Firmoset Plani Urbanistik i Tiranës Kryeministri: Ne flasim me vepra

0
2025

Ina Jano

berisha propozonRama: E anulojmë në 23 qershor

 


 

KKT para disa javësh miratoi Planin Urbanistik të Tiranës, duke e bërë kryeqytetin për herë të parë më një plan të tillë. Propozimet e Bashkisë së Tiranës morën të gjitha votat e anëtarëve të Këshillit, duke i dhënë kështu për herë të parë kryeqytetit një plan rregullues. Duket se tashmë Kryeministri Berisha ka hedhur firmën e tij mbi këtë dokument të rëndësishëm për të gjithë banorët e kryeqytetit. “Të dashur miq! Sot (dje), pas të gjitha diskutimeve, por dhe ndryshimeve të rëndësishme ligjore, unë firmosa Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Territorit të kryeqytetit të vendit apo Kushtetutën e rregullimit të territorit të Tiranës. Ky është Plani i Tiranës së këtij shekulli, që miratohet pasi janë përfunduar projektet dhe garantuar fondet për ndërtimin e bulevardit të ri deri në Paskuqan, si vazhdim i bulevardit “Zogu I” dhe krijimit të një zone rekreative në zonën e lumit të Tiranës”, – ka shkruar dje në faqen e tij zyrtari numri një i ekzekutivit. Duke u shprehur se PD flet me vepra, zoti Berisha thotë se Kushtetuta e re e territorit të Tiranës funksionon mbi bazën e ligjeve që shkurtojnë kohën e lejeve të ndërtimit prej 399 ditësh, e treta më e gjatë dhe më e korruptuar në botë, standard i zotit Rama, në 45 ditë, standard i zotit Basha dhe Partisë Demokratike. “Plani i ri u premtua 11 vjet më parë, nga ish-kryetari Rama, por nuk e bëri asnjëherë sepse i pëlqente betonizimi dhe 20%-shi i tij”, – shkroi kreu i qeverisë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.

 

Rama

 

Kryetari i PS-së, Edi Rama, e cilësoi planin e firmosur nga Kryeministri si një plan dritëshkurtër dhe korruptiv, që do të anulohet nga qeveria socialiste. Pas njoftimit të Kryeministrit në Facebook, Rama shkruan në Twitter: “Kryeministri lajmëron me tamtame firmosjen e planit më dritëshkurtër e korruptiv urbanistik që ai e quan Kushtetuta e Tiranës! Anulohet në 23 qershor”. Pas deklaratës së kryetarit të opozitës, Edi Rama, se në rast të fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria socialiste do të anulojë Planin Urbanistik të Tiranës, ka reaguar edhe kryebashkiaku Lulzim Basha. Sipas kreut të bashkisë, kërcënimi i Ramës për anulimin e planit është kthim prapa te zhvillimi korruptiv. “Rama kishte 11 vite kohë për ta bërë Tiranën me plan urban. Nuk bëri planin, sepse nuk donte transparencën. Mungesa e planit u kushtoi rëndë qytetarëve të Tiranës. Plani u miratua brenda 2 vitesh me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe Tirana do të votojnë për zhvillimin në 23 qershor”, – deklaroi Basha.