GJERGJ META
Jemi mësuar të shohim 17-vjeçarë tekanjozë, duke bredhur nëpër bare e makina luksoze, apo sherrxhinj, e pse jo edhe të abuzuar, përdorues të drogave, apo edhe thjesht viktima të varfërisë. Ndërsa Arditi, që humbi jetën para pak ditësh në plehrat e Sharrës, është hero i mjerimit. Po, po, ashtu! Varfëria ka shpesh viktima dhe sigurisht Arditi, pavarësisht faktit që babai i tij ishte një polic, të cilit shteti duhet t’i garantojë jetesën e familjes, ishte një viktimë. Por me 17 vjetët e tij do të thosha që ishte një hero, e këtë e tregon edhe rrëfimi i dhimbshëm i shokëve të tij të klasës e ai i babait, që e dinte se i biri kishte hyrë në punë për të blerë rrobat për shkollë, ose thjesht për të pasur një lek më shumë në xhep. Që një adoleshent të punojë, kjo nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është një fisnikëri. Kjo shihet gjithnjë e më e rrallë në realitetin tonë, edhe pse adoleshentët i sheh shpesh kamerierë apo në vende të tjera pune për të çuar ndonjë lek më shumë në shtëpi. Arditi sot është heroi im, sepse ai kthehet në një model përkushtimi ndaj familjes e ndaj vetes. Imagjinoj dhimbjen e prindërve të tij, por mendoj se bashkë me dhimbjen duhet të ndihen edhe krenarë për një fëmijë të tillë që në ditë vere nuk kërkoi plazh, as udhëtime jashtë shtetit, as para për të blerë apo thjesht për t’u argëtuar, por shkoi e punoi. A nuk është kjo një fisnikëri? Vdekja e Arditit sot na interpelon të gjithëve, si shoqëri e cila është e anestetizuar, pasi tepër e varfër dhe e dhunuar. Na interpelon se si është e mundur që një punonjës shteti nuk arrin të garantojë jetesën e familjes së tij. Sa herë kam qëlluar e kam parë policë në rrugë duke pritur për një makinë, pasi kishin lënë turnin e punës në burgun e Shënkollit apo të Fushë-Krujës. Sa herë i kam marrë në makinë për t’i shoqëruar deri ku donin të shkonin. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që varfëria të jetë aq e madhe, saqë një djalë i pastërvitur si Arditi shkon e bën një punë, e cila, edhe pse mund të duket e pistë, ka nevojë sigurisht për trajnime të mirëfillta që, përveç ndotjes, sjell edhe rreziqe të tilla. Një vdekje si ajo e Arditit është një humbje jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë. Djem me iniciativë dhe dëshirë për t’i bërë ballë jetës i nevojiten këtij vendi dhe shoqërisë sonë. Unë nuk pata fatin të të takoja Ardit, për të ta dhënë këshillën, por ti na dhe edhe një herë një leksion të madh, leksione që fatkeqësisht po i marrim përditë nëpërmjet historive tragjike. Na solle në vëmendje sa të rëndësishme janë të drejtat themelore të njeriut dhe zbatimi rigoroz i tyre, sa ia vlen të denoncosh dhe të çirresh për të parandaluar çdo aferë korruptive që bëhet shkak për vdekjet tona të përditshme në rrugë, kantiere pune, nga krimi i organizuar dhe ai ordiner, sa ia vlen të sakrifikosh për një jetë më të mirë. Ti, Ardit, je një personazh i vërtetë i romaneve mesjetare të Hygoit, që me historinë tënde tragjike na tregon sa vlerë ka jeta, dhe sa ia vlen të luftosh kundër padrejtësive! Ndoshta nuk do të bëhej mjek, apo jurist, a ku ta di unë, por sigurisht nuk do të ishte kontingjent i vrasësve, i shpërndarësve të drogës, apo tekanjoz Blloku a spitullaq resortesh turistike. Do të bëhej një njeri i vetëdijshëm se sa e mundimshme është jeta reale, një baba e një bashkëshort i përgjegjshëm. Në fytyrën e tij dallohej kjo gjallëri, ky entuziazëm e ai shikim prej një të riu të dashuruar me jetën. Aq i dashuruar sa nuk ka pasur turp t’i thotë kujt se punon me plehrat. Madje, turp përballë tij ndiejnë moshatarët e tij dhe ndoshta të gjithë ne që jetën e kemi pak më të garantuar sesa ai. Po, po, moshatarët e tij, të cilëve u është dhënë gjithçka dhe që nuk kanë nevojë të luajnë as gishtin e vogël të dorës për të pasur diçka. Arditi sot është heroi im. Nga mosha mund të ishte fëmija im, por nëse do të kisha ndonjëherë një të tillë, do të doja të ishte një si Arditi. E megjithatë, ky hero i mjerimit iku, bashkë me ëndrrat e tij, më dëshirën e tij për jetën. Pushofsh në paqe djalosh atje ku nuk ka më plehra, ku nuk ka më njerëz indiferentë, nuk ka më një shtet që punonjësit të vet nuk i garanton jetesën e familjes, nuk ka më pakujdesi në punë e nuk të mbulon njeri me plehra pasi ke vdekur. E nga atje i dashur Ardit bëje një lutje për ne që të zgjohemi e sidomos për moshatarët e tu, që ende nuk e dinë se çfarë do të thotë të punosh apo të lodhesh për të fituar diçka. Pusho në paqe Ardit, heroi im!