“Ne jemi të bindur se nëpërmjet presionit të studentëve dhe pedagogëve të organizuar rreth Lëvizjes Për Universitetin, por jo vetëm, do arrijmë ta ndalim këtë reformë”
Intervistoi: Anesti Barjamemaj
Lëvizja “Për Universitetin”, ka qenë që në fillimet e ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri një nga kundërshtarët më të mëdhenj. Redi Muçi, pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe aktivist i Lëvizjes Për Universitetin ka shpjeguar disa nga mangësitë e këtij ligji. Sipas tij kjo reformë ka shkatërruar universitetet, ai thotë se shembulli i funksionimit të çdo fakulteti apo universiteti në vend nuk do jetë Oksfordi apo Harvardi, por universitetet private që operojnë në vend dhe për hir të funksionit që kryejnë ai quan “diplomore private”. Sipas tij Ligji i arsimit të lartë dhe procesi i regjistrimit janë të ndarë formalisht nga njëri-tjetri, dhe procesi i procesi i regjistrimit në universitete nuk përcaktohet në ligj. Pedagogu Redi Muçi deklaroi se Lëvizja për Universitetin po tenton të shtrihet në të gjitha fakultetet e vendin dhe të përfshijnë në kauzën e tyre sa më shumë studentë dhe pedagogë. Ai tha se: “Për aq kohë sa në universitetet publike do ketë shkelje të të drejtave themelore të çdo studenti, qofshin këto për hir të ligjit të ri apo atij të vjetër, do të ekzistojë edhe Lëvizja Për Universitetin.”
Reforma e arsimit të lartë sipas lëvizjes “Për Universitetin” prek interesat e studentëve. Çfarë kërkoni të ndryshoni ju nga kjo reformë, doni anulimin e plotë të saj apo rregullim pjesor?
Ne si lëvizje studentësh dhe pedagogësh kundërshtojmë parimet e shpallura mbi të cilat bazohet reforma. Pra se shteti nuk mund të garantojë të ardhurat për institucionet e arsimit publik dhe se institucioni i dijes do të menaxhohet si një ndërmarrje komerciale me në bazë konkurrencën. Nga këto parime rrjedhin pasojat e mëposhtme: se çdo fakultet do duhet t’i sigurojë të ardhurat nga tarifat e studimit që dalin nga xhepat e klientelës studentore; se pjesë integrale e procesit do jenë kreditë ose borxhet studentore; se studentët do përjashtohen nga procesi i zgjedhjes së drejtuesve në universitet; se një pjesë e fondeve publike do t’u shkojë pronarëve të universiteteve private; se në themel të marrëdhënies mes universiteteve, fakulteteve, departamenteve dhe madje vetë studentëve nuk do qëndrojë bashkëpunimi apo agonizmi studimor, por konkurrenca ekonomike; se vendimet financiare do t’i marrë një trupë burokrato-partiake brenda universitetit; se çdo fakultet do jetë përgjegjës për mënyrën sesi i siguron të ardhurat, pra se deri në ç’shkallë do tregtarizohet, dhe se nëse nuk ia del të mbijetojë në treg atëherë mund të shpallë edhe falimentin.
Përkundrazi ne mendojmë se çdo institucion publik që kryen një funksion të caktuar social nuk mund të lejohet të falimentojë. Ai duhet të ofrojë cilësi, dhe kur kjo cilësi mungon atëherë duhet që drejtuesit e tij të mbajnë përgjegjësi, por kurrsesi të lihet të shkojë drejt falimentit. Këtu e kam veçanërisht fjalën për degë apo fakultete të cilat jo detyrimisht kanë kërkesë të lartë ndër studentë, si për shembull shkencat humane, albanologjia, gjeologjia, deri diku edhe artet, por që padyshim mirëfunksionimi i tyre është domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Mënyra sesi këto parime u shpallën ishte krejt arbitrare dhe ilegjitime, për dy arsye. Në radhë të parë sepse në komisionin që hartoi reformën merrnin pjesë përfaqësues të universiteteve fitimprurëse private, përfitimi financiar i punëdhënësve të të cilëve varet drejtpërdrejt nga ligji që u hartua, çka për ne përbën një konflikt flagrant interesi. Në radhë të dytë sepse pedagogët nga universitet publike që morën pjesë në komision përfaqësonin aty vetëm opinionine tyre personal dhe aspak opinionin e trupës së gjerë pedagogjike dhe studentore. Kjo pasi në asnjë moment nuk u ndërmor një fushatë diskutimi paraprak brenda universitetit, ku do mund të vendoseshin edhe parimet mbi të cilat do themelohej reforma, por u hartua një draft-reformë me parime të paravendosura, tek e cila më pas na u kërkua të zhvendosnim ndonjë presje. Prandaj nga ky aspekt, do thosha se reforma në tërësinë e vet është tepër problematike. Mund të gjenden aty-këtu edhe aspekte pozitive, si kalimi i vendimmarrjes në njësinë bazë të departamentit apo krijimi i Asamblesë së Pedagogëve që do zëvendësojë Këshillin e Fakultetit, por këto janë aspekte dytësore dhe të jo fort të rëndësishme, që madje fare mirë mund të inkorporoheshin në një reformë të bazuar mbi të tjera parime. Pra sipas kësaj reforme në këndvështrimin tonë, shembulli i funksionimit të çdo fakulteti apo universiteti në vend nuk do jetë Oksfordi apo Harvardi, por universitetet private që operojnë në vend dhe që ne, për hir të funksionit që kryejnë i kemi quajtur ‘diplomore private’.
Flitet shumë që ky ligj nuk duhet të miratohej dhe është kundër studentëve. A mund të na i rendisni me pika se çfarë ju kundërshtoni dhe çfarë e bën këtë ligj jo në favor të studentëve?
Këtu mund të përmenden shumë pika, por po përqendrohem te më kryesoret. Në radhë të parë ne mendojmë se pasoja më e rëndësishme do jetë rritja substanciale e tarifës së shkollimit, çka është e papërballueshme për familjet shqiptare edhe sot që s’ka hyrë tërësisht në fuqi reforma.
Së dyti, është zgjidhja që ofron reforma për këtë rritje: kreditë studentore. Borxhi i akumuluar studentor në vende si SHBA-ja dhe Anglia përbën një ndër problemet kryesore të këtyre shoqërive, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga theksi që është vënë mbi to gjatë fushatave elektorale në këto vende. Problem ka qenë jo vetëm akumulimi dhe pamundësia për ta shlyer këtë borxh nga të diplomuarit që dalin në punë – kjo gjerësisht për shkak të krizës ekonomike që prej 2008-s – por edhe fakti se nevoja për ta shlyer medoemos borxhin ka bërë që shfrytëzimi në punë i kësaj shtrese punëtorësh të rinj të jetë alarmante. Me mundësitë që ofron tregu shqiptar i punësimit, ne parashikojmë se situata do bëhet shkatërrimtare. Një tjetër pasojë e kësaj reforme, siç e përmenda më lart, është përjashtimi i studentëve nga vendimmarrja. Kjo nuk na lë të habitur kur në ideologjinë e reformës studentët konsiderohen si klientë, jo bashkëthemelues të universitetit zëri i të cilëve duhet të dëgjohet. Një aspekt i fundit është tregtarizimi i marrëdhënieve institucion-student. Me rritjen e tarifave të studimit për shkak të konkurrencës në treg dhe për shkak të nevojës për mbijetesë, bëhet gjithmonë e më e vështirë ndërprerja e studimeve për ata studentë që nuk e meritojnë notën kaluese. Për dy arsye: e para pasi sakrifica familjare që shumica e tyre do detyrohen të bëjnë e bën të vështirë një vendim të tillë nga ana e pedagogut dhe e dyta sepse institucioni varet financiarisht nga tarifa e studentit.
Në fillim keni qeni për kundër reformës, pasi keni deklaruar se i hapet rrugë fondeve publike për të shkuar te privati. Më vonë keni qenë kundër procesit të përzgjedhjes sëstudenteve në universitete. Ku mendoni se çalon më shumë ligji për Arsimimin e lartë?
Ligji i arsimit të lartë dhe procesi i regjistrimit janë të ndarë formalisht nga njëri-tjetri. Pra ky proces regjistrimi nuk përcaktohet në ligj. Megjithatë, pika në të cilën të dyja këto nisma të qeverisë konvergojnë është avantazhimi dhe përfitimi i universiteteve private. Sa i përket procesit të regjistrimit, gara mes fakulteteve të universiteteve publike dhe atyre private ishte e padrejtë, pasi te universitetet publike ekzistonte renditja e aplikantëve në bazë të mesatares së gjimnazit, ose vija e kuqe siç u quajt, ndërsa te ato private jo. Nga bllokimi që iu bë sistemit të regjistrimit nga aplikantët me mesatare më të lartë, frika dhe ankthi i krijuar te maturantët i shtyu shumë prej tyre të regjistrohen në universitetet private te të cilët figuronin vazhdimisht si fitues (sepse s’kishte vijë të kuqe), ndërkohë që degët e publikut të shfaqeshin si të bllokuara, megjithëse në përfundim të procesit vendet nëpër fakultetet publike janë ende të lira. Nuk është për t’u çuditur, rrjedhimisht, se si reformën në arsimin e lartë, ashtu edhe procesin e regjistrimeve e kanë mbështetur fuqimisht pronarët dhe punonjësit e universiteteve private.
Protestat e “Lëvizjes për Universitetin” kanë qenë të shumta si para ashtu edhe pas miratimit të ligjit. Reforma tani ka kaluar dhe ka filluar implementimi i saj dhe ka pak gjasa (ose fare), për të ndryshuar diçka. Sa besoni që do arrini me protestat tuaja?
Ne jemi të bindur se nëpërmjet presionit të studentëve dhe pedagogëve të organizuar rreth Lëvizjes Për Universitetin, por jo vetëm, do arrijmëta ndalim këtë reformë, ose të paktën implementimin e aspekteve thelbësore të saj. Kjo bindje na buron nga qëndrimi që kanë mbajtur shumë studentë dhe pedagogë gjatë protestave të zhvilluara para miratimit të ligjit, ku na janë bashkuar me mijëra.Por sidomos nga vetëdija se ky reagim ka ardhur ende pa u ndjerë pasojat shkatërrimtare të kësaj reforme. Një sinjal i qëllimeve të qeverisë lidhur me arsimin ishte procesi i regjistrimeve. Por shumë pasoja nga ato që fola më lart pritet të ndjehen në të ardhmen e afërt. Rrjedhimisht ne mendojmë se në rrugëtimin tonë do kemi jo vetëm mbështetjen e masës studentore dhe pedagogjike, por edhe mbështetjen e opinionit publik dhe të gjithë atyre familjarëve që do t’i ndjejnë mbi vete këto pasoja. Kauza për të cilën jemi angazhuar është e drejtë dhe kjo është arsye e mjaftueshme për t’u përfshirë në të.
Ditët e fundit Reforma në Arsimin e Lartë është bërë pjesë e debateve në opinionin publik, kjo ndodhi edhe për shkak të gjestit revoltues të kryer nga një aktiviste e “Lëvizjes për Universitetin”. Protesta ndaj ministres është bërë enkas për të rikthyer këtë çështje në vëmendje apo është një vazhdim i protestave të mëparshme?
Akti i kryer mbi ministren Nikolla është një gjest simbolik që shpreh mllefin e paartikuluar si duhet të qindra e mijëra maturantëve që iu nënshtruan procesit të regjistrimeve. Është një akt që nxjerr në pah funksionarin e shtetit që mbart mbi vete përgjegjësinë ndaj situatës së krijuar, megjithëse procesi propagandohet si një ndër arritjete qeverisë. Ky akt sigurisht hyn në vazhdën e gjithë rezistencës së deritanishme nga Lëvizja Për Universitetin, ku mund të përmend protestat e shumta, bllokimet e hyrjeve nëpër fakultete, peticionete panumërta, ftesat për ballafaqim publik të argumenteve e të tjera si këto. Ky është një akt që i përgjigjet arrogancës dhe indiferencës me të cilën e ka trajtuar qeveria gjithë kundërshtinë studentore. Është një akt i guximshëm për vendin tonë, që hap rrugën për shembjen e murit të shurdhët të propagandës që ka ngritur qeveria edhe në fusha të tjera të vendimmarrjes dhekomunikimit me publikun. Padyshim që ai e rikthen në vëmendjen e publikut dëmin e vazhdueshëm që po i bëhet arsimit shqiptar, por jo vetëm kaq. Ai është edhe një zotim me anë të të cilit në shprehim vullnetin tonë për t’i shkuar deri në fund rezistencës që kemi ngritur, me të gjitha mjetet që përcakton ligji.
Lëvizja në të cilën ju bëni pjesë ka deklaruar se protestat do të përshkallëzohen. Çfarë duhet të presim në ditët në vijim?
Ne po tentojmë të shtrihemi në të gjitha fakultetet e vendin dhe të përfshijmë në kauzën tonë sa më shumë studentë dhe pedagogë. Nga vizitat nëpër fakultete të ndryshme të vendit kemi kuptuar se problematikat që nxjerr ligji i ri në arsimin e lartë janë specifike për çdo fakultet dhe lokalitet. Për shembull, problemet e Fakultetit të Mjekësisë nuk janë të njëjta me ato të Bujqësorit, apo problemet e universiteteve publike në Tiranë me ato të rretheve. Për rrjedhojë ne kemi për qëllim që angazhimin dhe format e rezistencës t’ua lëmë në dorë ideve krijuese të gjithsecilit që identifikohet me kauzën tonë dhe me parimet që ne kemi shprehur në Manifestin e Lëvizjes Për Universitetin. Dhe jo vetëm sa i përket kundërshtimit të ligjit në arsim, por edhe gjithë parregullsive dhe padrejtësive që ndodhin brenda institucioneve publike të arsimit të lartë. Sigurisht që ne do t’i përkrahim dhe mbështesim në organizim e në logjistikë me sa të kemi mundësi, por iniciativa do jetë e tyre. Synojmë gjithashtu ndërgjegjësimin dhe aktivizimin e sa më shumë studentëve që simpatizojnë Lëvizjen, por që hezitojnë të na afrohen për t’u bërë pjesë aktive e saj. Për aq kohë sa në universitetet publike do ketë shkelje të të drejtave themelore të çdo studenti, qofshin këto për hir të ligjit të ri apo atij të vjetër, do të ekzistojë edhe Lëvizja Për Universitetin.