Rama mbledh ministrat e rinj, mungojnë 5 emrat e LSI-së

0
256

Florenc Drizari

Kryesocialisti thërret “qeverinë e re” në PS, takime të tilla priten përgjatë gjithë verës

 

ps-rilindje

Një ditë pasi shpalli emrat e kabinetit të tij qeverisës, emrat e së cilit pritet të emërohen në shtatorin e ardhshëm, kryesocialisti Edi Rama mblodhi në një takim pune ministrat e rinj të PS-së. Takimi u bë me dyer të mbyllura dhe në të morën pjesë përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ndërsa 5 ministrat e LSI-së nuk ishin të pranishëm. Bashkëbisedimi i Ramës me ministrat e propozuar prej tij zgjati për rreth një orë në selinë e PS-së, ndërsa në takim morën pjesë: zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ministrja i Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, ministri për Çështjet Vendore Blend Çuçi, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi.

Edhe pse nuk pati një njoftim nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, mësohet se në këtë takim u diskutua për punësimet në administratë si dhe për punën që e pret qeverinë e re.

Burime brenda selisë bënë të ditur se temë e diskutimit të kreut të qeverisë së ardhshme me anëtarët e kabinetit ka qenë koordinimi i detyrave për secilin prej ministrave me qëllim që në shtator, kur edhe do të miratohet në Parlament qeveria e re, të nisë puna menjëherë për zbatimin e programit 4-vjeçar të mazhorancës së majtë.

Gjithashtu mësohet se Kryeministri i ardhshëm u ka kërkuar ministrave nisjen nga puna për ndërtimin e kabineteve respektive, përfshirë bërjen kujdes në krijimin e strukturave për çdo ministri.

Deri në betimin e qeverisë së re takime të tilla konsultative do të jenë të shpeshta me të gjithë anëtarët e kabinetit. Në takim është diskutuar gjithashtu rreth përshtatjes së programit të PS-së për secilën fushatë dhe premtimeve të kryera gjatë fushatës elektorale. Kjo ishte mbledhja e parë e qeverisë së re të dalë prej zgjedhjeve të 23 qershorit. Qeveria e ardhshme do të ketë një zv.kryeministër, 16 ministri dhe 3 ministra shteti pa portofol.

Dy ditë më parë, kryeministri i zgjedhur Edi Rama prezantoi emrat e 19 ministrave të kabinetit të ri qeveritar. 16 prej tyre lanë mandatin e deputetit duke i hapur rrugë përfshirjes në grupin parlamentar të PS-së e LSI-së 16 emrave të tjerë pasues në listat e dy partive. Dorëheqja nga mandati i deputetit për ministrat e rinj pritet të bëhet pas betimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë në muajin shtator. Për verifikimin mandateve pritet të mblidhet byroja e Kuvendit, e cila edhe në organikën e saj pritet të zgjidhen emra të rinj. Më pas çështja e ndarjes së mandateve i kalon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por mungesa e kuorumit në KQZ ngre sërish pikëpyetje për legjitimitetin e miratimit të emrave të rinj të deputetëve, të zbritur një shkallë më poshtë nga lista shumemërore e dorëzuar nga subjektet politike në komision.

 

STRUKTURA E QEVERISE “RAMA” (2013 – 2017)

Kryeministri Edi Rama

Zv.kryeministri Niko Peleshi

MINISTRITË:

1. Ministria e Financave Shkëlqim Cani

2. Ministria e Brendshme Saimir Tahiri

3. Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli

4. Ministria e Jashtme Ditmir Bushati

5. Ministria e Integrimit Evropian Klajda Gjosha

6. Ministria e Drejtësisë Nasip Naço

7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj

8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri

9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni

10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto

11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti

12. Ministria e Shëndetësisë Ilir Beqja

13. Ministria e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli

14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj

15. Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro

16. Ministria e Mjedisit Lefter Koka

 

MINISTRAT E SHTETIT:

17. Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito

18. Ministër për Çështjet Vendore Blend Çuçi

19. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi

 

Nikolli: Faqe të re për arsimin dhe sportin

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli, e cila pritet të marrë zyrtarisht detyrën për këtë post në fillim të muajit shtator me betimin e qeverisë së re socialiste të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, duke iu përgjigjur interesimit të qytetarëve në rrjetin social Facebook, shprehu gatishmërinë e saj për të përmbushur premtimet e kryesocialistit Edi Rama në fushatën elektorale.

“Mbështetja dhe besimi qe më jepni se bashkërisht do t’ia dalim për të hapur një faqe të re në arsimin tonë, më ka mbushur plot arsye mendjeje dhe zemre për të punuar çdo ditë që shkolla t’u përgjigjet aspiratave për dije të gjeneratës së sotme dhe të ardhme, për t’i mbyllur njëherë e mirë dyert e shkollës politizimit dhe korrupsionit dhe kthyer dinjitetin mësuesit, prindit e nxënësit si aktorë të rëndësishëm në vendimmarrjen shkollore. Shkollat do të jenë qendra të rëndësishme komunitare, sepse jemi të vendosur që qëndrimet dhe shprehitë qytetare të projektohen nga shkolla në komunitetet tona”, – shkruan Nikolli.

 

 

Arvizu i dorëzon çmimin “Kampion i Act Now” AKIP-it

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu i dorëzoi çmimin “Kampion i Act Now” Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

Çmimi “Kampion i ACT Now!” iu dorëzua AKIP për muajin korrik, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Ambasadën Amerikane.

Ambasadori përgëzoi Aleancën për angazhimin e saj civil të mirë organizuar, i cili mblodhi firmat e më shumë se 60,000 shqiptarëve në mbështetje të referendumit për të ndaluar importin e mbeturinave. Referendumi i 23 dhjetorit do të jetë i pari referendum në historinë e Shqipërisë që është nisur nga qytetarët shqiptarë.

Udhëheqësit e grupit ishin prezent në Ambasadë për ceremoninë, gjatë së cilës falënderuan stafin e saj për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve civile, të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve. Ambasada amerikane përmes iniciativës “ACT Now” ka organizuar një sërë takimesh në qytete të ndryshme të vendit, ku shpesh herë janë zhvilluar debate të hapura mes të rinjsh për çështje politike, ekonomike dhe sociale. Tema kryesore që ka qenë në fokus të kësaj nisme ka qenë ajo e çështjes zgjedhore, ku shpesh herë i është bërë thirrje të rinjve për një pjesëmarrje më të lartë në zgjedhje dhe një aktivizim në veprimtarinë politike të vendit.