– Agjencitë e huaja, blerësit e pronave po kërkojnë tokë për turizëm në Shqipëri

0
209

Ervin Kaduku

Strategjia e nxitjes së investimeve jep rezultat në sferën e të patundshmeve

Agjencitë e huaja, të specializuara në sektorin e pasurive të patundshme, veçanërisht ato britanike, e vlerësojnë Shqipërinë si një vend që i ka të gjitha mundësitë për të qenë i kërkuar për investime mobiliare, ku tashmë janë bërë hapa në rrugën e duhur

 

1277197029-shqiperia_turistikePër ekspertët e tregut imobiliar, Shqipëria shihet si një destinacion i kërkuar për investime në të patundshme për shkak të ndikimit të disa faktorëve, ku më kryesorët janë: turizmi dhe anëtarësimi në BE. Sipas tyre, nëse tregjeve të tjera të vendeve të Europës, si Irlanda apo Spanja, do t’u duhet kohë që të rigjallërohen, Shqipëria do të jetë drejt rritjes së qëndrueshme. Anëtarësimi në BE është parë tradicionalisht si një faktor që ka ndikuar në rritjen e interesit nga blerësit e jashtëm. E njëjta gjë ndodhi me çmimet e imobiliarëve në Estoni, që u trefishuan, në Sllovaki, Slloveni u dyfishuan, ndërsa në Qipro u rritën me 40%. Ekspertët besojnë se me anëtarësimin, sektori imobiliar do të jetë i pari që do të përfitojë.

Pozitiv vlerësohet edhe roli që industria e turizmit luan në zhvillimin e këtij tregu. Ekspertët parashikojnë që gjatë pesë viteve të ardhshme, Shqipëria të kthehet në një destinacion të kërkuar turistik dhe kjo do të rrisë interesin për investime, për një shtëpi të dytë në bregdet. Një fenomen që është vënë re edhe në Mal të Zi dhe Kroaci.

Sipas të dhënave gjatë vitit 2012, Shqipëria u vizitua nga 4.7 milionë turistë nga të cilët, 3.4 ishin jorezidentë me nënshtetësi të huaj. Kjo shifër u rrit me 26% në krahasim me një vit më parë. Turistët grekë patën rritjen më të madhe me 49%, të ndjekur nga zviceranët me 30%.

Ekspertët thonë se Shqipëria, tashmë është kthyer në një markë tërheqëse për të huajt, ndërsa duhet të shtojë investimet në infrastrukturë, shërbime utilitare dhe njësi akomoduese për ta bërë më të konkurrueshme kundrejt vendeve të tjera të rajonit. Ata thonë se kjo është koha e duhur që Shqipëria të promovohet si një destinacion i tillë, pasi të huajt do ta kuptojnë se mundësia për të blerë prona me çmime të arsyeshme është tani dhe jo pasi ato të rriten.

Vetëm në Gjirin e Lalzit, i vetmi resort i ndërtuar në vend ka patur kërkesa për blerje nga vendet skandinave, nga Belgjika, Franca, Anglia, Italia dhe ka shfaqje interesi edhe nga Kina. Kryesisht blerësit i përkasin shtresës së mesme, janë biznesmenë, avokatë, inxhinierë, por nuk kanë munguar edhe aktorët.

Ata që kanë prenotuar, kanë kërkuar hapësira që llogariten afërsisht në 63-69 metra katrorë, por ka patur edhe nga ata që kanë preferuar që të blejnë studio. Blerësit janë kryesisht familje. Një nga arsyet, thotë menaxherja e këtij projekti, se pse të huajt blejnë është afërsia me aeroportin, vetëm 30 minuta larg. Parashikimet janë që deri në vitin 2014 të kenë përfunduar 29 vila dhe 100 apartamente, 80 nga të cilat janë në përfundim. Çmimi mesatar i shitjes llogaritet nga 1,000-1,500 metër katrorë.

 

Pse blejnë?

Agjencitë e huaja, të specializuara në sektorin e pasurive të patundshme, veçanërisht ato britanike, e vlerësojnë Shqipërinë si një vend që i ka të gjitha mundësitë për të qenë i kërkuar për investime mobiliare. Sipas tyre sistemi nuk është perfekt, por, janë bërë hapa në rrugën e duhur. Problemi kryesor mbetet pronësia mbi tokën, për të cilën qeveria ka ndërmarrë disa masa.

Por, cilat janë arsyet që i shtyjnë të huajt të blejnë prona në Shqipëri? Agjencitë bëjnë të ditur se, në bazë të studimeve, çmimet janë ato që favorizojnë më shumë realizimin e këtyre transaksioneve, që vlerësohet se janë ndër më të ulëtat në Europë. Ata vënë në pah ndikimin që ka pasur sektori imobiliar për shkak të krizës, gjë që ka shkaktuar edhe njëfarë qëndrimi në vend. Si arsye për të investuar, shihet fakti se vendi është ende në zhvillim sa i përket industrisë së pasurive të paluajtshme. Bregdeti është një arsye më shumë për të realizuar investime që mund të kthehen në fitimprurëse pas dy apo tre vitesh.

Blerësit e pronave do t’i drejtohen atyre zonave që kanë të zhvilluar turizmin, për t’i lënë ato më pas me qira. Pikërisht ky do të bëhet motivi kryesor që do t’i bëjë blerësit të vendosin se çfarë dhe kur duhet të blejnë.

Gjeografikisht mundësitë janë të shumta, ndërsa për nga lloji i pronës ato klasifikohen në: apartamente qyteti dhe prona në bregdet. Të parat janë më të vlefshme në kryeqytet, në Tiranë, duke qenë se kanë edhe vlerën më të madhe. Nuk duhet harruar që Tirana është qendra e gjithçkaje. Çmimet vlerësohen në nivele të arsyeshme. Ekspertët e pasurive të paluajtshme thonë se perspektiva është ende tërheqëse.

Durrësi mund të bëhet destinacioni i radhës për të huajt që duan të blejnë një shtëpi të dytë. Është një qendër e rëndësishme tregtare dhe vendi që ka portin më të madh.

Vlora, gjithashtu, mund të kthehet në një vend të kërkuar, duke qenë se është një zonë me ndikim për tregjet e vendeve që lagen nga Deti Adriatik dhe Jon.

Saranda shihet me interes nga turistët. Rreth 30 minuta e ndajnë nga ishulli i Greqisë, Korfuzi. Është një nga zonat me klimën më të mirë mesdhetare dhe e njohur për rivierën e mrekullueshme. Në afërsi të saj është edhe Parku i Butrintit, pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO.