Çelo Hoxha
Sot merr fund fushata që nisi ditën e gënjeshtrave. Deri atëherë gjërat ecnin normalisht, me një vëmendje të lehtë për atë që do të ndodhë nesër, por koalicioni PS-LSI, i shpallur në 1 prill, e ndryshoi dinamikën e ngjarjeve. Bashkimi i PS me një pjesë të qeverisë, ndërkohë që sipas vetë PS ajo ishte qenë pjesa më e korruptuar e qeverisë, e zhveshi opozitën nga superioriteti moral në raport me qeverinë. Ajo që mbetej në garë për t’u diskutuar ishte: për qeverinë bilanci i punëve, për opozitën premtimet. Megjithatë, PS u përqendrua më shumë të bënte fushatë negative, duke mohuar gjithçka që ka realizuar qeveria.
Puna e një qeverie nuk gjykohet nëse ka bërë në katër apo tetë vjet gjithçka që dëshirojnë qytetarët e saj ose opozita, por sa ka bërë nga e mundshmja për t’u bërë në kohën e dhënë, duke marrë parasysh burimet dhe rrethana të tjera. Veç kësaj, puna e saj nuk mund t’i shmanget krahasimit me qeveritë paraardhëse.
Puna e qeverisë ka disa drejtime. Në politikën e jashtme, gjatë qeverisjes së djathtë, në tetë vitet e fundit, Shqipëria ka dëshirën një shekull e gjysmë të lashtë të shqiptarëve. Vaso Pasha shkroi një libër për t’i treguar Evropës që shqiptarët janë një popull evropian. Naimi shkroi: “Dielli lind andej nga perëndon”. Samiu ishte më i drejtpërdrejtë, duke sugjeruar orientimin e politikës shqiptare nga Perëndimi. Të tre së bashku do ta gjenin mendimin e tyre të mëshiruar te anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në 2008.
Për rrugët është folur shumë gjatë kësaj fushate, nuk pëlqej të zgjatem se dhe mua më ka ardhur në majë të hundës, por duhet kujtuar kalimthi disa gjëra. Kur ishin në pushtet, socialistët vendosën një taksë – vetëm ndaj pronarëve të makinave, dhe me ato para do të ndërtohej rruga e kombit. Nuk e bënë kurrë, e kanë pranuar publikisht që paratë u përdorën për diçka tjetër (ndryshimi i destinacionit të fondeve është shkelje). Qeveria e zoti Berisha e bëri rrugën pa i rënduar qytetarët me taksa shtesë. Dy tunelet, i Kalimashit dhe Elbasanit, do të ngelen kryevepra në historinë e infrastrukturës shqiptare, pavarësisht gjykimit politik që iu bë nga opozita.
Për korrupsion qeveria që kërkon mandatin e tretë është akuzuar shumë, por s’duhet të harrojmë se në ç’nivele ishte korrupsioni në vitin 2005. Niveli ishte ky: anëtarët e qeverisë ia përmendnin publikisht njëri-tjetrit, përballë kamerave, nderet (disa milionëshe) që i kishin bërë njëri tjetrit, flisnin për pronën publike sikur të ishte pjesë e çifligut të tyre. Çfarë do të bëjë opozita, nëse vjen në qeveri, në lidhje me korrupsionin, mund të kujtojmë deklaratën e para disa muajve të një deputeti socialist, i cili do të jetë deputet dhe ndoshta ministër: “Ne nuk do të vjedhim kaq hapur sa këta (të djathtët).”
Një gjë shumë e prekshme nga qytetarët, secili mund ta verifikojë me kulturën e vet, është kostoja e ulur (rreth 75%) e telefonisë celulare. Çështja e dritave gjatë kësaj fushate nuk u diskutua, u përmendën HEC-et fare pak, por tashmë është harruar ndërprerja e dritave që na i nxinte jetën gjatë qeverisjes socialiste, dhe veç dritave, gjeneratorët në rrugët e qyteteve, që i përdornin lokalet, e çonin acarimin e qytetarëve në kufijtë e britmës.
Pagat e pensionet, që vërtetë janë rritur, prekin vetëm një numër të kufizuar njerëzish, sepse ata që janë sektorin privat nuk përfitojnë, por, përveç përfitimit që kanë pasur në këtë mes familjet e punonjësve të administratës dhe pensionistët, tregon dhe prirjen e qeverisë për përdorim të dobishëm të taksave. Sigurisht, qytetarët në sektorin privat kanë përfituar përmes politikave në bujqësi, ekonomi, dhe fusha të tjera.
Në arsim ka ndodhur një zhvillimi i konsiderueshëm. Bursat në universitet publike janë trefishuar, studimet universitare janë liberalizuar. Universitetet private, rrjedhojë e liberalizmit janë kritikuar (unë vetë jam shumë kritik ndaj tyre), por qeveria, përmes ligjeve, ofron mundësinë, jo edhe ekspertizën. Nëse universitet private kanë probleme, probleme janë të drejtuesit e tyre. Liberalizmi i universiteteve private është si puna e liberalizmit të partive politike në 1991. Themelore është liria dhe ajo, prej të cilës kemi përfituar të gjithë, na pëlqen apo jo ta pranojmë sot, në Shqipëri do të jetë për jetë e mot e lidhur me PD-në. Por edhe PD, në anën tjetër, është peng i lirisë: ajo nuk mund të sillet në kundërshtim me vlerën thelbësore të saj.
Gjatë fushatës, opozita ktheu në çështje dhe dy gjëra: moshën e Kryeministrit dhe faktin nëse mbante apo jo antiplumb ai. PS ka disa këshilltarë britanikë, të cilët, që në fillim kërkuan kaseta me veprimtarinë e Kryeministrit Berisha në të gjitha fushatat, që nga 1991. Pasi i panë, ata zbuluan që fushatat e tij ishin bërë gjithnjë e më dinamike, kishin ardhur në rritje, pavarësisht se i afrohej më shumë plakjes. Dhe kështu ata përcaktuan: epërsia e kundërshtarit është energjia e tij. Për ta sfumuar këtë element, opozita u mundua të krijonte imazhin e plakut, njeriut të lodhur, etj, por e bëri duke përdorur termin e gabuar, sepse gjysh është një fjalë e ngrohtë dhe pozitive. Me çështjen antiplumbit, opozita thjesht mundohej të angazhonte të vetët në fushatë, dhe të majtët, sidomos shqiptarët, vihen më lehtë në lëvizje po u stimulove instinktin vrasës. Këta njerëz dhe paraardhësit e tyre kanë shkruar faqen më të zezë në historinë e Shqipërisë, dhe udhëhiqen nga një njeri që në fund të hetimeve në lidhje me fotografinë e tij me Obamën, të bërë në mënyrë abuzive, mund t’i ndalohet hyrja në Amerikë. Atëherë, si do të bëjë politikë të jashtme një kryeministër i tillë. Si mund të ulet përkrah amerikanëve në NATO? Si mund të bashkëpunojë ai me aleatin e madh të shqiptarëve?
Për të gjitha këto arsye, s’besoj se të dielën votuesit do ta kenë të vështirë të bëjnë zgjedhjen më të mirë.