Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E diela Shqiptare”, vjen rasti i Eneas, një adoleshent që pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi, por është në një luftë të ftohtë me mamanë e tij, pasi ajo i kërkon të heqë dorë nga shumë gjëra, të mos angazhohet me partitë politike, por i kërkon që të gjej një të dashur, ndoshta për ta hutuar nga dëshirat që Enea ka.
Prindërit e mi Ardit, kanë gati shtatë vite të ndarë. Babai pinte, luante lloto, merrte para borxh dhe të gjithë borxhlinjtë më vinin mua. Më vinte turp që të dilja në rrugë, kjo ishte edhe një nga arsyet që unë nuk doja të kisha shokë. Më mungonte deri në një farë moshe, por kur mora vesh që u martua më një tjetër dhe nuk i interesonim më fare, unë e fshiva nga kujtesa ime. Ai na keqtrajtonte, na rrihte edhe mua edhe mamin.
Po me mamin pse nuk shkon mirë?
Kemi mosmarrëveshje me mamin, pasi unë jam pjesë e një forumi politik dhe kam dëshirë që të angazhohem, por ajo nuk më lejon. Unë kam shumë dëshirë që të dal nëpër protesta, ku si qytetar kam të drejtat e mia për të protestuar. Ajo gjithashtu nuk më lejon që të kem edhe kafshë shtëpiake në shtëpi. Unë tani kam filluar të mbaj zogj në kafaze, por as ato nuk i duron dot, pasi bëjnë shumë pis.
A bën ti rrëmujë në shtëpi?
Po bëj shumë rrëmujë.
Tani mami, çfarë të thotë?
Më thotë që të gjej një shoqe, madje më ngacmon shumë për këtë pjesë.
Po ti?
Unë i them që jam akoma i vogël, por do ta gjej edhe unë një.
Enea në pamundësi për ta gjetur shoqen vetë, ia ka gjetur stafi “E Diela Shqiptare”, për t’i treguar mamasë së tij që ai më në fund e gjeti një shoqe. Linda është aktorja që u hoq si e dashura e Eneas, por e transformuar në një formë të frikshme. Ardit Gjebrea së bashku me Enean dhe Lindën ishin në një mision gjatë gjithë programit.
Në momentin që Juliana mamaja e Eneas, u largua nga shtëpia, stafi u kujdes që një pjesë e orendive të ishin të pranishme në “E Diela Shqiptare”. Juliana kishte në sy një fashë që nuk e lejonte të shihte dhe kur hapi sytë pa një pjesë të mirë të orendive të shtëpisë.
“Ky është ambienti i shtëpisë sime. Më paskeni boshatisur shtëpinë”, u shpreh ajo.
Kush mendon se mund të jetë nga ana tjetër?
Mendoj se djali i vogël Klevisi me 97 përqind, 1 përqind mendoj djali i madh Enea.
Por nga ana tjetër e monitorit u shfaq vajza me një pamje të pazakontë. Juliana dukej shumë e shqetësuar në fytyrë e nuk po i besonte syve nga pamja që kishte në monitor dhe mendoi se çdo gjë ishte një lojë. Por vajza kishte një mesazh për të:
“Mami, je shumë e bukur, jam shumë e emocionuar. Doja ta bëja publik prezantimin tonë. Unë jam Mia, dashuria e dashurisë tënde, Eneas. Ti qenke shumë e mirë mami, Enea të ngjan ty. Kam ardhur këtu të të falënderoj, që ke rritur një djalë kaq të mirë si Enea. Ai më ka treguar gjithçka për ty, për sakrificat e tua, për lodhjen e madhe që ke pasur gjatë këtyre viteve për të rritur të dy djemtë. Unë kam njohur shumë djem, por si Enea jo. Ne kemi njëzet ditë që jemi njohur në Facebook dhe jemi shumë të lumtur. Unë do përpiqem që ai të bëhet më i bindur për ty. Do përpiqem që të kujdesem edhe për Enean me mësime edhe pse vetë unë jam djegur në shkollë, pasi nuk kam përfunduar as ciklin 9 – vjeçar. Edhe kanarinat nuk do t’i kesh më në shtëpi, kemi rënë dakord me Enean, për të sjellë një çift gjarpërinjsh. Edhe e fundit, Enea nuk do të shkoj më në protestat e Partisë Demokratike, por do të vij me mua në protestat e partisë Socialiste, pasi unë bëj pjesë aty.”
Por nga i gjithë ky mesazh që mamaja e Eneas mori nga “e dashura”, mbeti pa fjalë. Ndërkohë Enea i tha që më në fund e gjeti dashurinë e tij dhe dëshira e së ëmës u plotësua.
Por çfarë mendon mami për shoqen e Eneas?
Juliana thotë “No comment” dhe është tepër e përhumbur. Ajo uron shumë që e gjitha të jetë një shaka.
“Mami ne kemi kaq vite që bëjmë luftë me njëri- tjetrin. Sot kam ardhur që të të propozoj një armëpushim, pasi kjo gjë është bërë e padurueshme. Unë do të përpiqem aq sa duhet bashkë me Mian. Nga ty nuk dua që të më pengosh në dëshirat e mia. Dua që në shtëpi të kthehet ajo qetësi sikurse ka qenë, kur unë isha i vogël. Ti bën shumë sakrifica për ne, por ne jo aq shumë, por do të përpiqem që të filloj një punë dhe të ecim të gjithë bashkë përpara.”
“Unë dua që ti të bëhesh një djalë i mirë dhe të jesh dikush në jetë. Unë do vazhdoj dhe ju jam përkushtuar vetëm juve të dyve, së bashku edhe me gjyshërit.”
“Po Mian e pranon në shtëpi“?
“Nuk di çfarë të them! Kjo punë duhet të diskutohet”.
Por në fakt kjo ishte e gjitha një shaka, pasi Enea dëshironte t’i bënte një surprizë mamasë së tij, për ta ndarë me të gjithë, dashurinë që ai ka për nënën e tij dhe të mos e shohë më me lot në sy. Ajo është motivi i jetës për Enean./ TV KLAN