“Ishin 11 heronj të udhëhequr nga Sormani, ‘grande’ Pirlo dhe 70 guerrilsa. Mundëm një klubi gjigant, me 27 milionë euro buxhet. Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar njëkohësisht. Ky është Partizani i të gjithë shqiptarëve dhe tifozëve të mrekullueshëm që ka në çdo cep të vendit”.
Një Sulejman Starova në delir, ashtu siç nuk e keni dëgjuar kurrë më parë. Pasi hap telefonin i entuziazmuar, të kërkon ndjesë, sepse më parë i duhet të përqafojë lojtarët, teksa ishte duke udhëtuar me autobusin e ekipit për në aeroportin e Budapestit.
Ish-trajneri flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” duke treguar emocionet e kualifikimit historik të Partizanit, por edhe vendimin e stafit për penalltinë e parë, të cilën e goditi Alban Hoxha. “Bobi” kërkon të italianizojë këtë triumf, duke e krahasuar portierin me Andrea Pirlon. Sipas ish-trajnerit të Partizanit, që tashmë është drejtues në klubin e kuq, goli “alla Pirlo” i Hoxhës i çarmatosi hungarezët. “Bobi” mendon se të kuqtë meritonin fitoren brenda 120 minutave, ndërsa sipas tij një meritë të madhe në këtë sukses ka trajneri Adolfo Sormani.
Zoti Starova, a besonit se mund të kualifikoheshit ndaj një klubi si Ferencvaroshi, për më tepër që vinit pas një rezultati 1-1?
Derisa arritëm të kualifikoheshim, natyrisht që besonim. Sot (dje) Partizani eliminoi klubin me buxhet 27 milionë euro. Por, në fushë meritoi gjithçka. Ishin të gjithë fantastikë, duke filluar nga trajneri i pari e deri te Hoxha që na nderoi me penalltitë. Mendoj se merituam gjithçka, pasi guxuam dhe befasuam hungarezët me një lojë taktikisht perfekte. Është një arritje e madhe dhe për këtë meritë ka i gjithë grupi, por pa diskutim edhe ata 70 tifozë, të cilët dukeshin shumë, pasi arritën të eklipsonin afro 6 mijë hungarezë në stadium. “Guerrilsat” ishin gjigantë dhe ia shtuan besimin më shumë ekipit.
Kjo është hera e parë që Partizani kalon një tur në Ligën e Kampioneve…
Kjo është merita e Partizanit dhe e gjithë futbollit shqiptar. Mendoj se në këtë sukses kemi investuar të gjithë.
Te penalltitë, u vendos të gjuante Hoxha i pari. Çfarë ishte kjo zgjedhje dhe sa “dorë” keni ju?
Portieri Hoxha, duke qenë se luajti shumë mirë për 120 minuta, menduam si staf që t’ia linim të parit. Nga të gjithë lojtarët që mund të godisnin, ai ishte në një gjendje më të mirë psikologjike. Edhe në stërvitje ka provuar të godasë penallti, nuk ishte rastësi që iu besua Hoxhës. Por, ajo goditje që ai bëri, u duk një moment sikur po tallej. Mirëpo, fakt është se goli që shënoi Hoxha e çarmatosi Ferencvaroshin teknikisht. Bëhet fjalë për një klub të madh dhe të goditesh që në fillim me atë penallti “alla Pirlo”, është pa diskutim një shok psikologjik. Kjo u pa shumë mirë në goditjet e tjera.
Çfarë u tha trajneri lojtarëve pas ndeshjes?
Trajneri është me këmbë në tokë dhe, pasi uroi skuadrën, u tha lojtarëve: “Bravo për paraqitjen, por nuk kemi bërë asgjë akoma”. Më pas unë i kërkova që t’i linte të festonin të paktën dy orë.
Tashmë do të luani kundër Salzburgut, kampionët e Austrisë. Çfarë prisni?
Një gjë është e sigurt, Partizani nuk shkon në Austri të bëjë shëtitje. Do të luajmë për gjithçka, oreksi vjen duke ngrënë.
“Pres fitoren e Kukësit”
Pas suksesit historik të Partizanit në Ligën e Kampioneve, Sulejman Starova uron që sot edhe Kukësi të kualifikohet në përballjen ndaj Austrisë së Vjenës. “Nuk do të thotë se përballë ke një klub me emër të madh. Diferencat tashmë në futboll sapo vijnë e zvogëlohen. Shembulli është fitorja jonë ndaj Ferencvaroshit dhe uroj me gjithë shpirt që nesër (sot) të kualifikohet edhe Kukësi ndaj Austrisë së Vjenës. Do të ishte diçka fantastike për futbollin shqiptar”, deklaron ish-trajneri i Kukësit, i cili bashkë me Armando Cungun arritën që në debutimin në Europë të verilindorëve të kalonin 3 ture.panoramasport