Gëzim Saliu
“Mbeten tri çështje për t’u përmbysur që kërkojnë angazhimin e mazhorancës dhe opozitës”
Kritika e komisionerit: Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër të Ballkanit, ku të jemi angazhuar kaq intensifikisht
Komisioneri për zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fule, ka kërkuar dje nga palët politike në vend votimin e tri ligjeve të përcaktuara nga Brukseli si kushte për marrjen e statusit kandidat. Duke u bëri thirrje për bashkëpunim, Fule nuk ka ngurruar të kritikojë qëndrimin e forcave politike në vend, duke nënvizuar se opozita nuk duhet të lidhë axhendën evropiane me çështje të tjera. “Shpresoj shumë që në këtë stad, partitë politike të mos luajnë lojëra politike. Shpresoj që qeveria të tregohet e hapur ndaj shqetësimeve të opozitës dhe shpresoj, që opozita të mos lidhë axhendën evropiane me çështje të tjera, edhe pse ato mund të jenë shumë të rëndësishme, por janë çështje që në fund të fundit bëjnë që të kemi një pengesë tjetër në Shqipëri. Dhe sa keq! Ta shohësh vendin të festojë 100-vjetorin dhe të mos jetë në gjendje për kaq pak që të ngjisë shkallën e vendit kandidat…”, – tha komisioneri për Zgjerimin në KE gjatë takimit “Miqtë e Evropës” në Bruksel.
Thirrja
I drejtpërdrejtë dhe kritik ka qenë komisioneri për Zgjerimin në deklaratën e tij lidhur me angazhimin e palëve politike në vend në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të integrimit. Fule ka kërkuar që për tri ligjet e Brukselit mazhoranca dhe opozita të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, duke bërë të mundur plotësimin e tyre sa më parë. “Nuk di nëse ka ndonjë vend tjetër të Ballkanit, ku të jemi angazhuar kaq intensifikisht dorë më dorë me atë vend për ta ndihmuar jo vetëm që të përmbushë 12 kriteret, por gjithashtu për të arritur një masë kritike në zbatimin e këtyre prioriteteve, në mënyrë që ne të mund të propozonim statusin e vendit kandidat. Nuk e di nëse ka një vend tjetër për të cilin kemi bërë kaq! Që nga fillimi i këtij viti kemi punuar me autoritetet, me opozitën dhe shoqërinë civile për të krijuar një proces gjithëpërfshirës për zbatimin e 12 rekomandimeve. Ne i kemi përcaktuar së bashku listën e prioriteteve dhe autoritetet i kanë përmbushur. Por mbeten tri çështje dhe në fakt është interesante, sepse ato nuk simbolizojnë vetëm angazhimin për të përmbushur një masë kritike në fushat përkatëse, por ato kërkojnë bashkëpunimin dhe përfshirjen e të dyja palëve, mazhorancës dhe opozitës”, – u shpreh Fule. Marrja e statusit kandidat në dhjetor të këtij viti duket thuajse e pamundur, pasi tri ligjet e përcaktuara nga Brukseli si kushte, nuk u përmbushën në kohë nga klasa politike shqiptare. Opozita deri në fund i qëndroi rreptësisht kushtëzimit të saj, sipas të cilit, para se të votoheshin këto ligje, duhej të zbatohej vendimi i gjykatave për çështjen e Këshillit të Qarkut Fier. Nga ana tjetër, mazhoranca qeverisëse ka bërë thirrje të njëpasnjëshme përgjatë këtyre javëve, që nga publikimi i progres-raporti të 10 tetorit, ku ka kërkuar nga PS-ja votimin e ligjeve të integrimit dhe zgjidhjen e çështjes së Fierit me anë të mocionit, ofertë të cilën socialistët e kanë kundërshtuar. Por megjithëse palët mbeten larg objektivit, ndërkombëtarët nuk i kanë shuar shpresat e Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit,para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Duke nënvizuar domosdoshmërinë e votimit të tri ligjeve, përfaqësues të Komisionit dhe Parlamentit Evropian kanë theksuar se vendi ka mundësi të mëdha për ta marrë statusin e kandidatit edhe më herët, se vera apo vjeshta e 2013-ës.