Prokuroria do ti kërkojë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme verifikimin e pronave dhe pasurive të oficerit Lushi. Gjithashtu do të kërkohet edhe nga bankat e nivelit të dytë, të zbardhen llogarit e tij bankare
Besar Bajraktaraj
Detaje të reja janë zbardhur ditën e djeshme lidhur me rastin e korrupsionit i cili dyshohet se është përfshirë dhe prokurori i Prokurorisë së Tiranës Ardian Braho. Kështu dje Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin pasuror për oficerin i cili është shpallur në kërkim që pas shfaqjes së video-skandalit në një prej emisioneve investigative. Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se prokurorët e çështjes, përveç hetimit të veprës penale lidhur me akuzën e korrupsionit, po kryejnë dhe verifikimin pasuror të shtetasit Fatos Lushi dhe të prestarëve të tij të familjes. Hetuesit e çështjes mësohet se do i kërkojnë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të evidentuar pronat dhe pasuritë e oficerit Lushi. Gjithashtu do të kërkohet edhe nga bankat e nivelit të dytë, të zbardhen llogarit e tij bankare dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes, siç po kërkohet edhe nga QKR për ndonjë biznes të regjistruar në emër të tij.
Gjithashtu burimet e policisë theksojnë se oficeri gjyqësor vazhdon të jetë në kërkim policor dhe pritët që javës tjetër me kërkesë të prokurorisë, gjykata e krimeve të rënda ti caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Kjo pasi dyshohet se me veprimet e tij, duke marr shumën prej 18 mijë eurove ka konsumuar veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas Kodit Penal, nëse gjykata e shpall fajtor oficerin Fatos Lushi për këtë vepër penale, ai rrezikon një dënim nga 6 muaj deri 3 vjet heqje lirie. Gjithashtu ditën e djeshme pranë prokurorëve të çështjes ka dëshmuar përsëri prokurori Ardian Braho. Ai është marrë në pyetje nën cilësinë e deklaruesit dhe jo të personit nën hetim pasi ende nuk ka ndonjë akuzë ndaj tij, përveç pezullimit nga detyra si prokuror. Edhe ditën e djeshme Braho ka deklaruar para prokurorëve s nuk kishte lidhje me shumën prej 18 mijë eurosh. Ai është justifikuar para prokurorëve arsyetimin se masën e sekuestros për shkak se nuk kishte gjetur rekorde kriminale të shtetasit shqiptar dhe kompanisë që kishte transferuar paratë. Mbrëmjen e së mërkurës, emisioni investigativ STOP ka transmetuar skandalin në prokurorinë shqiptare, ku një oficer kërkon dhe merr 18 mijë euro në emër të prokurorit të çështjes,për lirimin e një llogari bankare me shumën e 150 mijë eurove. Shumë kjo e bllokuar që në gusht të 2014 nga prokuroria, me dyshimin se kanë orgjinë kriminale. Lidhur me këtë rast të korrupsionit shtetasi Fatos Lushi është shpallur në kërkim që prej mbrëmjes së të mërkurës , pas shfaqjes së video-skandalit lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai dyshohet se është arratisur në drejtim të shtetit të Kosovës, ku dhe po strehohet pasi është shpallë në kërkim në Shqipëri.