Çdokujt i ka rastisur të udhëtojë me urbanet e Tiranës e po çdokush ka vënë re dhe shumë probleme që shoqërojnë gjatë ditës këtë transport. Mbipopullimi, vjedhjet, era e rëndë për shkak të mosajrimit, vonesat në orare etj, janë vetëm disa prej shqetësimeve me të cilat qytetarët përballen çdo ditë në autobusët e linjave urbane.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës nuk duket të jetë aspak e shqetësuar mbi këtë realitet që duhet të përjetojnë qytetarët e kryeqytetit, të cilëve iu duhet të shtyhen e të shtypen si sardele nëpër urbane të linjave të ndryshme. Linjat kryesore ku shfaqen probleme të tejskajshme të pasagjerëve janë Unaza.
Sot, tek stacioni i “Piramidës” të paktën për 40 minuta nuk ka ndaluar asnjë nga autobuzët e kësaj linje, kjo për faktin se nuk kishin hapësira për tu futur pasagjerë të tjerë.
Të irrituar qytetarët e tjerë të cilët kishin minuta të tëra që prisnin në stacion i kanë dalë para autobusit për ta ndalur, por kjo ishte një mundim i kotë.
“Siç e shihni nga këto foto njëri nga qytetarët ka kaluar nga ana e shoferit dhe i kërkon të hapë krahun për të hipur njerëzit por përgjigja arrogante e shoferit është: “ Nuk ma do tr*** të ndaloj”- shkruan në mesazhin e tij një nga qytetarët i cili ka dërguar fotot në adresë të gazetës tonë “Standard.al”
Vlen për tu theksuar se pak kohë më parë bileta e shërbimit urban u rrit me 10 lek më shumë dhe u premtua nga kryetari i bashkisë Erjon Veliaj se do të shtoheshin autobuzë të tjerë, por kjo mbetet ende nën petkun e premtimeve./Standard.al/