Ina Jano
44 ligje në një mbledhje të kabinetit qeveritar, që mblidhet në orët e vona të mbrëmjes. Kalon paketa për rimbursimin me para në dorë për TVSH-në e makinerive të fermerëve
Kryeministri Berisha thirri dje një mbledhje të kabinetit qeveritar në orët e vona të mbrëmjes. Takimi i përjavshëm i ministrave kishte dy javë që nuk ishte zhvilluar për shkak të fushatës intensive, por ashtu siç nënvizoi edhe kreu i ekzekutivit, rendi i ditës ishte tepër i ngjeshur dhe kjo mbledhje ishte e domosdoshme. Që në fillim të fjalës së tij, zoti Berisha, duke kuptuar edhe orarin (mbledhja ishte parashikuar të fillonte në orën 21:00, por ndërkohë nisi me 30 minuta vonesë) lajmin më të rëndësishëm e dha në fillim. Ai njoftoi se kabineti qeveritar në mbledhjen e mbrëmshme do të merrte në shqyrtim 44 vendime, shifër kjo që koinçidon me numrin që Partia Demokratike mban në fletën e votimit. “Vendimi më i rëndësishëm mes 44 vendimeve që miratohen sot në mbledhjen e qeverisë, është rritja e rrogave dhe pensioneve në përputhje me përcaktimin e buxhetit të shtetit. Rritja e rrogave do të bëhet nga zero në rrogat më të larta, tek 4-6% tek rrogat e tjera sipas kategorive. Po kështu edhe për pensionet. Rritja e rrogave dhe pensioneve do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ka një modalitet pak të vështirësuar për shkak të Parlamentit, por qeveria ka të drejtën me Kushtetutë të aktit normativ dhe qeveria në këtë rast do të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese të aktit normativ, për të futur në fuqi rritjen. Kjo do të skedohet në mënyrë që javën ose 10-ditëshin e parë të Parlamentit të ri të shqyrtohet. Ai (Rama) nuk flet kurrë për rritje rrogash dhe pensionesh, ai flet thjesht do ulë këtë taksë dhe do rrisë këtë taksë nga e cila lind vetëm kaosi ekonomik”, – tha shefi i ekzekutivit. Ai bëri me dije se nga ky vendim përfitojnë 840 mijë familje, të cilat përfitojnë rritje të rrogave dhe pensioneve dy herë mbi rritjen e inflacionit. Në këtë drejtim lideri i qeverisë tha se është normale që çmimet e produkteve të rriten, madje sipas tij nuk do të ishte normale nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Atëherë kjo do të ishte shqetësuese për ekonominë e një vendi, por paralelisht me të rriten dhe rrogat dhe pensionet.
Një tjetër vendim i rëndësishëm, në listët e 44 vendimeve që u morën mbrëmjen e së enjtes, ishte edhe dëmshpërblimi i 1 mijë e 40 të përndjekurve politikë, për të cilët do të vihen në dispozicion rreth 45 milionë dollarë. Numri një i qeverisë theksoi se dëmshpërblimi, i cili vijon pa ndërprerje, nuk është në normën më të lartë, por ajo është e merituar. Berisha akuzoi opozitën se u përpoq të shfrytëzonte procesin për arsye politike. “Në listën e vendimeve ka një vendim të rëndësishëm, qeveria vendos një shumë të madhe, për dëmshpërblimin financiar, për 1 mijë e 40 të përndjekur politik në masën rreth 45 milionë dollarë. Ky është detyrimi që ka qeveria shqiptare ndaj të përndjekurve politikë. Një proces që sigurisht do të donim të ishte më i shpejtë, por që ne nuk e kemi lënë kurrë. I garantoj të përndjekurit se brenda afatit ligjor, qeveria do të zbatojë ligjin me përpikmëri. Amendimet e kërkuara do të bëhen. Në parlament pati debate të mëdha. Madje në parlament pati tendenca nga pala tjetër për t’u përdorur kjo për qëllime shumë të këqija. Por ne vazhdojmë me vendosmëri për dëmshpërblimin me normën më të merituar të këtyre njerëzve të fjalës së lirë, që u martirizuan për së gjalli në burgjet dhe kampet e një regjimi barabar”, – tha Berisha. Qeveria gjithashtu vendosi privatizimin e një numri të madh banesash në favor të qytetarëve shqiptarë. “Kjo është një politikë e drejtë që i jep zgjidhje përfundimtare strehimit të qindra familjeve në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe kudo”, – shtoi Kryeministri. Ai bëri me dije se qeveria do të rimbursojë me para në dorë TVSH-në për të gjitha makineritë që fermerët shqiptarë blejnë në dyqanet e vendit. “Kjo erdhi si rezultati i kërkesës së tyre. Ky vendim plotëson përfundimisht paketën e reformave të thella që ne bëmë për të mbështetur fermerët e vendit”, – theksoi Berisha. ky i fundit pavarësisht të gjithë aktiviteteve të ngjeshura të ditës nuk la pas edhe disa batuta me ministren e Integrimit, për të cilën tha se nuk duhet që të duket se lodhur, pasi komentet dhe batutat nga ana e Ramës, do të vërshojnë. “Majlinda kujdes se nëse kamera do të tregojë se ke shenja lodhje dikush tjetër do jetë i gatshëm të komentojë”, – komentoi më buzën në gaz, kreu i qeverisë.
Berisha: Rama, fajtor për prapambetjen e infrastrukturës të Tiranës, i bëri paratë rrush e kumbulla
Jashtë Tiranës infrastruktura është skandaloze. Kështu e cilësoi shefi i qeverisë të gjitha rrethinat e kryeqytetit, ndërsa fajësoi ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, sot kreu i PS-së, Edi Rama. Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e minibashkisë numër 5 tek amfiteatri i Liqenit Artificial, akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, se në kohën kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, shpërdoroi fondet e qeverisë që merrte për infrastrukturën e Tiranës. “Tirana jashtë qendrës ka infrastrukturë të botës së tretë. Dal dhe shoh infrastrukturë të papranueshme. Në çdo skaj të akseve kryesore. Mbollëm thoshte, 5 mijë pemë dhe i bënte paret rrush e kumbulla dhe na i shpallte pemë. Ne do financojmë infrastrukturën e Tiranës, gjersa Tirana të asfaltojë çdo rrugë dhe rrugicë të saj dhe të rikualifikojë sheshet e pallate. Dhe atij ja shtonim por i bënte rroga”, – tha Berisha. Duke folur për Unazën e Re të Tiranës, kreu i qeverisë, tha se “kjo unazë duhet të kishte përfunduar dy vjet më parë, nëse zotëria e tij do të donte, por e mbante peng sepse nuk pranonte as propozimet e Bankës Evropiane”. Sipas Kryeministrit, shumë shpejt do të ndërtohet jo vetëm unaza, por do të ndërtohet dhe krahu tjetër dhe do të rindërtohet e gjithë infrastruktura e qytetit”. Berisha sulmoi planin e kryesocialistit Rama për taksat duke thënë se: “Rama piktori i dështuar, nuk ka koncept në ekonomi. Qëndrimi i Ramës vjen nga Koço Kokëdhima. Kjo është e vështirë për të besuar por merrni gazetat e tij ku investimet e huaja shpallen si forma të neokolianizmit. Këto janë koncepte arkio marksiste. Të gjitha këto ja dikton mentori i tij Koço Kokëdhima”. Ai gjithashtu deklaroi se qeveria do të vazhdojë të rritë rrogat për mësuesit. “Në tërësi në shkallaren e rrogave, shumica e vendeve mësuesit i vendosin nën mesatare. Ne i kemi vendosur mbi mesataren me qëllimin e vetëm që për çdo rritje rroge ata të ruajnë pozicionin dhe të jenë të mirë shërbyer. Duke ecur më tutje rrogat do të shtohen”, – u shpreh lideri demokrat.
Halimi me biznesin fason
Klimë e favorshme për bizneset e huaja
Kreu i listës për qarkun e Durrësit, Eduard Halimi, gjatë një vizite në një prej bizneseve fason, dëgjoi shqetësimin e investitorëve të huaj për rritjen e taksave që propozon Partia Socialiste. Ndërkohë biznesmeni italian Xhuzepe Frankone, shprehu mendimin e tij sa i përket programeve të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste përkundrejt biznesit. Xhuzepe Frankone: Njerëzit që kanë ndërtuar këtë fabrikë, ne të gjithë, kemi nevojë për ta. Pa këta njerëz këtu e pa këtë parti, ne jemi asgjë. Ne kemi nevojë për ta që të rrimë këtu. Eduard Halimi tha se “më 23 qershor, le të votojmë e të zgjedhim të ecim përpara, e jo të kthehemi pas”. Sipas tij, taksat e ulëta dhe klima e favorshme e biznesit ka bërë që në Durrës të shtohen investimet e huaja, veçanërisht ato italiane. Por, rritja e taksave do të vinte në rrezik qëndrimin e tyre në Shqipëri”.
Elbasan
Imami me gratë: Qeveria, e fokusuar tek ju
Në vijim të turit elektoral, Arben Imami, në cilësinë e kryesuesit të kandidatëve për deputet në qarkun e Elbasanit ka zhvilluar një takim me gratë e rajonit nr. 5 dhe 6 të qytetit. Imami ka deklaruar se stafi pedagogjik përbëhet kryesisht nga gratë dhe kjo shpreh qartë se sa qeveria e vlerëson figurën e gruas në tërësi. Ai ritheksoi edhe një herë premtimin e Kryeministrit për arsimtarët që brenda këtij katër vjeçari do t’i rrisë rrogat në 700 dollarë, ndërkohë që janë ndërtuar 100 shkolla, investimet më të mëdha, janë realizuar në qarkun e Elbasanit. “Ne brenda këtij katër vjeçari do të mbyllim rigjallërimin dhe infrastrukturën e shkollave në qarkun e Elbasanit. Investimi më i madh është ai i Universitetit të Elbasanit prej 10 milion dollarësh, duke e kthyer bibliotekën e këtij universiteti në një nga më të mirat. Gjithashtu Imami ka folur edhe për investimet në shëndetësi, ku një prej tyre është ndërtimi i ri i spitalit obstetrik – gjinekologjik. “Është një fitore e madhe se ka qenë një korrupsion i pandalshëm që privonte nga e drejta për shkollën, por ne trefishuam numrin e studentëve në shkolla, duke e çuar në mbi 150 mijë”, – tha Imami.