Në kushtet kur tensionet mes dy aleatëve qeverisës, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, po shtohen progresivisht me afrimin e datës së zgjedhjeve, pjesë të debatit mes tyre është bërë edhe PDIU-ja.
Pa dilema dhe qartësisht e pozicionuar në krah të PS-së dhe Edi Ramës, partia e Shpëtim Idrizit, me një gjuhë aspak diplomatike ka shpërthyer në akuza ndaj LSI-së dhe kryetarit të saj, Ilir Meta duke mos ngurruar t’i paraqesë edhe një alternativë: “Ose rri në qeveri ose dil në opozitë”, raporton “BalkanWeb”. Referuar kjo jo vetëm kritikave që LSI ka patur ndaj disa aspekteve të qeverisjes por edhe sa i përket forcimit të raporteve mes PS-së dhe PDIU-së.
Ka qenë deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, e cila ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanit, i cili tha se e majta i fitoi zgjedhjet me Ben Blushin, jo me Shpëtim Idrizin. Një deklaratë që duket se nuk është kapërdirë aspak nga partia çame, që sëfundmi zgjodhi deputeten Doda, dikur ish-bashkëpunëtore e Ilir Metës, për të sulmuar këtë të fundit dhe LSI-në.
Në një intervistë për “Koha Jonë” Doda thotë se Ilir Meta duhet të thotë nëse është dakord me deklaratat dhe sulmet e ministrit të tij ndaj PDIU-së. Kjo, pasi sipas Dodës, ka qenë vetë Meta që e ka ofruar Idrizin në koalicion. “Unë sot i kërkoj kryetarit të LSI, Ilir Meta të shprehet a është dakord me këtë deklaratë të ministrit të tij? Me sa unë jam në dijeni ka qenë një ftesë e bërë nga zoti Meta dhe zoti Rama, në bashkëdakordësi të plotë, bashkëpunimi me PDIU-në në koalicion. Tani, kjo është një kërkesë shumë serioze dhe e përgjegjshme e imja, për të cilën kryetari i PDIU-së nuk do të thotë, siç mund të ndodhë në ndonjë parti tjetër “e kishte nga mendja e saj”. A është dakord Ilir Meta, me këtë deklaratë të ministrit të tij të Drejtësisë, Ylli Manjani? A është i shqetësuar ai për zgjerimin e këtij koalicioni, zgjerim të cilin sipas vetë zotit Meta, e ka propozuar ai personalisht? Deklarata apo veprime që i gjejmë vetëm në librat e Shvejkut të tipit “ku di unë ç’bëj unë”, nuk mund të pranohen apo të kapërdihen më. Të ndajnë me kë janë aleatë e me kë kundërshtarë, kë duan dhe kë nuk duan, sepse edhe opozitarë edhe ministra, edhe të pakënaqur edhe superpushtetarë nuk ka!”, – thotë Doda në një intervistë për “Koha Jonë”.