Korrupsion intelektual apo injorancë “akademike”?

0
196

Akademik Ali Aliu, në Kompletin e veprave të Ali Podrimjes, e futi edhe librin e përgatitur nga Bashkim Kuçuku “Litari i ankthit” (poezi e zgjedhur nga veprat e Podrimjes, Toena, Tiranë 2002), si vëllim të veçantë!!!

 

bild_1_-_APNën “përkujdesjen” e akademikëve: Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Sabri Hamiti dhe Mehmet Kraja, me redaktor përgjegjës akademik Ali Aliun, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës këto ditë nxori nga shtypi kompletin nëntëvëllimesh të veprave të poetit me përmasa kombëtare, Ali Podrimja (1942-2012).

Në gjashtë vëllimet e para të këtij kompleti ka zënë vend poezia e poetit, ndërsa në tri të fundit proza: tregime, intervista, shkrime eseistike dhe publicistike.

Vëllimi “Shamijat e përshëndetjeve”, i cili nuk është ribotuar kurrë nga Podrimja që nga botimi i parë (1963), por edhe të cilin poeti e kishte “larguar” nga krijimtaria e tij, këtu vjen i plotë, pa poezinë e dytë të tij, aq të përfolurën “Flamur shekujsh” (Titos së dashtun) (f. 8 në atë botim)

 

Dr. Sali BYTYÇI

Kënaqësi e veçantë është kur njeriu në një botim i ka të përmbledhura të gjitha librat e autorit të tij të dashur, por kjo kënaqësi bëhet edhe më e madhe kur librat e këtij autori i ka në një botim cilësor, siç është Kompleti i veprave të Ali Podrimjes, i cili doli këto ditë nga shtypi, në njëvjetorin e ndarjes së poetit nga jeta, si botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Një kënaqësi të tillë e ndjeva edhe unë, kur preka me dorë këtë komplet të librave të Ali Podrimjes, me poezinë e të cilit jemi rritur; kjo poezi na ka shoqëruar në momentet nga më të ndryshmet; në momente force, po edhe ligështie, dashurie apo mërzie… Me të i kemi ushqyer shpresat, por edhe i kemi përballuar zhgënjimet…

Shkurt, kjo poezi na ka shoqëruar një jetë të tërë, por vazhdon të na shoqërojë edhe më tej.

Mirëpo kënaqësia ime nuk zgjati shumë. Ajo u ndërpre në çastin kur, duke e shikuar shpejt e shpejt përmbajtjen e vëllimeve të këtij kompleti, arrita tek vëllimi i gjashtë, në faqen shatë të të cilit, në vend të titullit të ndonjërës prej librave të Ali Podrimjes, si p.sh. “Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Torzo”, “Lum Lumi” apo “Ishulli Albania”, e pashë të shkruar qartë “Litari i ankthit” poezi e zgjedhur, e përgatitur nga Bashkim Kuçuku, “Toena”, Tiranë, 2002). Nuk mund t’u besoja syve të mi! I fshiva sytë dhe, edhe një herë e lexova, por prapë i njëjti rezultat! Pastaj e krahasova këtë vëllim me librin me poezi të zgjedhura të botuar nga “Toena” më 2002 në Tiranë nga Bashkim Kuçuku, por ajo që konstatova ishte se kishim të bënim me të njëjtën përmbajtje. I vetmi dallim, nëse mund të quhet i tillë, ishte se shkrimi i Bashkim Kuçukut, mjaft i gjatë, që i paraprin këtij libri të botuar në Tiranë, “Shprehja moderne e etnisë”, ishte në fillim të librit, ndërsa në vëllimin e gjashtë, është vendosur në fund; çdo gjë tjetër ishte si në botimin e “Toenës”.

Kur e konstatova këtë, e ndjeva veten të fyer, jo pak.

Përse e ndjeva veten të fyer kur e pashë këtë vëllim?

Së pari, e ndjeva veten të fyer si lexues sepse, duke botuar librin e Bashkim Kuçukut “Litari i ankthit” si vëllim të veçantë të veprave të Ali Podrimjes, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e fyeu diturinë time që e kam marrë që në shkollën fillore për të dalluar veprën e autorit nga vepra e përgatitur prej dikujt tjetër!

Së dyti, e ndjeva veten të fyer si qytetar i thjeshtë i Republikës së Kosovës sepse, duke e botuar me taksat e mia (kupto: duke i keqpërdorur ato), me djersën time librin e Bashkim Kuçukut “Litari i ankthit” si vëllim të veçantë të veprave të Ali Podrimjes, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më fyeu mua personalisht kur më konsideroi injorant i cili nuk e dallon veprën origjinale të një krijuesi nga vepra e përmbledhur dhe e përgatitur nga krijimtaria e tij!

Së treti, e ndjeva veten të fyer si njeri që ka shkruar për poezinë e Podrimjes, për libra të veçantë të tij, kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, duke e botuar librin e përgatitur “Litari i ankthit”, nga Bashkim Kuçuku, si vëllim të veçantë të veprave të tij (Podrimjes), më konsideroi injorant i cili nuk e dallon veprën autoriale nga vepra e përgatitur nga dikush tjetër!

Dhe, në vazhdim, shtrohet pyetja, çfarë deshi një përmbledhje me poezi të zgjedhura dhe të përgatitura nga dikush, në Kompletin e veprave të Ali Podrimjes? Në një komplet veprash hyjnë veprat e autorit apo veprat e zgjedhura nga të tjerët nga ky autor? Çfarë do të thotë një veprim i tillë? Mos jemi aq të pasur sa, përveç veprave të plota të një krijuesi, qoftë ky edhe Ali Podrimja, të botojmë edhe vëllimet që dikush i ka krijuar duke bërë përzgjedhje nga veprat e tij?

Ndoshta më me interes për lexuesin do të ishte të botoheshin ribotimet e plotësuara të kryeveprës poetike të Podrimjes “Lum Lumi” (1982)! Një veprim i tillë edhe do të mund të arsyetohej disi, sepse lexuesit dhe studiuesit do të shihnin se çfarë ndryshon dhe çfarë nuk ndryshon në poezinë e vet Podrimja, pra do të shihnin si ka funksionuar laboratori krijues i poetit, se sa të botohej zgjedhja e poezive nga Bashkim Kuçuku, veprim që nuk mund të arsyetohet me asgjë!

Vërtet, një gjë e tillë nga Redaksia e Akademikëve të cilët e botuan këtë vepër, është bërë nga padija apo fshihet diç tjetër këtu? Kaq injorantë janë akademikët tanë sa të mos e dallojnë një vepër autoriale nga një vepër e përzgjedhur?

Nëse nuk janë injorantë, atëherë çfarë janë?! Të botohet një vëllim më vete me poezi të zgjedhura, kur të gjitha poezitë, disa edhe nga dy-tre here gjenden në vëllimet tjera të këtij kompleti, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi! Po ta bënin njerëz pa ndonjë ngritje akademike një gjë të tillë (tani më titujt në vendin tonë nuk kanë kurrfarë kuptimi!), deri diku edhe do të arsyetohej, por kur e bën Redaksia e akademikëve një veprim të tillë, një veprim i tillë me asgjë nuk do të mund të arsyetohej!

 

Përse u botua vëllimi VI?

Vëllimi VI i veprave të Ali Podrimjes, që është i njëjti me librin me poezi të zgjedhura nga Bashkim Kuçuku (“Toena”, Tiranë, 2002), ia ka gjithsej 352 faqe. Nga f. 7-311 janë poezitë, ndërsa nga 311-341 është shkrimi i Bashkim Kuçukut “Shprehja moderne e etnisë”. Letra është cilësore, libri është me kopertina të forta dhe me mbështjellës; madhësia 21.87 tabakë; tirazhi 500 kopje; formati A5 (14.8x21cm).

Unë propozoj që të bëhet auditimi i këtij Kompleti, ku do të shihej qartë sidomos sa ka kushtuar botimi i këtij vëllimi, i cili, sigurisht që më së miri do të nxirrte në shesh qëllimin e botimit të tij.

Në veçanti të shihej sa honorar ka marrë Redaksia e Akademisë për këtë vëllim, sa ka marrë familja, sa ka marrë përgatitësi paraprak i këtij vëllimi, Bashkim Kuçuku, po ashtu sa ka marrë ky i fundit edhe për shkrimin mjaft të gjatë që gjendet në këtë vëllim, për të cilin një herë është paguar nga “Toena”?! Që e sajdisin “intelektualët” tanë njëri-tjetrin, me të hollat e taksapaguesve të vendit tonë, i cili është vendi më i varfër në Evropë, dihet: njeriun e afërt të tyre – politikisht, klanisht, regjionalisht, një praktikë e tillë ka kohë që ka filluar; por që tani kanë filluar t’i sajdisin edhe të “afërmit” e tyre jashtë këtij kufiri, me qëllim të fundit, të sajdisen edhe vetë nga ata, kjo më nuk është diç e re.

Pyetjet në vazhdim, të cilave duhet t’u jepen përgjigje, janë:

Sa është paguar për këtë vëllim të gjashtë disenjeri, pastaj sa janë paguar radhitësi&faqosësi, lektori&korrektori; shkurt sa ka kushtuar ky vëllim me poezi, i botuar kot, kur çdo poezi e tij gjendet në vëllimet tjera të këtij kompleti: kur poezitë e këtij vëllimi janë të dizenjuara në vëllimet paraprake I-V, të radhitura&të faqosura në vëllimet I-V, të lekturuara&të korrektura në vëllimet I-V?!

Besoj se në këto që thashë del përgjigjja e pyetjes së vënë në fillim të kësaj pjese të shkrimit, “Përse u botua vëllimi VI?”, pra, për të shpërndarë para pa dhimbje për një punë që s’e kanë bërë!

 

Përfundim

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me të dyja këmbët e veta vazhdon të shkelë një nen të Rregullores së vet, sipas të cilit ajo boton dorëshkrime origjinale, e jo libra të botuar më parë. Kjo akademi jo vetëm që riboton sa herë të dojë libra të ndryshëm, por edhe i ri-riboton ato sa herë që t’ia dojë qejfi! Kështu, në vitin 2006, Ali Podrimjes, ia botoi një libër me poezi të zgjedhura, pra që ishte i tëri ribotim. Edhe për sa i përket Kompletit të veprave të Ali Podrimjes, i cili doli këto nga shtypi, as edhe një rresht nuk botohet për herë të parë, por çdo gjë është ribotim, bile që shkon edhe përtej ribotimit.

Sa i përket botimit të këtij vëllimi, pa pasur kurrfarë nevoje: duhet të merret si korrupsion intelektual apo si injorancë “akademike”; apo, në të njëjtën kohë, ky botim nënkupton korrupsionin intelektual dhe injorancën akademike sepse, duke botuar si vëllim të veçantë jo vetëm se i kanë sjellë vetes të mira materiale, por, duke bërë një veprim të tillë kaq ordiner, kanë shpërfaqur edhe injorancën e tyre!

Në fund, edhe pse emrat si redaksi e këtij botimi i kanë edhe Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Sabri Hamiti e Mehmet Kraja, nuk dua të besoj se ky vëllim është botuar edhe me dijeninë e tyre, pa marrë parasysh se përgjegjësia bie edhe mbi këta, pasi emrat e tyre gjenden si përgatitës të këtij kompleti. Por “merita” më kryesore për këtë vëllim bie mi përgjegjësin, Ali Aliun, akademikun e tri akademive, i cili e tregoi nivelin e vet edhe në pjesën për letërsinë në monografinë studimore “Kosova”, por edhe në një varg “veprash” të tjera, si “Don Kishoti te shqiptarët”, “Si të lexohet poezia”, “Kënaqësia e leximit” etj., në të cilat shpërfaqet niveli më i ulët i një qenie të ashtuquajtur intelektuale, pra njeri që merret me krijimtari shpirtërore…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency