Artur Ajazi
Agjencitë detare nisin lundrimet e dubluara, prurje masive nga portet italiane njerëzish e automjetesh
Prej disa ditësh agjencitë detare të lundrimit në Durrës kanë vendosur të nisin lundrimet “ekspres”, “dopio corso”, çfarë nënkupton se me të mbërritur në porte imbarkojnë pasagjerët dhe rinisen përsëri për rrugë. Dje në portin e Durrësit, kishte mbërritje 5 tragete, të cilat sapo u përpunuan, u rinisën që në drekë për lundrim. Ndërkohë po dje autoritetet italiane dhe agjencitë detare të lundrimeve njoftuan se tragetet e linjave që lidhin portin e Durrësit me portet italiane nisën lundrimet “dopio corso”. Të paktën ky vendim do të vazhdojë deri në fund të dhjetorit, dhe duke parë flukset e udhëtarëve këndej e matanë Adriatikut, do të vendoset se si do të procedohet gjatë ditëve të para të vitit 2013. Vetëm në dy ditët e fundit, në portin e Durrësit mbërritën 5 tragete, “Riviera Adriatica”, “Arbëria”, “Flaminia”, “Bari” dhe “Brigde”, dhe prej tyre zbarkuan 1800 pasagjerë, nga ata, 14 me pasaporta biometrike ishin të kthyer nga autoritetet italiane, ku kishte edhe gra dhe fëmijë. Dokumentacioni përcjellës për Policinë Kufitare të Durrësit ishte, se “për kryefamiljarët e tyre kishte pasur vendime dëbimi (espulso) nga autoritetet italiane në kohë të ndryshme”. Nga burimet policore portuale mësohet se “këtë fundjavë kishin lundruar në drejtim të porteve italiane 761 udhëtarë të ndarë në 4 tragete, dhe mesatarja e çdo trageti ka qenë 225 udhëtarë”. Ndërkohë të shtunën dhe dielën tragetet pasi zbarkuan udhëtarët, u imbarkuan menjëherë dhe u nisën që në drekë për lundrim. Me 5 tragete udhëtuan 1400 udhëtarë, madje për shkak të mungesës së vendeve në kalatë, dy prej trageteve pritën në radën e jashtme radhën për t’u akostuar dhe pas dy trageteve që u nisën për lundrim, në vendet e tyre u ankoruan dy tragete të tjera. Sipas Kapitenerisë së Porteve, “operacionet e manovrimit në det ishin të vështira për shkak të motit të keq, gjithashtu edhe të shtunën në mbrëmje, ishte e njëjta kohë e keqe për tragetet që do të niseshin nga portet italiane në drejtim të Durrësit”. Agjencitë detare të lundrimit në Durrës, kanë bërë të ditur se këtë sezon nuk ka krizë për bileta, pra kushdo mund të sigurojë bileta si për vajtje, ashtu edhe për ardhje. Ato bënë të ditura se, deri në fund vitit 2012, nga Durrësi në drejtim të porteve të Italisë janë prenotuar 1500 bileta, në një kohë që kapacitetet lundruese janë shumë më të mëdha se kaq. Këto agjenci kanë bërë të ditur se do të njoftojnë për vendimin që do të merret për grafikun e lundrimeve pas ditës së hënë.