Dy ditë pas zbulimit të grabitjes spektakolare tek një bankë në zonën e ish-Bllokut, drejtori i degës dhe shefi i sigurisë, kanë dalë sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Gjykata ka vendosur të lërë të lirë drejtorin duke i caktuar masën “detyrim paraqitje”, ndërsa shefi i sigurisë Florjan Skarra është lënë në burg.Drejtori i degës, Luigj Gjonaj, shefi i sigurisë së filialit Florjan Skarra u arrestuan dje, ndërkohë që u shoqëruan dy persona të tjerë, punonjës të bankës, të cilët kanë sqaruar veprimet që kanë bërë pasi kanë konstatuar rënien e alarmit.Sipas policisë veprimet e 2 punonjësve kanë qenë konform rregullores, pasi kanë njoftuar eprorët të cilët kishin për detyrë verifikimin.Burimet policore ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shumën e grabitur, por dyshohet të jetë 21 mln lekë. Ajo që ka befasuar të gjithë është mënyra e grabitjes, pasi 3 persona kanë gërmuar dy ditë me radhë, të premten në darkë dhe të shtunën po në darkë për të çarë murin që të çon tek kasaforta.Autorët mësohet se kanë hyre nga një bodrum që ka qenë kazino, por tani nuk funksionon. Nga pas bankës është një dritare ku janë hapur dhe prishur hekurat. Dyshohet se autorët e kanë përdorur për të futur dhe nxjerrë materialet dhe lekët pasi kishin çarë murin.Për shkak të lëvizjeve të tyre, alarmi i bankës ka rënë dy herë dhe përveç policisë private ka shkuar tek banka edhe drejtori i degës si dhe policia. Por pasi kanë bërë kontroll dhe nuk kanë konstatuar asgjë, ata janë larguar. Pikërisht për neglizhencën e alarmit të rënë në bankë me akuzën e shpërdorimit të detyrës u arrestua drejtori i bankës dhe shefi i sigurisë.