Rama “provon” rrugën e re të Berishës Autobusi i Rilindjes kthehet nga Elbasani në Tiranë për 20 minuta

0
170

Gëzim Saliu

16-qershor-Rama-ish-ushta

Vlorë, Kreu i PS-së: Do bëjmë transparencë për aktet e kthimit dhe kompensimit të pronave

 

Pavarësisht se sulmoi dhe akuzoi ashpër qeverinë për rrugën e re Tiranë- Elbasan, kreu socialist është kthyer dje në kryeqytet me autobusin e Rilindjes pikërisht nga kjo rrugë. Pas zhvillimit të mitingut përmbyllës elektoral në qytetin e Elbasanit, kryesocialisti së bashku me grupin që e shoqëronte atë ka zgjedhur të “provojë” rrugën e re të inauguruar ditën e djeshme nga kryeministri i vendit Berisha. Ndërkohë në Elbasan, kreu socialist  deklaroi se tuneli i ri u ndërtua me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe sipas tij, mazhoranca qeverisëse nuk ka asnjë meritë për këtë vepër të re infrastrukturore.  “Shfaqje të shëmtuar të tunelit dha në mes të fushatës, Sali Berisha. Nuk mund t’i thotë Elbasanit shikoni sa i bukur është tuneli që u ndërtua me paratë e popullit, por të përgjigjet për tunelin më të gjatë të papunësisë që ka hapur për këtë qark. Për tunelin e varfërisë, për tunelin më të gjatë të korrupsionit. Saliu ka shpenzuar aq shumë para për të shtruar këto rrugë që kanë mbetur rrugëve dhe për të hapur këtë tunel sa do kishin mjaftuar sic thoshte Sami Frashëri, për t’i shtruar të gjitha rrugët me flori”, tha Rama në Elbasan.

 

Takimi i Vlorës

Në të dielën e fundit para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kreu socialist ka zhvilluar një sërë takimesh elektorale në qarkun ku kandidon si kryesues i listës së deputetëve. Takimet e djeshme në Vlorë, Rama i nisi me një bashkëbisedim me  ish-ushtarakët, ku theksoi se  reformimi i policisë së shtetit por edhe ushtrisë është i domosdoshëm. Sipas kryesocialistit, me pronat e ushtrisë nuk kanë përfituar as ushtarakët dhe as publiku. Ai akuzoi qeverinë për grabitjen e këtyre pronave.  “Ajo që është bërë me pronat e ushtrisë është e papërfytyrueshme. Nga ato prona të gjithë ju që kontribuuat në vite nuk merrni asgjë, as publiku, ato prona iu transferohen oborrtarëve dhe familjarëve të Saliut duke u kthyer në pronarë tokash pafund. Do bëjmë transparencë për aktet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne do bëjmë transparencë të plotë në lidhje me deformimet dhe korrupsioni i pronave”, tha Rama. Në këtë kontekst, kryesocialisti akuzoi edhe ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, ku tha se,: “Ushtria sot drejtohet nga një ministër i paaftë dhe karagjoz, që është vënë në funksion të fushatës. Ushtria është kthyer në një garnizon privat për të marrë vota. Ne synojmë të ripërtërihet ajo trupë e madhe që duhet të jetë krenaria jonë, garancia jonë”. Po ashtu, dje lidershipi i PS-së zhvilloi një takim me pedagogë e studentë të Universitetit të Vlorës, ku në përgjigje të interesimit të studentëve se kush do t’i fitojë zgjedhjet, ai iu përgjigj duke thënë se pikërisht në vendet ku ka më shumë papunësi dhe varfëri votat i merr PD. Por, Rama shprehu bindjen se më 23 qershor shumica e shqiptarëve do zgjedhje rrugën e Rilindjes.  “Varfëria dhe injoranca janë këmbët mbi të cilat ngrihen diktaturat dhe gjysmëdiktaturat. Për qeverisjet me natyrë autoritare varfëria është një mbështetje shumë e fortë, varfëria nuk është aleat i opozitës, është baza mbi të cilën mbështetet dhe ushqehet autoritarizmi. Aty ku PD merr vota ka më shumë varfëri, papunësi dhe izolim. Unë jam i bindur se Shqipëria ka një avantazh, është në mes të Evropës shqiptarët janë të shëtitur, emigracioni një nga fuqitë më të rëndësishme jo vetëm për mbijetesë por edhe për emancipim shoqëror. Çfarëdo deformimi të ketë, jam i bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do jenë shprehja e vullnetit të shumicës dhe shumica do votojë për rilindjen”, tha kreu i PS-së.

 

Kandidati i Pavarur

Malaj, Ramës: Mos sill kulturën e përbaltjes dhe sherrit në Vlorë

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj reagoi dje ndaj spotit elektoral që po përdor Partia Socialiste kundër tij në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. Nëpërmjet stafit të tij elektoral, Malaj theksoi se kryesocialisti Rama nuk mund të sjellë kulturën e përbaltjes dhe sherrit në qytetin e Vlorës. “Ky spot dëmton Partinë Socialiste dhe të majtën në përpjekjen e përbashkët për të mundur Sali Berishën. Ky spot injoron votën e lirë të qytetarëve të Vlorës. Ky spot dëmton lirinë mbi të cilën duhet të zhvillohen zgjedhjet në një vend demokratik. Rrezikshmëria e fushatave të tilla përbaltuese dëmton më së pari vendin dhe të ardhmen e tij evropiane. Vetëm në diktaturë, konkurrentët e përkrahur gjerësisht shihen si rrezik. Kultura e sherrit nuk mund të importohet në Vlorë. Vlora si gjithë Shqipëria meriton shumë më shumë”. Sipas Malaj, është e papranueshme për çdo politikan dhe aq më shumë për Ramën që në qytetin e Pavarësisë të cenohet vullneti i votës së lirë. “Arben Malaj pranoi rrezik personal kur publikisht mbajti tre qëndrimet e tij në të mirë të Shqipërisë. Malaj pranoi rrezikun personal kur votoi kundër ndryshimeve kushtetuese, kur ishte kundër bojkotit dhe kur ishte pro integrimit.  Vota e lirë është gjithmonë votë shprese dhe votë që garanton të ardhmen. Ndaj kemi këmbëngulur për një fushatë pozitive larg fyerjeve dhe përbaltjes. Vota për kandidatin e pavarur Arben Malaj është një votë pro rrotacionit politik dhe një qeverisjeje sa më të mirë, votë pro përfaqësimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve, pro reformave dhe integrimit evropian”, theksuan në deklaratën e tyre stafi elektoral i kandidatit të pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj.

 

 

Takimi në Njësinë nr.2 në Tiranë

Meta: LSI ka program të qartë për rritjen e punësimit

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së në Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranës, njëherazi kryetar i kësaj minibashkie, Elez Gjoza, ka zhvilluar një takim me banorë të kësaj njësie në kryeqytet. Duke shprehur sigurinë e fitores në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Meta tha se LSI në listën e saj të Qarkut të Tiranës, 4 ndër 7 kandidatët e parë i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. “Ne jemi forcë që kujdesemi për të rinjtë, që investojmë për të rinjtë, që i vëmë në lëvizje energjitë dhe idetë e tyre. Me të rinjtë mund të ecim të gjithë së bashku më shpejt përpara”. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se qytetarët e Tiranës do të votojnë LSI-në më 23 qershor pasi është një forcë politike e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në integrimin e vendit.  Më tej, kreu i LSI-së pohoi se kjo forcë politike ka një vizion konkret për ristrukturimin e ekonomisë, për të garantuar një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, e cila synon stimulimin e rritjes së prodhimit të vend, uljen e importeve, rritjen e eksporteve për të pasur një ekonomi të qëndrueshme. “LSI si asnjë forcë tjetër politike ka një program të qartë për punësimin. Të gjitha politikat tona synojnë rritjen e punësimit, si ato arsimore për zhvillimin e arsimit të mesëm profesional dhe për formimin profesional, si politika e taksave njëkohësisht, sepse për ne çdo gjë duhet vënë në funksion të rritjes ekonomike dhe të rritjes së punësimit. Prandaj, duke mbështetur LSI, të gjithë mbështesim Shqipërinë të eci më shpejt në rrugën e rritjes ekonomike, në rrugën e mirëqenies së familjeve të Tiranës dhe të Shqipërisë, në rrugën e punësimit të të rinjve dhe të rejave, dhe natyrisht në rrugën e integrimit evropian të vendit”, deklaroi kreu i LSI-së Ilir Meta.