Nuk shlyen dot kredinë, banka i merr shtëpinë, 70-vjeçari vret veten

0
199

Sonja Caka

Policia: I moshuari qëlloi me armë ndaj përmbaruesve dhe policisë dhe më pas ndaj vetes, ndërsa i vuri flakën banesës. Viktima, i divorcuar dhe jetonte i vetëm në banesë

 

vetvrasje__clanak_bigNjë i moshuar qëllon me armë ndaj përmbaruesve që kishin shkuar të ekzekutonin në banesën e tij një vendim gjykate dhe më pas i jep fund jetës me të njëjtën armë. Por, para se të vetëvritej, i moshuari i vuri flakën banesës, duke rrezikuar seriozisht edhe banesat e fqinjëve të tij. Sipas burimeve policore, 70-vjeçari nga Kavaja, Enver Shabjani nuk ka pranuar përmbaruesit privatë të ekzekutonin vendimin e gjykatës, ku detyrohej të lironte banesën ku jetonte, pasi nuk kishte shlyer kredinë e marrë në bankë. Ai i ka pritur te dera, ka dëgjuar çfarë kishin për të thënë përmbaruesit dhe më pas u ka drejtuar armën e zjarrit, fillimisht duke qëlluar drejt tyre dhe policisë dhe më pas drejt vetes. Policia e Kavajës ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur nga puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në pyetje janë marrë përmbaruesit dhe banorë të lagjes, pasi i moshuari ishte i divorcuar dhe prej vitesh jetonte i vetëm në banesë.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë u shënua paraditen e djeshme në qytetin e Kavajës, në lagjen nr.3 pranë tregut. Policia e këtij qyteti u njoftua se një person po alarmonte zonën me të shtëna armësh. Sipas policisë, Enver Shabjani, 70 vjec kishte një kredi pa shlyer ndaj përmbarimi do të ekzekutonte një urdhër-ekzekutimi të gjykatës për t’i marrë shtëpinë që ishte vendosur si garanci prej tij. Në vendngjarje mbërriti polici, e cila disa herë i bëri thirrje për dorëzim, por Enver Shabjani nuk pranoi të dorëzohet. Ai vijoi të qëllonte ndaj policisë dhe përmbaruesve duke rrezikuar jetën e banorëve në zonë. Pas disa minutash, krismat ndaluan dhe policia ndërhyri në banesë. Efektivët konfirmuan se i moshuari kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve me armë zjarri. Policia hedh dyshime se Shabjani ka vrarë veten. Efektivet kane marrë në pyetje përmbaruesit për të dhënë sqarime mbi ngjarjen e rëndë në Kavajë. Nga hetimet e para mësohet se përmbaruesit kanë komunikuar me të moshuarin, duke i vënë në dispozicion urdhërin e ekzekutimit të gjykatës. Mes dy palëve fillimisht ka pasur një debat të ashpër për largimin nga shtëpia. Më pas ranë në një kompromis. Përmbaruesit kanë dëshmuar se për të mos e nxjerrë në rrugë të madhe Shabjanin, i kanë dhënë mundësinë të banonte në një nga dhomat e shtëpisë dhe i moshuari kishte rënë dakord. Dhe, sipas dëshmisë së përmbaruesve, në momentin kur do firmosej procesverbali, 70-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit duke ia drejtuar atyre. Menjëherë janë larguar nga banesa dhe kanë vënë në dijeni policinë, ndërsa i moshuari vijonte qëllonte drejt tyre me armën e zjarrit.

Tentativa

Para se të vetëvritej, i moshuari Enver Shabjani ka tentuar t’i vërë flakën banesës ku jetonte me qëllim që atë të mos e përfitonte banka. Ky veprim i të moshuarit erdhi pasi qëlloi disa herë nga brenda banesës në drejtim të policisë dhe përmbaruesve, duke refuzuar edhe negociatat me uniformat blu. Fillimisht, për shkak të breshërisë së kallashnikovit, policia e ka pasur të pamundur të hyjë brenda, por pas qetësimit të 70-vjeçarit, ka hyrë në banesë edhe me ndihmën e zjarrfikseve, pasi djegia e banesës rrezikonte edhe banesat e tjera përreth. Flakët e zjarrit kanë përfshire edhe banesa të tjera dhe vetëm falë ndërhyrjes së zjarrfikseve, mundën të lokalizoheshin flakët dhe të shuheshin pa shkaktuar dëme te banesat e fqinjëve. Kur e ka parë që nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveçse të dorëzojë banesën, 70- vjeçari i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë. Trupi i pajetë i viktimës është gjetur i mbuluar me gjak. Mësohet se viktima kishte qenë mësues dhe jetonte i vetëm në atë banesë, pasi ishte i divorcuar.

Motivi

Nuk e kishte menduar se një ditë do t’i duhej të dilte nga banesa ku kishte një jetë që jetonte. Ndaj dhe, duke mos e përtypur dot këtë fakt, ka marrë një armë, qëlloi ndaj përmbaruesve dhe policisë dhe më pas ndaj vetes, duke mbetur i vdekur në vend. Kjo është historia e dhimbshme e të moshuarit Enver Shabjani, 70 vjeç, të cilit në pamundësi për të kthyer kredinë në bankë, kjo e fundit i ka marrë shtëpinë, duke e nxjerrë mes katër rrugëve në zbatim të kontratës së firmosur mes tyre. Shkak u bë mosshlyerja e një kredie të marrë në një bankë të nivelit të dytë dhe marrja e banesës që ishte vendosur koleateral, për të cilën gjykata kishte vendosur t’ia jepte bankës në momentin që debitori nuk e shlyente dot kredinë e marrë. I moshuari kishte vendosur banesën e tij si kolateral në bankë në momentin që kërkoi kredi, si garanci për ta përfituar atë dhe iu aprovua, por nuk e pranonte dot situatën në momentin që përmbaruesit i shkuan në banesë për ta nxjerrë prej saj.

 

Gjirokastër

Operacion antitrafik, ndalohen 69 klandestinë nga Siria e Maroku

Pavarësisht situatës së tensionuar në kufi për shkak të kthimit të emigrantëve, kanë vijuar edhe dje operacionet e policisë kufitare të Kakavijës për kapjen e klandestinëve, të cilët e përdorin Shqipërinë si vend transit për të kaluar në shtet e Europës. Mësohet se në 4 operacione të ndryshme janë kapur 69 klandestinë nga policia e Kakavijës. Klandestinët e ndaluar janë nga Maroku dhe Siria. Operacioni i parë është zhvilluar përballë fshatit Zervat, ku u kapën 18 klandestinë, operacioni i dytë u zhvillua në fshatin Dritë, u kapën 22 klandestinë, operacioni i tretë u zhvillua poshtë Kakavijës dhe u kapën 14 klandestinë, ndërsa operacioni i katërt u zhvillua në Jorgucat dhe u kapën 15 klandestinë. Sipas policisë, evidentimi i klandestinëve është bërë përmes pajisjeve logjistike të dhuruara nga ambasada e SHBA. Ndërkohë që në një operacion tjetër në Gjirokastër janë kapur 32 klandestinë, të cilët vinin nga Pakistani dhe Afganistani. Operacioni drejtohej nga shefi i seksionit antitrafik, Vojo Peçi. Sipas policisë, klandestinët lëviznin në këmbë në shtratin e lumit Drino.

 

Durrës

Aksidentohet për vdekje 35-vjeçarja nga Maqedonia

Një 35-vjecare me shtetësi maqedonase është aksidentuar për vdekje në Durrës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06:25, pranë sektorit Apolonia në momentin që gruaja po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Sipas policisë së Durrësit, viktima është identifikuar si Dashurie Osmani nga Dibra e Maqedonisë, ndërsa mjeti që e ka aksidentuar atë, me targë AA301ET drejtohej nga shtetasi Oltion Tana nga Tepelena. Bëhet me dije se policia po heton për shkaqet e aksidentit, ndërsa drejtuesi i mjetit është ndaluar dhe po merret në pyetje.

 

Tiranë

Shtetasi britanik tenton të hyjë në ambasadën italiane, nisin hetimet

Një shtetas britanik ka tentuar dy ditë më parë të futet me forcë në ambasadën italiane në Tiranë, por është ndaluar nga policia dhe është dërguar në komisariatin nr.1. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur dhe po ashtu as arsyet që e shtynë të bënte këtë veprim, por mësohet se për rastin e tij është interesuar edhe ambasada e SHBA-së. Nga ana e oficerëve të policisë është marrë në pyetje shtetasi britanik për të dhënë shpjegime rreth motiveve që e çuan të hynte me forcë në këtë ambasadë.

 

Tiranë

Bie nga ballkoni i katit të 7-të, humb jetën fëmija 3 vjeç

Një vogëlush 3-vjeçar është rrëzuar nga kati i shtatë i pallatit teksa luante në ballkonin e apartamentit të tij. Ngjarja është regjistruar mesditën e djeshme në afërsi të rrugës “Besim Alla”, në Yzberisht, në Tiranë. Rrëzimi ka qenë fatal për 3-vjeçarin O. M, i cili ka ndërruar jetë më pas në Spitalin Ushtarak si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e Komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës, nga veprimet paraprake hetimore të cilëve, u konfirmua se ngjarja ishte aksidentale. Në banesë, ishin familjarët e vogëlushit, të cilët nuk e kishin vënë re se ai ishte ngjitur në hekurat e ballkonit.