Studim i frikshëm/ Ja sëmundjet që sjell ajri i ndotur

0
260

Një studim i ri vë në dukje se ajri i papastër është forma më vdekjeprurëse e ndotjes. Ai është shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme.

Kjo i kushton ekonomisë globale qindra miliarda dollarë çdo vit në orë pune të humbura. Studimi i ri “Kostoja e Ajrit të Ndotur: Forcimi i Bindjes Ekonomike për Veprim”, është kryer nga Banka Botërore dhe Instituti i Matjes dhe Vlerësimit të Shëndetit, raporton klan.

Urvashi Narain, ekonomist i lartë për mjedisin në Bankën Botërore thotë se:“Motivacioni kryesor i këtij raporti ishte të theksonte sfidën e ajrit të ndotur. Sa i përhapur është ai. Dhe gjithashtu të shtrohet çështja për veprim nga vendet. Ato nuk mund ta injorojnë këtë problem. Ato duhet të veprojnë”.

Studimi thekson se “rreth 90 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit.”

Studimi thotë se në vitin 2013 “mbi 5 milionë njerëz gjetën vdekjen nga sëmundjet e lidhura me ajrin e ndotur jashtë dhe brenda shtëpive.”
Kanceri i mushkërive, azma, çrregullime kronike pulmonare dhe infeksione të rrugëve të frymarrjes, janë të lidhura me ajrin e ndotur.

Ai mund të kotribuojë gjithashtu në sëmundjet kardiovaskulare. Ajri i ndotur mund të dëmtojë veçanërisht rëndë fëmijët pasi sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë nuk janë të zhvilluara plotësisht.