Propozimi i Berishës Modifikim të sistemit elektoral: Jo e ndershme përjashtimi i partive me vota

0
158

Ina Jano

sistemiKryeministri: E kuptoj që ka njerëz zemërthyer se kanë mbetur në pozicionin që s’e meritojnë. Por PD në zgjedhjet e 2009 ka marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve, për shkak të sistemit

PD zhvillon fushatë pozitiviste, bazuar mbi vlera, pa eufori, por me vendosmëri dhe përkushtim

 

Kryeministri Sali Berisha në takimin e mbrëmshëm me kryesinë e Partisë Demokratike deklaroi se sistemi i sotëm elektoral duhet modifikuar, në mënyrë që të gjitha partitë e vogla të përfitojnë dhe po ashtu të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament. Për liderin e mazhorancës sistemi duhet bërë i pastër proporcional ose të japë mazhorancë me ligj. “Gjërat provohen, u konstatohen pasojat, dhe pastaj është në meritën e politikëbërësve të ndërhyjnë. Unë insistova për mazhorancë me ligj, nuk deshi. Edhe kjo që të përjashtosh nga Parlamenti një numër partish të cilat votat për deputet i kanë, nuk është e ndershme”, – tha Berisha. Ky i fundit vlerësoi maksimalisht koalicionin, pasi, sipas tij, kjo formë është forma më e ndershme dhe organike e koalicionit. “E kuptoj që ka njerëz zemërthyer, se kanë mbetur jo në pozicionet që e meritojnë, por kanë një gjë që shqiptarët duhet ta dinë, që demokratët duhet ta dinë. Demokratët në vitin 2009 kanë marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve dhe kjo vetëm për shkak të sistemit. Absolutisht po, sepse në rast se vota do të kishte të njëjtën peshë si për Sali Berishën ashtu edhe për Dash Shehin, Dash Shehi me koalicionin e tij mund të fuste tre deputetë. Fatmir Mediu mund të fuste tre deputetë dhe ca më shumë. Ky sistem, që e nisëm për mirë dhe tani e qortojnë, që në fakt duhet modifikuar, ose të bëhet i pastër proporcional, ose të japë mazhorancë me ligj. Të japë mazhorancë me ligj, siç jepet në Spanjë ku e kemi marrë, siç jepet në Greqi ku është i ngjashëm, ose të shndërrohet i pastër proporcional dhe në këtë mënyrë je në modelin e vendeve të veriut dhe jo vetëm të veriut”, – tha ai. Berisha sulmoi kreun e opozitës duke iu referuar listës së qarkut të Vlorës dhe kandidatit për deputet Koço Kokëdhima. “Kur unë e paraqisja në media si nënkryetarin e PS-së, jo të paktë ishit ju që nuk e pëlqenit se nuk e kishit parë në selinë e PS-së. Faktikisht u provua, më shumë se nënkryetari madje. Tirana ka memorie, nuk i harron 12 kompani ndërtimi, tendera të të gjitha shërbimeve, gazetat që merreshin, privatizoheshin pa dhënë asnjë lek. Këto Tirana i ka në memorie. Në Vlorë nuk ka qytetarë që nuk i dinte këto. Atje gumëzhinte Vlora. Të gjithë e kishin të qartë, nuk shkoi Rama, por shkoi Koçua”, – tha kreu i selisë blu. Kryeministri vlerësoi listën e Tiranës, duke e cilësuar edhe një herë si më të mirën qe ka pasur ndonjëherë PD. Ai paralajmëroi se fushata do të jetë pozitive, duke mos e bazuar kështu në akuza, sharje dhe fyerje. “Ne në dallim nga çdo fushatë tjetër elektorale këtë fushatë kemi performuar në tërësi programin tonë elektoral, për të mos thënë një pjesë të tij ne e kemi shndërruar në ligje dhe vendime gjatë këtyre muajve të fundit. Qeveria është ajo ka votuar paketën e dytë fiskale dhe një seri dhe vendimesh të tjera. Përsëri programi për disa nga fushat e rëndësishme është në përpunim. Ne kemi menduar për planin kombëtar për sportin dhe atë po e përpunojmë me sportistë dhe ekspertë. Ne i qëndrojmë planit tonë kombëtar për artizanatin, pasi është një sektor me potencial të madh punësimi. Nuk mund të them se paketat tona fiskale janë përgjigje e njëjtë edhe për artizanatin dhe për bujqësinë. Shkojmë drejt finalizimit të programit më të plotë dhe më konkret. Ne kemi një program konkret, ne themi se 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të thithur 6 miliardë euro kundrejt 4 miliardëve që morëm vitet e shkuar dhe këtë e kemi të bazuar, sepse brenda pak ditësh fillon ndërtimi i HEC-it të Vlorës dhe i Kaskadës së Devollit, gjatë qershorit jepet vendimi për TAP. Këtë herë objektivat janë më konkretë se asnjëherë tjetër”, – tha lideri demokrat.

 

 

 

Milo: Për të ardhur keq që atë që s’e bëri Rama e bëri Berisha

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka deklaruar disa ditë më parë në mënyrë të hapur pakënaqësitë e forcës që ai drejton lidhur me marrëveshjen para dhe pasa elektorale të lidhur me PS-së. Duke folur në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të PDS-së, Milo tha se kreu socialist Rama u tregua i pasinqertë me të në kuadër të bashkëpunimit zgjedhor. “As kemi kërkuar lëmoshë, as kërkojmë lëmoshë. Gjithçka është propozuar për t’u bërë bashkëpunim elektoral është bërë prej kohësh duhej të ishte mbajtur fjala sepse kushtëzimet nuk tregojnë sinqeritetit, nuk tregojnë transparencë. Përkundrazi janë një reflektim i kujtimeve të vjetra për të mënjanuar partitë e vogla”, – tha Milo. Në këtë kontekst, kreu i PDS-së nuk ka ngurruar të vlerësojë Kryeministrin Berisha, i cili, sipas Milos, ka bërë një marrëveshje të ndershme me aleatët e tij, ndryshe nga kryesocialisti Rama. “Është për të ardhur keq që atë nuk e bëri Edi Rama e bëri Kryeministri Berisha, duke i futur aleatët e tij në listat e PD-së”, – tha ai.

 

 

Shehi: Përfshirja jonë në listat e PD-së, e drejtë

Edhe kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, para disa ditësh në emisionin e gazetarit Çim Peka, deklaroi se marrëveshja e Partisë Demokratike dhe e kreut të saj zotit Sali Berisha në lidhje me aleatët ishte e drejtë. Ai u shpreh se për shkak të sistemit proporcional mazhoritar partitë e vogla nuk mund të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament, ndërsa nga ana tjetër deklaroi se zgjidhja e bërë nga lideri demokrat ishte e drejtë. Në momentin kur diskutohej sistemi zgjedhor, partitë e vogla të të dy krahëve politike u apeluan disa herë partive të mëdha se duhet që të merreshin parasysh kërkesat e tyre përpara se kodi të miratohej.

 

 

Urdhri i Këshillit të Ministrave

Administrata, fushatë elektorale pa mjetet publike

“Zoti Sekretar i Përgjithshëm, ora e fushatës zyrtare elektorale po afron. Do të sjellësh urdhrin e Kryeministrit, i cili ndalon për të gjithë punonjësit e administratës, duke filluar që nga Kryeministri që të përdorë mjetet publike në fushatë elektorale. Ky është standardi që kemi vendosur ne. Unë e kuptoj që rivali im që vrapon për të gjetur një gropë në rrugë dhe për të filmuar me një pasion të paimagjinueshëm për të faktuar se nuk janë ndërtuar rrugë, por nga ana tjetër shpall se Kryeministri po udhëton me helikopter kur më sheh sa në një kënd, në një kënd tjetër të vendit. Unë e kuptoj se ai prapë do të deklarojë se unë po udhëtoj me helikopter, por unë prapë do të bëj vendimin e prerë se Kryeministri dhe asnjë ministër dhe asnjë qeveritar vendor, asnjë zyrtar i administratës nuk do të përdorë dot mjetet publike për fushatë elektorale. Tani partitë të marrin përsipër shpenzimet e tyre që ditën e parë të fushatës zyrtare. Kjo është e drejtë sidomos të udhëhequr dhe nga fakti se qeveria disponon edhe më shumë mjete, për shkak të funksioneve zyrtare dhe ato nuk do të përdoren për fushatë elektorale”, – tha Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

 

 

 

Bulevardi i Tiranës, qindra mijëra vende pune dhe hapësira të blerta

Bulevardi i Tiranës që do të ndërtohet do të ketë parametra ndërkombëtarë, ndërsa për shefin e qeverisë shqiptare zotin Berisha, është një arritje e madhe fakti që Emiratet e Bashkuara Arabe e dhanë kredinë të butë. “Së shpejti, fillojnë lëvizjet e shtyllave të tensionit dhe të gjitha të tjerat për ti hapur rrugë fillimit të punimeve bulevardit që do të jetë pothuajse i të njëjtës gjatësi me ekzistuesin, por pak më i gjerë me sa duket, me një sipërfaqe jeshile shume thelbësore, me ndërtesa moderne dhe lumi do të ketë një sistemim të shkëlqyer. E vërteta është se lumi me një shpenzim pothuaj minimal, me një digë që mund të ndërtohet në një nga ngushticat më të mëdha të një lumi në vend, në Tujan, mund të krijojë një liqen i cili e bën lumin në çdo kohë të lundrueshëm për varkat e vogla, natyrisht, pra e shndërron atë, jo vetëm në një pasqyrë të bukur ujore, por edhe në një zonë me përdorime të shumëllojta. Pra, ndonëse ju e keni firmosur draftin, mendova se edhe publiku të informohet edhe njëherë direkt, se këto 64 milion dollarë janë të gjithë të përkushtuara bulevardit të ri dhe sistemimit të lumit të Tiranës, çka përbën zhvillimin më të rëndësishëm për këtë qytet në 80 apo 90 vitet e fundit”, – deklaroi shefi i qeverisë. Ai vlerësoi se ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe se do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Tiranës.