I vetmi vend në Shqipëri, aq i butë, i bukur, i ëmbël, i shkrifët, ku zemra punon si pompë hidrovori, gjaku vërshon lumë, stomaku bluan si mulli, gjymtyrët lëvizin si vinça, veshët dëgjojnë mbrapa Korabit, sytë shohin në fund të botës, goja buçet si daulle, bytha pjerdh si top, është Roskoveci.
Gishtat kodrinorë të Mallakastrës dhe luginëzat e Myzeqesë, zgjatur dhe mpleksur me njëratjetrën si duar të dashuruarish, diell, qiell, ajër, dritë, ujë, fusha, kodra, Roskoveci është aq magjepsës sa ta merr frymën, ta zhgarravit mendimin, ta prish gjumin, ta sjell ëndrrën.
Roskoveci është vendi më i begatë i rruzullit. Edhe gurët hedhin rrënjë e nxjerrin fruta në Roskovec, të gjitha mizat bëjnë mjaltë, çfarë lëviz dashurohet e shumzohet, çfarë mbin rritet e korret, çfarë rrjedh pihet, çfarë kafshohet hahet, çfarë ëndërrohet realizohet.
Kalorës madhështor dhe krenar rrëzë kodrave anës fushës, Roskoveci ka tre gra, Myzeqenë, Mallakastrën, Lushnjen. Me tre gratë e tija Roskoveci ka bërë një tufë me kalamaj vajza e djem njëri më i bukur se tjetri; Patosin, Krutjen, Kutallinë, Marinzën, Zharrëzën, Gorrenë, Strumën, Cukalatin, Bubullimën, si dhe plot hyzmeqarë dhe hyzmeqarka nëpër fushë e pëmbi kodra që ç’u sheh syri u bën dora. Në çdo vend të bukur njeriun e kap një merak dhe pyet veten; Mirë unë e dua këtë vend, por ky vend a më do vallë mua ? Në Roskovec kjo pyetje s’ka kuptim. Në Roskovec nga kjo dilemë nuk vuan. Mendo sa e do ti Roskovecin, se dashuria e Roskovecit për ty është e garantuar, e pakursyer.
Tirana është e rrethuar me Tiranë, Elbasani me Elbasan, Shkodra me Shkodër. Roskoveci jo. Roskoveci nuk është egocentrist. Ngaqë nuk i mungon asgjë dhe nuk i trembet asnjë konkurrence, Roskoveci i do fqinjët më tepër se veten. Si i tillë, Roskoveci nuk është i rrethuar me veten e vet, por me të tjerë. Nuk ka në Shqipëri, ndoshta as në botë, vend si Roskoveci që për shkak të refuzuarit të qënit mediokër, je aty dhe ndjehesh sikur je gjithkund. Prandaj kur ndodhesh në Roskovec dhe sytë i ke hedhur nga veriu, ndjen se je myzeqar. Pa luajtur nga vendi, kthehesh nga jugu, në çast ndjesh mallakastriot. Kthen kokën nga perëndimi, je fierak. E rrotullon nga lindja, je beratas.
Kur i afrohesh Roskovecit konstaton se pakngapak diçka e egër brenda vetes po të zbutet. Ndjen sa e keqe dhe e dëmshme është të gënjesh, të merresh me thashetheme, të thurësh intriga. Ndërsa kur në Roskovec më së fundi je, ndjen shplodhje, vuan më pak, dhimbjet paksohen, hallet largohen, taksiratet harrohen.
Magjia e Beratit, konspirativiteti i Myzeqesë, solemniteti i kishave dhe manastireve, perëndimet e përgjakura, laryshia e kodrave, pjelloria e tokës, kripa e detit, të gjitha mrekullitë e botës dhe ëmbëlsitë e jetës, kryqëzohen në Roskovec. Kur pyet veten se ç’janë këto çudira që ndodhin në Roskovec, dhe nuk e gjen dot, të bëhet të besosh se diku aty rrotull Zoti i ka mbledhur Krishtin, Muhametin, Budën, profetët, dhe të gjithë bashkë kokë më kokë po pinë kafe e po llafosen për të mirën e njerzimit.
Ardhja në Roskovec nga Kutallia dhe Patosi janë më të shijshmet. Megjithatë ka një problem. Mijrat, pse jo milionat, e njerëzve që udhëtojnë veri-jug përmes autostradës Lushnje-Fier, kalorësin Roskovec anës kodrave nuk mund ta kqyrin dhe shijojnë si meriton nga afër. Mungon një rrugë nga rrethrrotullimi i Ardenicës në Roskovec. Duhet bërë. Jo e drejtë. Kurrsesi e drejtë. Patjetër me dredha që të interesuarit të mahniten me katundet, fushat, kishat, manastiret.
Si të vishesh, si të krihesh, në cilën orë të nisesh, sa duhet të jetë temperatura, lagështia, nga duhet të fryjë era, çfarë të kesh ngrënë e pirë para se të nisesh në Roskovec, janë probleme që secili i zgjidh sipas midesë së vet. Rëndësi ka kalorësin Roskovec të shkosh ta shohësh nga afër; sa të sigurtë e ka parzmoren, sa të madh e ka topuzin, a e ke të mprehtë shpatën, a e ka të thatë batutin, sa e ngul plugun, sa të thellë e bën qilizmën, si e ka Rosinantin, a e gjeti Dylqinjën. Në Roskovec mund edhe të mos nisesh fare në stilin e Konfucit i cili ka thënë; “Nëse të shkrepet të shkosh diku, mos u nis, atje je”. Por e mira është të mos ngatërrohesh me kinezërira qoftë edhe konfuciane, dhe në Roskovec të shkosh. Kur të kthehesh nga Roskoveci, të përgjumurve të divaneve, zvarranikëve të bulevardeve, dembelave të kafeneve, sedentarëve të zyrave, thuaju; Çfarë shqiptarësh jeni o të mjerë ? Turp që s’e keni parë. Faqa e zezë që s’e keni ndjerë.