Ligj pë kafshët, dënim me burg kush i plagos ose i vret

0
273

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka publikuar sot nismën e tij për mbrojtjen e kafshëve, që pritet së shpejti të shkojë në parlament si ligji i parë i kësaj natyre. Në 4 nenet e propozuara nga Tahiri parashikohet gjoba dhe burg për braktisjen, plagosjen, vrasjen apo edhe shfaqjet e detyruara të kafshëve. “Dhuna ndaj kafshëve, duhet të mbarojë! Braktisja, keqtrajtimi, dhuna, plagosja, vrasja, konkurset e forcës, luftimet ndërmjet kafshëve, publikimi i fotove e videove, eksperimentet e paligjshme me kafshë, do propozoj të jenë vepra penale të dënueshme”, deklaron ministri i brendshëm. Ai thotë se ka ndërmarrë këtë hap pas komunikimeve me qytetarët dhe boshllëkut ligjor si dhe rasteve të shumta të publikuara kohët e fundit me dhunën ndaj kafshëve. “Pas qindra komunikimeve me shumë qytetarë lidhur me keqtrajtimin sistematik të kafshëve, pas sqarimeve të vazhdueshme mes pafuqisë ligjore për të vepruar dhe indiferencës së shumë institucioneve, pas qindra foto e video ku dhuna e luftimet ndërmjet kafshëve kthehen në sipërmarrje gangsterllëku a përfitimi, është e domosdoshme ndërmarrja e një nisme ligjore që i jep fund vakumit normativ dhe torturave çnjerëzore që disa të papërgjegjshëm i shkaktojnë kafshëve”, shprehet Tahiri. Në nenet e propozuara, parashikohet burg edhe për përdorimin për qëllime përfitimi të lëkurës së kafshës. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës së kafshëve shtëpiake, për prodhimin e artikujve prej lëkure, dënohet me burgim 2 vjet deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 500.000 lekë. Po kështu përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës, pendëve apo pjesëve të tjera të trupit të kafshëve të shpallura specie të rrezikuara dënohet me burgim deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë. Ai ka edhe një përgjigje për skeptikët dhe kritikët duke thënë se asnjë problem sado i madh që mund të ketë vendi nuk e justifikon indiferencën ndaj dhunimit të kafshëve. “Deri më sot, nuk ka pasur asnjë dispozitë që dënon keqtrajtuesit e kafshëve. Duhet patjetër! Mbase sot e në vijim, do ketë shumë njerëz që do e konsiderojnë të tepërt. Disa do thonë se Shqipëria ka probleme më të mëdha! Disa të tjerë do thonë të shohim njerëzit një herë, pastajkafshët. Unë mendoj të kundërtën! Asnjë problem tjetër, sado i madh, nuk mund të jetë kurrë justifikim aq sa të jemi indiferent ndaj dhunimit të kafshëve në vendin tonë”, shkruan Tahiri. Ai publikon edhe nenet e propozuara për mbrojtjen e kafshëve. “Më poshtë, teksti qe do propozoj! Duhet ndihma e te gjithëve, për ta miratuar ne parlament ndaj shpërndaje, thuaj tënden, nqs mendon se kafshët duhen respektuar e mbrojtur.”

Neni 1 “Keqtrajtimi i kafshëve”

1. Braktisja e kafshëve përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 10.000 lekë gjer në 30.000 lekë.

2. Kushdo që, pa arsye të ligjshme, plagos një kafshë, apo e nënshtron atë ndaj veprimeve që sjellin vuajtjen e saj, dënohet me burgim nga 3 muaj gjer në 6 muaj.

3. Kur si pasojë e veprimeve të kryera në pikat 1 dhe 2 të këtij neni shkaktohet ngordhja e kafshës, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 12 muaj dhe me gjobë nga 50.000 lekë gjer në 100.000 lekë.

Neni 2 Shfaqjet, konkurset dhe luftimi ndërmjet kafshëve

1. Shfaqjet dhe konkurset e jashtëligjshme ku marrin pjesë kafshë, dënohen me gjobë nga 20.000 deri në 50.000 lekë

2. Prodhimi, shpërndarja, shitja e botimi i imazheve të luftimeve ndërmjet kafshëve, me çdo mjet ose formë, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 200.000 lekë ose me burgim deri në 1 vjet.

3. Organizimi i luftimeve dhe veprimtarive të dhunshme me kafshët, dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 100.000 deri në 300.000 lekë.

4. Luftimi mes kafshëve që organizohet për qëllime përfitimi financiar dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 500.000 deri në 1.000.000 lek 5.

Nëse nga aktet e përcaktuara në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni shkaktohet ngordhja e kafshës, dënohet me burgim deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.

Neni 3 Kryerja e eksperimenteve me kafshë

1. Kryerja e eksperimenteve të jashtëligjshme me kafshët dënohet me burgim deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë

Neni 4 “Përdorimi për qëllime përfitimi të lëkurës së kafshës”

1. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës së kafshëve shtëpiake, për prodhimin e artikujve prej lëkure, dënohet me burgim 2 vjet deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 500.000 lekë.

2. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës, pendëve apo pjesëve të tjera të trupit të kafshëve të shpallura specie të rrezikuara dënohet me burgim deri në 3 vjet dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency