Përparim Spahiu nga Dibra: Të analizohet koalicioni me PS, LSI forcë politike e denjë për udhëheqëse

0
315
Deputeti i LSI, Përparim Spahiu, që kandidon për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, hapi sot fushatën e tij elektorale në Peshkopi, ku edhe është zgjedhur deputet i Dibrës. Në fjalën e tij, Spahiu tregon hapur pakënaqësinë  bashkëqeverisjes me Partinë Socialiste.
Deputeti Spahiu abstenoi më datën 21 shtator për të votuar ligjin e Importimit të Mbetjeve dhe mori pjesë krejt i vetëm nga deputetët e tjerë të LSI-së në protestën e organizuar nga shoqëria civile kundër këtij ligji famëkeq.
Ja fjala e deputetit Spahiu:
LSI është një lëvizje politike që parapëlqen të dëgjojë dhe të zgjidhë hallet tuaja, më shumë se sa të flasë me fjalë të mëdha.
Sepse neve, nuk na pëlqejnë shumë fjalët, që mbeten vetëm fjalë dhe që shpesh herë janë fjalë boshe dhe premtime të pambajtura.
Ne jemi një Lëvizje politike, që dëgjon shumë dhe flet pak, që mban shënim dhe zgjidh halle, që lufton për më shumë punë te ndershme dhe për zgjidhje të qëndrueshme për Dibrën tonë, dhe prandaj mendoj se LSI, duhet të jetë e Para!
Lëvizja Socialiste për Integrim e Para, për këtë kam kandiduar dhe për këtë kërkoj votën tuaj!
Sepse jeni lodhur dhe jeni rraskapitur të dashur vëllezër dhe motra, duke dëgjuar përralla dhe vetëm përralla, që thirren ndryshe në gjuhën politike, retorikë boshe!
Ndërsa Lsi, është një forcë politike e njeriut për njeriun, prandaj dhe ne shpesh e thërrasim njeri tjetrin në partinë tonë, “si je vlla?!”, apo “çfarë të bëj për ty vlla?!”
Dhe kjo na pëlqen, dhe shprehjen tonë: “Çfarë mund të bëj për ty vlla!” duam dhe duhet ta shndërrojmë në mënyrë të re, të të bërit politikë.
Si një forcë politike lider në Shqipëri, pra Lsi, e Para!
– Si kandidat për të kryesuar LSI, do të kërkoj që të hapet një diskutim në brendësi të partisë sonë, mbi bilancin e qeverisjes 3-vjeçare me Partinë Socialiste. Ku të peshohen anët pozitive, por edhe anët negative të kësaj bashkëqeverisjeje. Të vihen në peshore dhe në filtrin e analizës, çfarë u ka sjellë kjo bashkëqeverisje shqiptarëve dhe sa e favorshme ka qenë për interesin e elektoratit të LSI.
– Sepse unë mendoj, që LSI, e ka mbërritur tashmë pjekurinë e vet politike dhe i ka dhënë me të tepërt provat e veta, për të fituar një pozicion të ri, në politikën shqiptare. Një rol të mirëfilltë udhëheqës në nivel kombëtar.