Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë zhvilluar pasditen e sotme një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta për reformën në drejtësi. Mësohet se ambasadori i SHBA-ve dhe ambasadorja e BE-së do të njohin kryeparlamentarin me propozimin e ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland për reformën në drejtësi, konkretisht për procesin e vetingut nga të huajt. Takimi që është zhvilluar para pritjes së Metës për ambasadorët, ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, drejtuar kreut të komisionit të posaçëm për reformën, Fatmir Xhafaj. Po sot Vasili deklaroi se reforma në drejtësi duhet të miratohet me konsensus, sipas parimeve të Opinionit të Venecias dhe përtej çdo shantazhi. “Kjo është një reformë solide dhe një domosdoshmëri për shqiptarët, për 30 vitet që vijnë”, tha Vasili. “Një reformë e tillë, parimore, konsensuale dhe sipas Opinionit të Venecias, mund të realizohet vetëm në këtë mënyrë, përtej çdo shantazhi”, vijoi ai. Po kështu edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se do bëhet çdo gjë që reforma të miratohet me konsensus.