Nishani kërkon një mandat të dytë: Ende mund të jap kontribute

0
198

Presidenti i Republikës Bujar Nishani shpreh hapur dëshirën për një mandat të dytë në këtë post. Në një intervistë dhënë për revistën “Illyria”, kreu i shtetit tha se ka besim se mund të japë në një tjetër mandat.

“Se cila do të jetë e ardhmja ime politike, pa dyshim që te çdo presidenti që mbyll një mandat, është krejt e natyrshme synimi i një mandati të dytë kur ai mendon se e ka kryer me përpjekje të sinqerta dhe të vërteta punën në mandatin e parë dhe që ka besim se mund të japë ende kontribute, në një mandat tjetër”.

Nishani është i qartë se kjo nuk varet prej tij, por prej mazhorancës që qeveris vendin.

“Në sistemin tonë, kjo nuk mbetet vetëm në dëshirën e presidentit të Republikës. Kjo është e ndërthurur me vullnetin e mazhorancës përkatëse në parlamentin e Shqipërisë. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet deri në prill-maj, sepse për herë të parë ndodh që Presidenti zgjidhet në të njëjtën kohë me parlamentin e ri. Prandaj, parlamenti aktual, përpara se të shpërndahet duhet të zgjedhë presidentin që do të vijojë”.

Në fund Nishani bën të qartë se edhe nëse nuk do të mbetet në krye të shtetit do të jetë aktiv në politike.

“Më tej, mund t’ju them sot një gjë të sigurt që nuk e kam ndërmend që të dal në pension kaq shpejt. Se cila do të jetë më pas rruga që do të ndjekë aktiviteti im do të mbetet për t’u parë”.