Shpërbërja e BE-së/ Zv.kancelari gjerman Gabriel: Jo më një utopi

0
149

Këmbëngulja e Gjermanisë për masa shtrënguese në Eurozonë e ka përçarë Europën më shumë se kurrë më parë, saqë një shpërbërje e Bashkimit Europian nuk është më e papërfytyrueshme. Kështu është shprehur zv.kancelari gjerman Sigmar Gabriel, në një deklaratë për revistën gjermane “Der Spiegel”, transmeton Top Channel.

Socialdemokrati Gabriel, – SPD-ja partnere e konservatorëve të Kancelares Angela Merkel në koalicionin qeverisës, – thotë se përpjekjet e zellshme të vendeve si Franca dhe Italia për të reduktuar deficitet e tyre buxhetore janë shoqëruar me rreziqe politike.

“Dikur pyeta Kancelaren se çfarë do t’i kushtonte më shumë Gjermanisë: të lejonte Francën të kishte një deficit 0.5 për qind më të madh, apo Marine Le Pen të bëhej presidente e vendit fqinj”, tha ai për revistën gjermane, duke iu referuar udhëheqëses së Frontit Nacional të ekstremit të djathtë në Francë.

“Deri më sot ajo nuk më ka kthyer një përgjigje”, ka shtuar më tej Gabriel, partia e të cilit kërkon më shumë fokus tek investimet, ndërkohë që konservatorët e Merkelit e vënë më shumë theksin në disiplinën fiskale si themel të prosperitetit ekonomik.

“SPD”-ja pritet të zgjedhë Gabrielin, kreun prej një kohe të gjatë të partisë, i cili tashmë shërben edhe si ministër i Ekonomisë, të garojë përballë Merkelit për postin e Kancelarit në zgjedhjet federale të muajit shtator. Lajmi është konfirmuar nga burime të larta partiake gjatë së enjtes.

I pyetur më tej nëse, vërtet mendon se mund të fitojë më shumë vota duke transferuar më shumë parà nga Gjermania drejt vendeve të tjera të BE-së, Gabriel tha: E di që ky diskutim është aspak popullor.

“Megjithatë, unë jam në dijeni të gjendjes së BE-së dhe mund të them se, nuk është më e paimagjinueshme shpërbërja e tij”, tha ai në intervistën e publikuar ditën e shtunë. “Nëse kjo do të ndodhte, fëmijët dhe nipërit tanë do të na mallkonin”, shtoi ai. “Kjo sepse Gjermania është përfituesi më i madh i komunitetit europian, ekonomikisht dhe politikisht”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here