshmërisë që paraqet, në krahasim me mbajtjen e tyre në banesë, duhet të dënohet me një masë dënimi më të ashpër.
Argumentimi
Në relacion thuhet gjithashtu se në zbatim të vendimit të Kushtetueses, propozohet që të riformulohet neni 278 i Kodit Penal, që ka ndryshuar disa herë ndër vite. “Vepra penale e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit, e parashikuar si e tillë në Kodin Penal të vitit 1995, ka pësuar ndryshime në kohë pesë herë, përkatësisht më 1998-n, 2001-shin, 2013-n, 2014-n dhe 2015-n”, thotë ministri i Drejtësisë. Ai shton se “për pasojë, ashtu siç është shprehur dhe vetë Gjykata Kushtetuese, një ndryshim i tillë ka rrezikuar të cenojë aspektin harmonik që duhet të përbëjnë një entitet të vetëm, ku të bashkohen vlerat dhe parimet kryesore që udhëheqin këtë kod, që janë shteti i së drejtës, barazia para ligjit, drejtësia në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe humanizmi”. Megjithatë, parashikimi si rrethanë e posaçme e mbajtjes së armëve, bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, si dhe parashikimi i një dënimi relativisht më të ashpër kur vepra penale kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim më shumë se një herë, është e nevojshme. Në relacion thuhet se, në nenin e riformuluar tërësisht, në funksion të qartësisë së normës juridike, është synuar që përcaktimi i një mase proporcionale dënimi, jo vetëm të synojë uljen e kriminalitetit, por duhet të jetë realisht efektive, në mënyrë që t’i shërbejë në radhë të parë parandalimit të veprave penale. “Përcaktimi me ligj i veprave të reja penale, si dhe caktimi i llojit dhe i masës së dënimit për to është në diskrecion të ligjvënësit, në përputhje me nevojat e vendit dhe të shoqërisë për parandalimin e kriminalitetit. Balanca mes së drejtës së kufizuar dhe interesit publik, nuk është gjë tjetër veçse gjetja nga legjislatori e pikës së ekuilibrit midis së drejtës së shtetit për të siguruar rendin publik e shoqëror, nga njëra anë, dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të individit, nga ana tjetër. Për këtë arsye dhe për sa është shprehur Gjykata Kushtetuese, sanksionet penale të propozuara në nenin 278 janë riformuluar, janë menduar të jenë në përputhje me parimin e proporcionalitetit, veçanërisht për nga rëndësia me vlerat që mbrojnë”, përfundon Manjani.
Situata në drejtësi
Shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese i dy paragrafëve të nenit 278 të Kodit Penal, që flet për armëmbajtjen pa leje, si dhe gafa në Fletoren Zyrtare, ka sjellë një pështjellim në drejtësi. Prokuroritë dhe gjykatat e kanë të pamundur që të hetojnë dhe gjykojnë persona që kapen me armë pa leje, për shkak të këtyre “ngërçeve”, teksa disa ditë më parë, kryeprokurori Llalla i kërkoi me urgjencë qeverisë rregullimin e kësaj dispozite ligjore. Nga ana tjetër, gjykatat kanë pezulluar shumicën e proceseve që kanë të pandehur armëmbajtjen pa leje në mjedise publike. Mësohet se janë rreth 1 mijë çështje që mund të rigjykohen apo rihetohen. Pas vendimit të Kushtetueses, i lind e drejta çdo individi të dënuar me këtë ligj që të rishikojë vendimin. Në interpretimin e këtij vendimi, thuhet se jo vetëm personat e dënuar për armëmbajtje pa leje mund të rishikojnë dënimet, por edhe ata persona që kanë kryer një vrasje, plagosje apo vepër tjetër të bashkëlidhur me akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Kjo për shkak se gjykata, i cilësoi ndryshimet e bëra gjatë vitit 2013 dhe 2014 si antikushtetuese dhe në shkelje të hapur të lirive dhe të drejtave të njeriut, bazuar në Konventën Europiane.
Neni 278
Riformulimi: Sa dënohet tashmë për armëmbajtje
Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Mbajtja e armëve, e bombave, minave ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Falsifikimi ose fshirja, zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i shenjave mbi armët dhe municionet luftarake dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Prodhimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, bombave apo minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, bombave ose minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore dënohet me burg nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra penale e parashikuar nga paragrafët një deri në pesë të këtij neni kryhet në sasi më të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.