Biznesi përshëndet efektin pozitiv të uljes së normës së bonove qeveritare

0
160

ekonomiaErvin Kaduku

 

Konfindustria vlerëson si një tregues të qartë pozitiv për kahjen e zhvillimit të ekonomisë shqiptare uljen e ndjeshme të normës së interesit për bonot e thesarit në gjysmën e dytë të vitit 2013. Në ankandin e fundit të zhvilluar, bonot e thesarit me maturim 1-vjeçar u tregtuan me vlerën më të ulët historike prej 5.78%, duke shënuar rënie prej afro 1 % në një periudhë kohore prej 12-mujore.

Konfindustria vlerëson se ulja e qëndrueshme e normës së interesit për bonot qeveritare të thesarit si pasojë e rritjes së gatishmërisë të bankave, që përbëjnë edhe pjesën kryesore të investitorëve, por edhe subjekteve të tjera dhe individëve, është shenjë e besimit në pritshmëritë ekonomike të vendit dhe në aftësitë paguese të shtetit shqiptar. Për më shumë duhet theksuar se në masën pothuaj 100%, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë pjesë e bankave të mëdha të vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, që gjatë gjithë kohës së krizës globale në strategjitë e tyre kanë qenë tepër të kursyera në financimin e borxhit publik të qeverive.

Konfindustria arsyeton se pritshmëritë pozitive të institucioneve, subjekteve dhe individëve, që financojnë në letrat me vlerë të shtetit shqiptar lidhen me disa ndryshime të rëndësishme strukturore, që janë në proces në ekonominë kombëtare:

-Qëndrueshmëria relative e ekonomisë shqiptare ndaj krizës globale shprehur në mënjanimin e recesionit teorik,

-pritshmëritë e përfitimeve nga zbatimi i projekteve të mëdha si p.sh projekti strategjik TAP i përçimit nga territori tokësor dhe detar i Shqipërisë drejt Italisë i gazit azer,

-projektet e kompanive me rëndësi botërore në fushën e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC, ku përmendim Stacraft/Norvegji etj., në fushën e zbulimit të rezervave të naftës si projekti i Shell-Petromanas,

-kërkesat në rritje të biznesit të huaj për investime në Shqipëri, janë disa nga shkaqet, që shpjegojnë besimin në rritje për të financuar borxhin publik te vendit.