Tre të dyshuarit si autorë të grabitjes së bankës në zonën e ish-Bllokut me 8 gusht të këtij viti, dalin sot para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Prokuroria dorëzoi dje në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë, duke kërkuar “arrest me burg” për Roland Litin, Alan Babamaton dhe Robert Kullën.
Tre të pandehurit u arrestuan me 31 gusht. Gjurma, e cila zbuloi tre autorët e grabitjes së filialit të një banke të nivelit të dytë në ish-Bllok në kryeqytet, u gjet në një shishe plastike uji që ishte lënë nga agresorët, në bodrumin ku kishin punuar për të depërtuar në kasafortën e bankës.
Sëbashku me sendet e tjera të gjetura në bodrum, shishja është dërguar nga ekspertët për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore dhe krahasimi në sistem ka identifikuar se ato i përkisnin të arrestuarit Robert Liti.
Pas arritjes së identifikimit të njërit prej të dyshuarve, policia nëpërmjet përgjimeve ambientale dhe telefonike arriti të identifikojë edhe dy autorët e tjerë të dyshuar dhe u vu në ndjekje të tyre.
Mësohet se pas vjedhjes së bankës, dy prej pjestarëve të këtij grupi udhëtuan drejt Malit të Zi dhe u kthyen pas 4 ditësh, por këtë herë jo nga kufiri.
Në bazë të informacioneve, gjatë qëndrimit atje të rinjtë kishin shpenzuar shuma të mëdha parash.
Gjatë operacionit u sekuestrua nje shume prej 16.730 dollare amerikane -nje shume prej 10.480 euro -2,625.000 leke te vjetra shqiptare.