Fullani ul normën e interesit, tepër vonë për t’u pasqyruar nga bankat

0
231

Ervin Kaduku

 – Vonesat nga ana e guvernatorit kanë bërë që të gjejë një pasqyrim të flashkët edhe vendimi i shumëpritur nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të ulur normën e interesit, në terrenin real të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë

 

banka-e-shqiperise-2Banka e Shqipërisë ka ulur dje edhe një herë normën bazë të interesit, në një tjetër nivel minimum historik, prej 3.5 përqindësh. Lajmin e ka bërë të ditur, në një konferencë për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas tij, kushtet janë për lehtësim të politikës monetare, duke pasur parasysh se kërkesa agregate pritet të rritet. Ndërkohë që Fullani ka shtuar që pritet një politikë fiskale e përmbajtur në gjysmën e dytë të vitit, duke korrektuar financat publike.

Fullani ka bërë më tej një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike. Muajt e parë të 2013 kanë konfirmuar vlerësimet për rritje të ngadaltë të ekonomisë dhe presione të ulëta inflacioniste. Kërkesa e dobët reflekton pasigurinë e agjentëve ekonomikë, kushtet e shtrënguara të financimit dhe dobësinë e partnerëve kryesorë.

Politika e BSH-së

Ajo që mund të thuhet në këtë rast është se guvernatori ka qenë gjithnjë në bisht të situatës, duke mbajtur qëndrime të pajustifikueshme pritëse, ndërkohë që shenjat kanë qenë bindëse për këdo që ka një kulturë normale ekonomiko-financiare. Këto shenja kanë qenë inflacioni vazhdimisht i ulët, që fliste për mungesë rreziku në rast të uljes së normës bazë, si dhe rënia e aktivitetit kreditues nga ana e bankave. Fullani duhej të kishte vepruar, sikurse shumë ekspertë të financave këshilluan vite më parë, më me shpejtësi dhe më me vendosmëri, duke ulur shumë kohë më parë normën e interesit. Vonesat nga ana e tij kanë bërë që të gjejë një pasqyrim të flashkët edhe vendimi i shumëpritur nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të ulur normën e interesit, në terrenin real të kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë. Kjo vonesë, ndërkohë që bankat përballeshin me një fenomen shumë negativ në rritje, atë të shtimit të kredisë së keqe, nuk sollën gjë tjetër veçse rënien në një vesh të shurdhër të kësaj mase shumë të rëndësishme.

Efektet

Banka e Shqipërisë ka filluar një politikë intensive lehtësuese që nga vera e vitit 2011, për të nxitur ekonominë dhe kreditimin, që në atë kohë kishte filluar të jepte shenjat e para të ngadalësimit. Nga 5.25% në verë 2011, norma bazë është ulur shtatë herë rresht përgjatë 2 viteve.

Megjithatë, kjo politikë lehtësuese, përmes së cilës institucioni monetar qendrore synon që të ulë koston e lekut në ekonomi, duke nxitur kredidhënien, nuk ka dhënë pothuajse asnjë efekt në nxitjen e kreditimit të ekonomisë, që dy vitet e fundit ka shënuar ritmet më të ulëta të dekadës. Në 2012-n ritmet e rritjes vjetore të kredisë ishin vetëm 2%, ndërsa në 6 muajt e parë të 2013-s huadhënia është zgjeruar vetëm me 0.8% me bazë vjetore, sipas të dhënave të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë. Edhe normat e interesit të huasë në lekë kanë reaguar tepër ngadalë, duke zbritur vetëm me 1 pikë përqindje në qershor në raport me dy vjet më parë (10.73% në qershor 2013, nga 11.6 në qershor 2011), nga 2.25 pikë përqindjeje që kanë zbritur normat bazë të interesit. Më e ndjeshme ka qenë rënia e yield-it të letrave me vlerë të qeverisë, që ka zbritur në 5.11% në ankandin e fundit për bonot 12 mujore, nga mbi 7% një vit më parë.

Banka e Shqipërisë ka pranuar ndërkohë që efektiviteti i politikës së saj lehtësuese monetare ka qenë i ulët, për shkak të faktorëve të tjerë që ndikojnë në kredidhënie, si kërkesa e dobët nga biznesi, problemet me likuiditetin dhe sidomos kreditë e këqija. Këto të fundit citohen nga Shoqata e Bankave si arsyeja kryesore që po frenon kreditë, teksa niveli i huave të pakthyera në afat ka arritur në 24%.

Sipas Fullanit, ecuria e dobët e kredisë po ndikohet nga rënia e kërkesës për kredi nga bizneset, ndërsa ka një gjallërim të kërkesës nga individë.

Bizneset nga ana e tyre, teksa bankat kanë shtrënguar kriteret e kredidhënies, i janë drejtuar kredisë informale, siç raportoi vëzhgimi i fundit i Bankës së Shqipërisë.

Kushtet e ekonomisë

Inflacioni në tremujorin e dytë është mesatarisht 2.2%, si rrjedhojë e uljes së çmimeve bujqësore dhe shkurtimi i artikujve të tjerë të shportës. Sipas tij presionet inflacioniste do të vazhdojnë të jenë të ulëta.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte 1.7% sipas INSTAT, në linjë me ecurinë e fundit të vitit të kaluar. Industria, bujqësia dhe shërbimet ndikuan në rritjen pozitive ekonomike, ndërkohë që sektori i ndërtimit vijoi të tregojë shenja negative. Informacioni për pjesën e dytë të vitit sugjeron për një përmirësim të ritmeve të rritjes ekonomike.

Rritja ekonomike në 6 muajt e parë i atribuohet eksporteve dhe shpenzimeve ndërkohë që konsumi ka qenë i dobët.

Konsumi dhe investimet private janë frenuar, si rrjedhojë e sjelljes së kujdesshme të familjeve dhe bizneseve.

Politika fiskale në 6 muajt e parë ka qenë zgjeruese. Rritja e shpenzimeve buxhetore ka pasur efekt pozitiv në ekonomi në afatin e shkurtër po efekti fiskal në tërësi do të varet nga respektimi i treguesve fiskalë deri në fund të vitit. Fullani e vuri theksin në rritjen e ndjeshme të deficitit buxhetor që ka qenë dy herë më i lartë se plani, duke çuar në rritjen e borxhit publik, që ka arritur në 63% të PBB-së. “Borxhi publik përbën një dobësi për rritjen dhe duhen marrë masa të menjëhershme për borxhit, për të ulur primet e rrezikut në ekonomi. Sugjerojmë vendosjen e një rregulli fiskal transparent në mënyrë që të ruhet disiplina fiskale dhe të ruajë renditjen e vendit nga institucionet ndërkombëtare”, – tha Fullani.

Në të ardhmen do të ketë një rritje të ngadaltë gjatë tre muajve në vijim, në nivele të krahasueshme me ato të pjesës së parë të vitit. Stimuli fiskal pritet të mungojë përgjatë pjesës së dytë të vitit, tha guvernatori.