Pushteti qendror dhe ai vendor, garë denoncimesh në faqet e internetit

0
194

Florenc Drizari

Denoncimet online, PS në garë me Bashkinë e Tiranës

 

Denoncimet për ndërtime pa leje apo zënie të hapësirave publike mund të bëhen edhe në faqet e internetit të institucioneve përkatëse, si dhe në ato të subjekteve politike.

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 sollën një përqëndrim të vëmendjes nga strukturat e shtetit si dhe forcat politike në mbarëvajtjen e tyre, ndërkohë që periudha para dhe pas zgjedhore sipas disa statistikave nga institucionet vendore, u shfrytëzua për ngritjen e objekteve informale si në bregdet ashtu edhe në zonët urbane. Kjo bëri që institucionet vendore, por edhe forca politike që doli fitues në këto zgjedhje, Partia Socialiste, të evidentonin me shqetësim këtë fenomen, duke kërkuar publikimin e denoncimeve nga qytetarë të ndryshëm.

Bashkia e Tiranës, para disa muajve ka hapur një rubrikë në faqen e saj të internetit në të cilën kërkon që qytetarët të denoncojnë shkeljet e konstatuara, duke publikuar numër telefoni dhe adresë të postës elektronike, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama (Kryeministër i ardhshëm), deklaroi publikisht pak ditë më parë ngritjen e një faqeje në internet, vetëm për denoncimet ndaj ndërtimeve pa leje.

Bashkia e Tiranës

Përsa i përket Bashkisë së Kryeqytetit, në faqen e saj online, tek menuja e mbrojtjes së konsumatorëve gjendet një rubrikë “Denonconi Abuzimet”, në të cilën gjenden informacione sesi të postohen shkeljet drejt këtij institucioni.

“Denonconi pranë AMK shkeljet që vëreni lidhur me:

Dëmtimet dhe ndërhyrjet e paligjshme në territorin urban, si: zënien e hapësirave publike; depozitimin e mbetjeve inerte dhe të rrezikshme; ndotjen nga zhurmat, etj.

Cilësinë e transportit publik; Abuzime me çmimet nga tregtarët; Probleme në tregjet e hapura; Cilësinë e shërbimit dhe kushtet higjeno-sanitare në bare, restorante dhe fast-food; Tregëtimin e mishit të freskët, gjësë së gjallë dhe kafshëve e shpendëve dekorative; Shërbimet komunitare. Kontaktoni me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK) në: Tel:  04 2274774 e-mail: konsumatori@tirana.gov.al”, – thuhet në faqen online të Bashkisë së Tiranës.

 

PS – StopRrenimit.com

Ndërkaq, të njëjtën strategji ndjek edhe Partia Socialiste, por me një model tjetër.

“StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj”,- thuhet në faqen online të ngritur nga PS.

Aty gjendet edhe një përshkrim i shkurtër nga kreu i PS-së për mënyrën se përse qytetarët duhet të marrin një angazhim të tillë. “Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit.

Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër! Edi Rama”, – shkruhet në faqen online të PS-së.

 

 

Publikimet e para në faqen“StopRrënimit.com

”Faqja e gritur në internet nga kryesocialisti Rama për denoncimet e ndërtimeve pa jele duket se u prit pozitivisht edhe për faktin se në orët e para u publikuan 40 foto.

Në faqen “StopRrënimit.com”, fotot e para erdhën nga qyteti i Vlorës, ku u denoncuan një pallat buzë detit, një lokal buzë detit në Golem dhe një plazh në Sarandë dhe Ksamil. Qytetarët kanë përcaktuar në postimet e tyre të fotove vendndodhjen e ndërtimeve dhe pronësinë e tyre, duke bërë një denoncim të drejtpërdrejtë. Në përgjithësi thuhet se pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve të denoncuara përmes fotove, janë bërë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore të 23 qershorit, ndërsa në shumë raste qytetarët shprehen se edhe pse janë lajmëruar institucionet përkatëse, ndërtimet nuk janë ndalur. Tendenca e qytetarëve që kanë denoncuar përmes fotove ndërtimet abuzive janë qytetet bregdetare, aty ku kryesocialisti ka lajmëruar nisjen e një aksioni frontal për të pastruar të gjithë vijën e bregdetit të Jugut, por dhe ndërtimet e bëra në anë të rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë.

 

 

 

 

Lirimi i hapësirave publike, Hoxha dhe Topalli në krye të aksioneve të Bashkisë

Gjatë ditëve të gushtit Inspektorati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Vetëm dy ditë më parë, Inspektorati ka ndërhyrë me prishjen e një objekti pa leje në rrugën “George Ë Bush”, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, për kthimin e tij në gjendjen e mëparshme.

Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Florenc Hoxha u shpreh: “Sot, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës po vepron duke kryer detyrën e tij, për të zbatuar ligjin në këtë objekt të paligjshëm. Ky objekt i ndërtuar në kundërshtim me ligjin ka cënuar rëndë strukturën mbajtëse të pallatit, kështu që nga ana jonë janë marrë të gjithë masat ligjore, deri në finalizimin e tyre sot, me ndërhyrjen për ta kthyer në gjendjen e mëparshme”

Në fokus të deklaratave të tij kanë qenë masat administrative që do të ndërmerren ndaj subjekteve që shpërndajnë inerte në objektet pa leje si dhe nuk do të tolerohet asnjë ndërtim i paligjshëm në territorin e Bashkisë së Tiranës.

“Po ashtu, janë ndërmarrë edhe masa administrative, ndaj pikave të inerteve të cilat shpërndajnë inerte në objektet pa leje. Nga ana jonë do të merret masa administrative e sekuestrimit, për të gjithë mjetet që do të identifikohen apo bllokohen pranë objekteve pa leje. U bëjmë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo ndërtim pa leje, pasi nga ana jonë janë intensifikuar masat për “goditjen” e tyre. Territori i Bashkisë së Tiranës monitorohet 24 orë në 24 nga ana e shërbimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik dhe Policisë Bashkiake dhe nuk do të tolerojmë apo lejojmë asnjë ndërtim të paligjshëm, të “lulëzojë” në territorin e Bashkisë së Tiranës”.

Më herët Bashkia e Tiranës nëpërmjet drejtorit të Policisë Bashkiake Vullnet Topallit, ka vijuar disa aksione për lirimin e hapësirave publike. “Aksioni më i fundit nga kjo strukturë është përqendruar përgjatë rrugës së “Kavajës”, nga qendra deri tek Pallati me Shigjeta, ku shitës ambulantë dhe subjekte tregtare kishin zaptuar trotuaret me aktivitetin e tyre. Përveç vendosjes së gjobave, Policia Bashkiake ka sekuestruar sot edhe objekte, si çadra, tavolina e karrige dhe produkte që tregtoheshin nga shitës ambulantë. Sekuestrimi i tyre erdhi pas mos bindjes së subjekteve dhe shitësve ambulantë, për lirimin e hapësirave publike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency