Rama, Shalsi dhe Braçe reagojnë pas kthimit të ligjit të plehrave: Nuk prisnim të kundërtën

0
200

Pas dekretit të Presidentit Nishani për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të importit të plehrave, menjëherë ka reaguar kryeministri Edi Rama. Nga forumi ekonomik ku po merr pjesë në Serbi, Rama tha se nuk priste të kundërtën nga Nishani. Kryeministri është mjaftuar me një fjali të shkurtër. “Nuk prisja të kundërtën”, tha ai pas pyetjes që i bënë gazetarët duke lënë të kuptohet që e priste prej kohësh rikthimin e ligjit në Parlament nga Bujar Nishani. Gjithashtu vendimi i Presidentit nuk ka kaluar pa një koment edhe nga kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dhe një nga deputetët që inicioi rikthimin e ligjit për importimin e plehrave. Eduard Shalsi me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se nuk ishte surprizuar nga vendimi i Presidentit. Shalsi tha se Nishani tregoi edhe një herë se është besnik i Partisë Demokratike. “Nuk surprizoi dhe për asnjë moment nuk pata kurrfarë dyshimi në qëndrimin e tij. Konseguent në besnikërinë e tij të verbër politike!”, komentoi Shalsi.

Ndërkohë edhe Erion Braçe, ndonëse nuk e ka votuar ligjin e mbetjeve, reagoi ashpër ndaj dekretit të Nishanit. Nëpërmjet rrjeteve sociale, Braçe tha se Nishani kishte vepruar me dy standarde pasi thuajse të njëjtin ligj e kishte dekretuar në vitin 2013. “Presidenti Nishani ka kthyer pas në Kuvend ndryshimin e fundit bërë në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, duke u bërë “nishani” i bujshëm i kauzës “ekologjike”. Prej vitit 2003, vit kur nisi të flitet e merret vendim për këtë çështje dhe, deri në dekretin me datën e sotme, kam parë shumë prej këtyre, njërin që vendoste dhe te tjerët që votonin siç donte ai, gjithnjë për importin e pakufi të mbetjeve dhe për qëllime djegie në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sot njëri ndër këta u vetbë hero, thjesht, vetëm se pse bëri me leje atë që nuk e lanë ta bënte 5 vite më parë, kur tha “dakord” dhe votoi “pro” ligjin për importin e pakufi, në sasi dhe qellim, të mbetjeve”, shkruan Braçe në Facebook.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here