Venecia përjashtoi konfliktin e interesit të Gjykatës Kushtuese për ta gjykuar Vettingun, duke e përshkruar si një rrethanë të jashtëzakonshme
Gëzim Saliu
Zbardhet opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e Vettingut. Për këtë komision, ligji për rilverësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të gjykohet nëse është kushtetues ose jo, vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Në nenin 15 dhe konkluzionet e opinionit theksohej se,: “Komisionit të Venecias nuk i kërkohet të bëjë një analizë të Ligjit të vetting-ut në dritën e legjislacionit të zakonshëm aktualisht në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në funksion të një interpretimi koherent e të dispozitave të ligjit, pasi kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese e cila është padyshim e njohur mirë me legjislacionin dhe doktrinën. Është gjykata kushtetuese e Shqipërisë qe ka fjalën e fundit për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë me ligjin”.
Opinioni
Në opinion e tij Komisioni i Venecias konfirmoi zyrtarisht qëndrimin e tij për ligjin e Vettingut, duke dhënë përgjigje sa i përket pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i adresoi më 30 nëntor. Fillimisht Venecia përjashtoi konfliktin e interesit të Gjykatës Kushtuese për ta gjykuar këtë ligj duke e përshkruar si një rrethanë të jashtëzakonshme. “Të gjithë gjykatësit kushtetues, sipas Kushtetutës dhe ligjit të Vettingut, do të jenë subjekt i ligjit të Vettingut që siguron rivlerësimin e çdo gjykatësi në Shqipëri, përfshi gjykatësit e Kushtetueses. Ndaj,konflikti i mundshëm i interesit mund të ndikojë këtë pozicion, jo vetëm për një ose disa gjykatës, por për të gjithë gjykatësit të Kushtetueses. Për pasojë, skualifikimi i gjykatësve të Kushtetueses për shkak të ekzistencës së konfliktit të interesit do të rezultonte në përjashtimin total të mundësisë së rishikimit juridik të ligjit të Vettingut në kuadër të Kushtetutës. Kjo do të minojë garancitë që ofron një rishikim funksional juridik ilegjislacionit. Kjo situatë mund të konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese si një “rrethanë e jashtëzakonshme”, gjë që mund të kërkojë devijimin nga parimi i skualifikimit në mënyrë që të shmanget mohimi i drejtësisë’, thuhej në opinion.
Përsa i përket përfshirjes së organeve që konsiderohen si nën kontrollin e pushtetit ekzekutiv gjatë procesit të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve në lidhje me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, analiza e tekstit të ligjit të Vettingut tregon se pavarësisht përfshirjes së Drejtorisë së Informacionit të Kualifikuar apo Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Pasurisë në procesin hetues dhe kërkimet filestare për prova, vlerësimi i informacioneve të mbledhura prej tyre i mbetet komisionit të pavarur dhe Dhomës së Apelit, e cila zotëron të dy karakteristikat e një trupi juridik dhe pushtetin, të verifikojë veten dhe provat e mbledhura nga organet ekzekutive.
Lidhur me ccështjen e mungesës së mundësisë për gjyqtarët dhe prokurorët që ti nënshtrohen procesit të verifikimit për të sfiduar vendimet e dhëna nga institucionet e rivlerësimit para gjykatave vendore, si në kundërshtim me nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Komisioni i Venecias konsideroi se përgjigja për këtë pyetje varet nga kualifikimi i Dhomës së Apelit. Nga ana tjetër Komisioni i Venecias ishte i mendimit se ndërsa vlerësimi i së kaluarës është padyshim imponues, nuk mund domosdoshmërisht të shihet si një ndërhyrje të pajustifikueshme në jetën private ose familjare të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me nenin 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Po ashtu në opinion, Komisioni i Venecias sqaroi edhe problemin e përkthimit të ligjit të Vettingut, i cili u bë objekt debati mes palëve politike në vend dhe misionit EURALIUS. “Ky opinion miqësor bazohet në një përkthim të ligjit të Vettingut në anglisht ashtu si Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Më 30 nëntor 2016, Komisioni i Venecias mori nga Gjykatat Kushtetuese një version të rishikuar të përkthimit në anglisht të ligjit të Vettingut. Versioni i rishikuari cili është paksa më i saktë por nuk përmban ndryshime thelbësore u mor parasysh nga raportuesit në përgatitjen e opinionit miqësor. Gabimet mund të jenë të pranishme në këtë opinion miqësor si rezultat i përkthimit jokorrekt ose të pasaktë.”- thuhej në opinionin e Venecias.
Ambasada e SHBA: Vettingu, hap kuptimplotë për eleminimin e korrupsionit në gjyqësor
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpriti dje opinionin e datës 10 dhjetor të Komisionit të Venecias mbi ligjin shqiptar të Vetting-ut. “Vetting-u i gjykatësve do të jetë një hap kuptimplotë drejt eliminimit të korrupsionit të thellë në gjyqësorin në Shqipëri dhe opinioni i Komisionit të Venecias duhet t’i japë fund çdo shqetësimi legjitim lidhur me ligjin”, thuhej në një deklaratë. Më tej Ambasada amerikane u shpreh se, pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin e Vetting-ut. “Shtetet e Bashkuara kanë besim se Gjykata Kushtetuese do të riparojë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor, që është dëmtuar nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA. Lidhur me opinionin e Venecias për ligjin reagoi edhe zyra e delegacionit të BE-së në vend, e cila theksoi se,: “Ne presim që angazhimi i të gjitha palëve të interesuara ndaj rolit qendror të Komisionit të Venecias të vazhdojë dhe që opinioni i tij të merret në konsideratë në mënyrën e duhur”. Në reagimin zyrtar u theksua se, pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efikas. “Ne nxisim të gjitha forcat politike, të gjitha institucionet shtetërore përkatëse dhe të gjitha organet gjyqësore në Shqipëri që të nisin pa vonesa të mëtejshme zbatimin e reformës në drejtësi. Progresi në këtë fushë është thelbësor në mënyrë që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara”, përfundoi deklarata.
Rama: Kushtetuesja mos bëhet mburojë e së shkuarës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje për opinionin e Komisionit të Venecias për ligjin e Vettingut, ku në një postim në FB, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që ti hapë rrugë zbatimit të tij dhe të mos bëhet mburojë e të shkuarës. “Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese t’i hapë rrugë një orë e më parë zbatimit të tij. Gjykata Kushtetuese mund ta kishte mbaruar me kohë këtë punë dhe sot Shqipëria do të kishte nisur zbatimin e Ligjit të Vetingut e po ashtu, edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Askush nuk më bind dot se gjykatësit tanë kushtetues kishin vërtet nevojë për Opinionin e Venecias dhe nuk e bënin dot punën e tyre pa të! Ata kanë treguar se kur duan, dinë ta bëjnë më së miri detyrën e tyre në shërbim të Kushtetutës e të interesave të këtij vendi. Nuk u mungon as dija dhe as eksperienca! Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bëhet mburojë e të shkuarës që prej çerekshekulli mban peng drejtësinë në këtë vend, po të vendoset në anën e duhur të histories”, tha Rama. Në të njejtën linjë, deputeti socialist Pandeli Majko theksoi se opinioni i Venecias e cilësoi kushtetues ligjin e Vettingut. “Komisioni i Venecias hedh të zezën mbi të bardhë dhe i thotë Gjykatës Kushtetuese është absolutisht kushtetues. Ai duhet të hyjë sa më shpejt në veprim për situatën në të cilën ndodhet drejtësia në Shqipëri dhe për nivelin e korrupsionit që ndodhet në të”, tha ai.
PD: Paragrafi 64 theksoi se grupi i punës duhet të jetë nën kontrollin e Komisionit të Pavarur të Vettingut
Edhe PD pati dje një reagim për mediat lidhur me opinionin e Komisionit të Vencias duke nënvizuar se organet që duhet ta kryejnë këtë proces janë ato që parashikon kushtetuta. “Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se grupi i punës i përbërë nga organet që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit (sic janë DSIK, SHKB në Ministrinë e Brendshme, DPPPP, etj), duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vettingut. Konkretisht, paragrafi 64 thekson se: “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”, theksoi PD. Selia blu theksoi gjithashtu se komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15 se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë e ligjit me kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm, pasi kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese.