Partizani është nisur drejt Hungarisë, për të luajtur ndeshjen e kthimit të turit të dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve, ndaj Ferencvaroshit. Pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”, një javë më parë, shanset për të përparuar më tej ekzistojnë, por realisht ky mision duket mjaft i vështirë. Kjo për shkak të potencialit të kundërshtarit, por edhe faktit se ka pësuar gol në fushën e vet. E megjithatë, presidenti Gaz Demi ka vendosur të hedhë në këmbët e lojtarëve të tij një premio të majme, plot 250 mijë euro, për të kaluar në turin tjetër. Kjo i ka motivuar maksimalisht djemtë e kuq dhe trajnerin Sormani, por mbetet se sa i kanë mundësitë për të bërë surprizën e madhe.
Për mediat, në prag të fluturimit nga Rinasi drejt Budapestit, ka folur kapiteni Alban Hoxha, i cili ka nënvizuar se mund t’ia dalin në sfidën e kthimit: “Ne shkojmë për të bërë lojën tonë, për të luajtur me dinjitet dhe për të fituar. Kemi përpara një mision dhe kundërshtar mjaft të vështirë, por në futboll nuk i dihet asnjëherë. Ajo që kërkoj është të japim më të mirën tonë, si në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, por të kemi edhe fatin me vete. Duke iu referuar ndeshjes së parë, e njohim më mirë Ferencvaroshin dhe do të përpiqemi të shfrytëzojmë ato dobësi të tij.telesport