Kaos në laborator/ Lumë droge për analiza, ‘digjen’ dy pajisje

0
197

Laboratori i Policisë Shkencore duket se është mbingarkuar nga kërkesat për ekspertim kimik të lëndëve narkotike. Janë me dhjetëra kërkesa që i drejtohen laboratorit në fjalë nga policitë e të gjitha qarqeve të vendit dhe nga 22 prokurori në rrethe, përfshi edhe Krimet e Rënda, raporton “Panorama”.

 

Rastet e panumërta të sasive të drogës që kapen çdo ditë, për të cilat flet edhe policia në komunikatat e saj, duan së paku një ekzaminim kimik-shkencor për çdo çështje. Numri i lartë i ekspertimeve të kërkuara, për çdo sasi droge që kapet, kanabis, heroinë apo kokainë, në çështjet me apo pa autor, si për rastet e parcelave me kanabis ku merren mostra, ashtu edhe te personat që kapen me drogë me vete apo në makinë, kanë mbingarkuar laboratorët shkencorë të Policisë.

Për këtë arsye mësohet se më herët janë dëmtuar dy nga pajisjet që përdoreshin për ekzaminimin kimik të lëndëve narkotike. Dalja jashtë funksionit e dy pajisjeve të ekspertimeve kimike të narkotikëve ka ndodhur pasi ato kanë plotësuar orët e punës.

MBINGARKESA

Për këtë arsye, aktualisht laboratori i Policisë Shkencore mësohet se punon me një pajisje të vetme. Kjo pajisje qëndron thuajse “non-stop” në punë për të përballuar fluksin e madh të kërkesave për ekspertim lëndësh narkotike.

Burime të konfirmuara të gazetës “Panorama” bënë me dije se situata është rënduar me ekspertimet kimike të lëndëve narkotike, që prej vitit 2014 e në vazhdim. Por duket se më problematike gjendja është bërë në vitin e fundit, kur në disa prokurori rrethesh ekspertimet kimike të drogave që kapen ka raste që vonohen përtej afatit deri në 9 muaj, duke u bërë shkak edhe për zvarritjen e hetimeve apo të afateve për çështje të caktuara.

Situata duket edhe më problematike, duke marrë parasysh se e gjithë ngarkesa me ekspertimet kimike të narkotikëve, mbulohet nga një pajisje e vetme, e cila qëndron në punë thuajse pa pushim.

Nga ana tjetër, gazeta “Panorama” pyeti burime jozyrtare të Policisë që kanë thënë se çështja është diskutuar prej muajsh dhe po kërkohet një zgjidhje, edhe pse pajisja laboratorike që bën ekzaminimin kimik të lëndëve narkotike është tepër e kushtueshme.

PROCEDURA

Kodi i Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi përcaktojnë ekspertimin kimik të lëndës narkotike në çdo rast kur ajo kapet. Konkretisht, ngritja e akuzave për mbajtje, trafikim dhe çdo lloj krimi tjetër me drogën, realizohet vetëm duke u bazuar në një akt-ekspertimi shkencor që konfirmon se lënda e bllokuar është narkotike.Në çdo rast kur kapet drogë, në sasi të mëdha apo të vogla, merren “mostra përfaqësuese”, të cilat dërgohen për ekspertim me procesverbal përkatës. Në procesverbal shënohet data e veprimit hetimor, numri i procedimit penal, numri i urdhrit të prokurorit apo gjykatës për ekspertim dhe emrat e të pandehurve të çështjes.Ekspertimi kimik i drogës është i detyrueshëm edhe për rastet e bimëve të kanabisit apo në çdo rast tjetër, pasi vëzhgimi i jashtëm përbën dyshim, por jo provë për lëndën narkotike./T.S/panorama

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here