Gjykata e Tiranës liroi dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, Helidon Klosi dhe Dritan Deçka, ndërsa i kërkoi prokurorisë që hetimet ndaj tyre t’i ndjekë në gjendje të lirë nën masën e sigurisë detyrim paraqitje. Organi i akuzës kërkoi burg me afat 45 ditor për dy mjekët e arrestuar tre ditë më parë nga policia e kryeqytetit, në lidhje me vdekjen e 35-vjeçares Aida Çajka dhe foshnjës së saj. Nuk menduan kështu togat e zeza duke vendosur që mjekët të hetohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës. Seanca e djeshme në ngarkim të dy mjekëve të materniteti është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve, pas kërkesës së gjyqtarit Altin Shkurti, ndërsa zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. Në ambientet e jashtme të Gjykatës së Shkallës së Parë në mbështetje të mjekëve kishin ardhur edhe mjekë të tjerë të spitalit “Koço Gliozheni”. Këta të fundit e kanë pritur me duartrokitje vendimin e gjykatës për lirimin e kolegëve të tyre. Mësohet se 2 mjekët, janë shprehur se janë të pafajshëm për vdekjen e 35-vjeçares pasi kanë pretenduar përballë togave të zeza se sistemi mjekësor është i tillë dhe materniteti nuk ka kardiolog në turnin e natës. Sipas avokatëve mbrojtës, në momentin që e ndjera është paraqitur pranë maternitetit, mjekët nuk kanë konstatuar probleme të barrëlindjes, më pas duke parë problemet në frymëmarrje të të ndjerës kanë transportuar këtë të fundit drejt QSUT-së pasi mund ti jepej ndihmë më e specializuar. Në maternitet nuk kanë skaner dhe aparatura për të përcaktuar shkakun e gjakderdhjes. Për këtë ata dërguan 35-vjeçaren drejt QSUT-së pasi nuk mund të ndërhynin. Pas vendimit të gjykatës për lirimin e tyre, Helidon Klosi dhe Dritan Deçka pritet të rikthehen në maternitetit “Koço Gliozheni” për të vazhduar sërish punën e tyre.
Hetimet
Pas vdekjes së nënës 35-vjeçare Aida Çajka dhe foshnjës së saj policia me urdhër të prokurorisë ndaloi mbrëmjen e së shtunës dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, Helidon Klosi dhe Dritan Deçka. Mbi dy mjekët Prokuroria ka ngritur akuzën e mjekimit të pakujdesshëm. Hetimet e prokurorisë nisën menjëherë pas denoncimit të familjarëve të së ndjerës. Sipas hetimeve të deritanishme, për më shumë se 5 orë, 35-vjeçarja Aida Çajka u sorollat në tre spitale, pasi mjekët nuk po përcaktonin diagnozën e saktë. Pas transportimit në Qendrën Spitalore Universitare dhe Sanatoriumin e kryeqytetit, 35- vjeçarja u dërgua sërish në maternitet, ku në 5 të mëngjesit iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Vdekja e saj dhe foshnjës 9 muajshe, sipas mjekëve, erdhi si pasojë e hemorragjisë së brendshme. Ndërsa pritet që ekspertiza mjeko ligjore të zbardhjë shkaqet e vdekjes së 35-vjeçares. ishin familjarët e viktimës që bënë denoncimin për neglizhencë dhe vonesa nga mjekët. Ata thanë se pas dyshimeve për probleme kardiake, mjekët e maternitetit e dërguan 35-vjeçaren në QSUT. Këta të fundit dyshuan për ftohje dhe e dërguan në sanatorium. Ishin mjekët e këtij spitali që përcaktuan hemorragjinë e brendshme. Sipas tyre, gruaja u fut në operacion rreth orës 05:00 të mëngjesit, pas 5 orësh sorollatje. Gjatë operacionit është nxjerrë fetusi i foshnjës i pajetë ndërsa rreth orës 5:45 minuta, të datës 16 shtator ka vdekur edhe nëna. Pas ndërhyrjes mjekët konstatuan hemorragji të madhe në pjesën e shpretkës.