Amnistia e banesave, si mund të përfitohet dhe kush përfiton

0
222

Ervin Kaduku

 

pallate_11Pas vendimit të qeverisë për të dhënë edhe një shans të tretë për rivlerësimin e banesave, drejtuesit e agjencive të pasurive të patundshme thonë se janë emigrantët ata që po interesohen për të përfituar nga kjo mundësi. Tashmë afati përfundimtar është përcaktuar data 31 tetor i këtij viti

 

 

Amnistia që u ndërmor rreth dy vjet më parë nga Ministria e Financave për rivlerësimin e kapitaleve fikse, synoi që të vinte “rregull” në një treg që ishte shoqëruar në masë të madhe nga informaliteti. Disa herë afati për të përfituar nga kjo amnisti u shty, ndërsa tashmë është përcaktuar data 31 tetor 2013. Me këtë masë synohej të hidheshin jo vetëm ca para në arkën e shtetit, por edhe të lehtësohej tregu imobiliar në Shqipëri duke u krijuar mundësi të gjithë individëve që të rivlerësonin pasuritë e tyre, në mënyrë që në perspektivë të mos ndienin peshën e madhe dhe presionin e pagimit të një takse disa herë më të lartë se ajo që artikulonte amnistia. Një amnisti që u vlerësua e domosdoshme edhe për faktin se një pjesë e mirë e pasurive të individëve kanë pasur një vlerë simbolike, pasi vinin nga procesi i privatizimeve të banesave në vitin 1992.

Me kalimin e viteve tregu imobiliar në Shqipëri pësoi dinamika të forta, u rrit me qindra herë dhe kjo përkthehet në domosdoshmëri për rivlerësim përmes një pagese simbolike prej vetëm 1% të shumës që vlerësohet. Por, nga kjo amnisti nuk përfitojnë vetëm banesat, por llojet e tjera të pasurive të paluajtshme.

 

Rihapja

Argumenti kryesor për rikthimin e zbatimit të një pjese të ligjit për faljen fiskale ishte t’iu jepej edhe një mundësi tjetër të interesuarve, kryesisht emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por që disponojnë një pronë në Shqipëri. Një nismë e tillë erdhi si kërkesë e Ministrisë së Financave, e cila e konsideroi këtë të nevojshme, meqenëse përgjatë gjithë faljes fiskale të rindërmarrë, rivlerësimi i aktiveve fikse rezultoi i suksesshëm në zbatim.

Në mars të vitit 2011, Kuvendi miratoi ligjin e faljes fiskale, në pamundësi për të miratuar një amnisti të plotë. Ky proces ishte parashikuar të fuste në tregun shqiptar një kapital të ri, të padeklaruar më parë, për t’i dhënë një ritëm të ri ekonomisë së vendit. Pavarësisht se procesi zgjati pothuajse një vit, biznesi nuk shfaqi shumë interes për këtë ligj dhe kjo u argumentua me mungesën e garancive të duhura ligjore. Pavarësisht interesit të ulët nga bizneset, një nga pikat që rezultoi e suksesshme ishte ajo e rivlerësimit të banesave, ndaj edhe qeveria në përfundim të afatit të parë, që ishte fundi i marsit të vitit 2012, vendosi të ofronte edhe një shans tjetër, por vetëm për pjesën e pasurive të paluajtshme.

Qeveria deklaroi se amnistia fiskale pati rezultat veçanërisht për individët dhe falë ligjit u futën në “treg” pasuri të paluajtshme me vlerë 171.7 miliardë lekë. U përllogarit se në fund të 15 muajve të procesit, rezultoi se ishin mbi 70,000 pasuri të paluajtshme që u rivlerësuan me vlerën e tregut në të gjithë vendin. Ministria e Financave deklaroi se shuma totale e rivlerësimit të këtyre pronave arriti në rreth 3 miliardë lekë. Numrin më të madh të këtyre rivlerësimeve e kishin qytetet e Tiranës, Durrësit, Korçës dhe Fierit.

 

Imobiliarët

Për drejtuesit e agjencive imobiliare, ky është momenti që të përfitojnë të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi apo janë treguar skeptikë për amnistinë e pasurive të paluajtshme. Sipas tyre kjo amnisti mundëson lehtësimin e taksës së transaksionit në një kontratë shitblerjeje, duke prodhuar përfitim për të gjitha palët.

Ing. Xheni Jahja, vlerësuese e pasurive të paluajtshme dhe drejtuese e agjencisë imobiliare “Tirana Real Estate”, thotë se kjo është koha më e mirë për t’i dhënë pronës vlerën e tregut duke e larguar përfundimisht nga fiktiviteti dhe nga vështirësitë ligjore që paraqiste ky proces. Kur nisi kjo amnisti një pjesë e madhe e popullsisë mbeti e painformuar. Më pas, kur procesi u shty edhe për vitin 2012, pati edhe skeptikë, nga ata që mendonin se ishte më mirë ta mbanin pronën “të vjetër” sesa të paguanin për ta rikthyer në “jetë”. E në fakt, siç thotë edhe ing. Jahja, nuk janë të pakta ato prona të paluajtshme të cilat ishin të bllokuara në transaksione për shkak të taksës së konsiderueshme që do të duhej të paguhej, por tashmë ato janë hedhur në treg me vlerën e tyre reale.

Shansi i tretë, për t’i dhënë një pasurie të paluajtshme vlerën reale të tregut rifilloi në datë 15 maj 2013 dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor të këtij viti.

“Ata që pritet të përfitojnë janë kryesisht emigrantët. Që në ditët e para filluan interesimet e qytetarëve që nuk kishin përfituar nga dy rastet e para të amnistisë. Rasti i parë daton në periudhën janar-mars 2011, më pas amnistia u shty deri në gusht 2012 dhe përsëri tani”, – thotë ing. Jahja. Sipas saj, kërkesat në agjenci kanë qenë të shumta gjatë vitit 2012, por edhe pas përfundimit të amnistisë shumë pronarë që nuk kishin përfituar e “ndien” këtë pagesë në momentin e shitjes së pronës së tyre, kur u detyruan të paguanin 10% të diferencës së çmimit. Si vlerësuese e pasurive të paluajtshme, këshilloj të përfitohet nga kjo amnisti dhe prona të sillet në vlerën e tregut”, – thotë drejtuesja e agjencisë “Tirana Real Estate”.

 

Formula e përfitimit

Por, çfarë do të thotë të përfitosh 9%? Vlerësuesja sjell një shembull sipas së cilit shpjegohet se çfarë ndodh në rastin kur vendoset që të përfitohet nga kjo falje.

–   Nëse keni në pronësi një apartament që e keni blerë me një vlerë prej 20.000 eurosh dhe në këtë moment dëshironi ta nxirrni në shitje me një vlerë prej 100.000 eurosh, pasi ky është çmimi i orientuar nga tregu, fitimi nga diferenca e shitblerjes do të ishte 80.000 euro. Taksa që duhet t’i paguhej shtetit për realizimin e kësaj kontrate shitblerjeje do të ishte 10% e vlerës ose 8.000 euro, sipas shembullit të marrë.

–   Nëse ju aplikoni për rivlerësim të apartamentit tuaj pranë një vlerësuesi të pasurive të paluajtshme të licencuar, pronës i jepet vlera reale/aktuale, sipas çmimeve fiskale (në Hipotekë duke iu referuar çmimeve fiskale sipas zonave). Pra, nëse apartamenti juaj do të rivlerësohej 100.000 euro (aq sa ju do të donit ta shisnit) atëherë do të paguani në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme taksën prej 1% midis vlerës së blerjes dhe asaj të rivlerësimit (pra 1% e 80.000 eurove) e barabartë me 800 euro. Në momentin e shitjes me vlerë 100.000 euro, ju do të taksoheni me 10% midis vlerës së rivlerësimit dhe asaj të shitjes, që do të thotë: 10% (vlerë shitje 100.000 euro – rivlerësim 100.000 euro) = 0 euro.

Në rastin kur kjo vlerë është zero apo negative, ju nuk taksoheni.

 

Shteti

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se cila ka qenë kurba e përfitimeve të shtetit dhe individëve që nga momenti i shpalljes së kësaj faljeje. Që nga marsi 2011, koha në të cilën nisi amnistia dhe deri në dhjetor të po të njëjtit vit u deklarua se kishin bërë rivlerësim pasurie mbi 33.502 individë. Shuma totale e pasurisë së rivlerësuar për këtë periudhë u vlerësua në 158 miliardë lekë, për të cilat individët paguan vetëm 1.5 miliardë lekë ndërsa 14.2 miliardë lekë iu falën.

Më pas, me shtyrjen e këtij afati për periudhën janar-mars, interesi erdhi në rritje. Po sipas shifrave zyrtare të dala nga Ministria e Financave, numri i individëve që bënë rivlerësim pasurie ishte mbi 9.000, ndërsa shuma totale e pasurive të rivlerësuara arriti në 46 miliardë lekë për të cilat individët paguan vetëm 461 milionë lekë ndërsa 4.1 miliardë lekë u falën.

Në shtyrjen e dytë të kësaj amnistie (deri në gusht 2012), Ministria e Financave deklaroi se afro 58.000 shqiptarë kishin rivlerësuar banesat e tyre dhe ky proces solli në buxhetin e shtetit rreth 2.6 miliardë lekë të ardhura.

Në atë kohë, Ministria e Financave deklaroi se kjo do të ishte shtyrja e fundit dhe qytetarëve nuk do t’iu jepej një mundësi e tretë, por tashmë ky rezulton një “premtim” i pambajtur dhe ajo që mund të thuhet është se ka edhe një herë të tretë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency