Fituesi i Kupës së Botës me Brazilin ka pranuar se nuk ishte koha për një ndryshim të trajnerit të ekipit kombëtar, ndërkohë që shtoi se Nejmari ka nevojë për lojtarë me përvojë rreth tij në kombëtare. Mano Menezes u shkarkua muajin e kaluar nga stoli drejtues i “Selecaos”, për t’u zëvendësuar nga Luiz Felipe Skolari. Andres Sancez pastaj dha dorëheqjen në shenjë proteste, ndërkohë që Zagallo jep mendimin e tij në këtë debat, duke e konsideruar gabim veprimin e Federatës Braziliane të Futbollit. “Më pëlqen Skolari, si një mik, ai do të punojë me Karlos Alberto Perreiran, kështu që kam besim në punën e tyre, e cila do të jetë patjetër e mirë, – u tha gazetarëve Zagallo, – por kjo nuk ishte koha e duhur që të shkarkohej Mano Menezes. Gjërat po shkonin mirë, të gjithë brazilianët ndiheshin në të njëjtën mënyrë. Kjo është përgjegjësi e federatës dhe e atyre që e morën atë vendim. Për mua kjo nuk ishte koha e duhur”.
Zagallo, i cili fitoi Kupën e Botës me “Selecao” si trajner në vitin 1994, tha gjithashtu se sulmuesi i Santosit, Nejmari, është një futbollist i talentuar, por ka nevojë për lojtarë me përvojë rreth tij, nëse Brazili do të ketë mbarësi në Kupën e Botës 2014. “Nejmari është një lojtar i madh, por është i ri, vetëm 19-vjeçar. Atij i mungon përvoja e duhur në një kompeticion kaq madhor sa Kupa e Botës, ndaj ka nevojë për dikë pranë tij. Nejmari ende ka nevojë për të mësuar”.