Një sasi prej 1.3 ton drogë e llojit kanabis sativa është sekuestruar nga policia në zonën e Krujës, duke arrestuar në flagrancë 11 persona.
Lajmi i publikuar fillimisht mbrëmjen e shkuar, ku u tha se janë sekuestruar 1 ton, konfirmohet zyrtarisht nga Policia e Durrësit, duke sqaruar se janë sekuestruar 1.3 ton.
Operacioni u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit duke sekuestruar një nga sasitë më të mëdha të drogës muajt e fundit.
Magazinat – Baza e lëndës narkotike ishte në fshatin Derven të Krujës, e sistemuar në dy ambiente të posaçme për tharjen e lëndës narkotike.
“Ambientet ishin një magazinë dhe një banesë e pabanuar, në brendësi të të cilave u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharje dhe një pjesë e përgatitur për shitje”, sqaron policia.
Arrestimet – Policia thotë se ka arrestuar në flagrancë 11 persona, për të cilët nuk sqaron se çfarë roli kishin në këtë proces, ishin punëtorë apo kultivues.
Të arrestuarit janë:
-Erjon Vathi, 27 vjeç, banues në Derven, Krujë;
-Ferit Sula 45 vjeç lindur në Burrel;
-Ali Kuçi 19 vjeç, banues në Milot;
-E.N. 16 vjeç, banues në Derven, Krujë;
-Besmir Vathi 18 vjeç, banues në Derven, Krujë;
-Erald Bardhoku 29 vjeç, banues në Derven Krujë;
-Kujtim (Valentin) Rexhepi (Smykalova)48 vjeç, banues në Fushë- Krujë;
-Gazmir Gjokea 29 vjeç, banues në Derven Krujë;
-Nilson Gega 26 vjeç, banues në Derven, Krujë;
-Gjovalin Gjokea 47 vjeç, banues në Derven, Krujë;
-Aurel Gjokeja 22 vjeç, banues në Derven, Krujë.
Armët e sekuestruara- Përveç sasisë të madhe të drogës, policia ka sekuestruar edhe armë. Gjatë aksionit, janë gjetur 2 armë zjarri pistoletë, tip Makarovë, 1 armë zjarri tip TT; 2 armë zjarri automatik; 130 fishekë automatiku dhe 11 pistolete.
Makinat e sekuestruara – Policia sqaron gjithashtu se ka sekuestruar edhe automjete të ndryshme që nga makinat e deri tek kamionçinat. Më konkretisht, është sekuestruar një makinë luksoze Audi – Q , një kamionçinë, një furgon, një mjet tip Sharon, një makinë Ford Fokus, një autoveturë tip BMW, telefona celularë.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.