Ina Jano
Mbledhja e së hënës, e para me deputetët e zotit Basha dhe po ashtu do të mbahet në selinë e re të Partisë Demokratike, ish-SHQUP
Partia Demokratike do të mbledhë të hënë për herë të parë deputetët e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Takimi do të drejtohet nga kryetari i selisë blu, zoti Lulzim Basha, dhe do të zhvillohet në orën 11:00 të ditës së parë të javës së ardhshme. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet të thërrasë mbledhjen e grupit parlamentar vetëm pak orë para seancës së parë të legjislaturës së re, seancë kjo që do të mbahet në po të njëjtën ditë vetëm se do të zhvillohet në orën 18:00 të pasdites. Takimi i së hënës shënon dy risi për Partinë Demokratike. Së pari ky është takimi i parë i kryetarit të ri të selisë blu zotit Lulzim Basha me deputetët që për katër vjet do të jenë në opozitë dhe së dyti takimi do të mbahet në godinën e re të selisë blu, ish-godina e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë.
Kreu i selisë blu pritet të thërrasë grupin e deputetëve, vetëm se ndryshe nga mbledhjet e zakonshme ku në krah të kryetarit të partisë qëndron kreu i grupit parlamentar në këtë rast zoti Basha do të jetë i vetëm. Do të jetë pikërisht kjo mbledhje e parë në të cilën zoti Basha dhe parlamentarët demokratë do të zgjedhin atë që do të jenë kryetari i grupit kuvendor dhe që me statut mban edhe postin e numrit dy të partisë tashmë në opozitë. Po ashtu duke qenë se kjo do të jetë takimi i parë zyrtar i kreut të partisë me deputetët, pritet që zoti Basha gjatë fjalës së tij të hedhë disa nga piketat për opozitën e re dhe mënyrën sesi kjo forcë politike do të bëjë luftën e saj parlamentare në sallën e Kuvendit. Në lidhje me emrat për kreun e grupit parlamentar ende flitet mediatikisht, por kjo do të mbetet në dorë të votëbesimin të deputetëve demokratë për të zgjedhur atë që do të do ti përfaqësojë në debate politike në parlamentin e ardhshëm. Megjithëse kryetari i PD-së ka paralajmëruar para pak kohësh se procesi i zgjedhjes së kreut të grupit do të bëhet në fillim të muajit para seancës, gjatë kësaj kohe në pritjet që ka zhvilluar me ambasadorët e akredituar në Tiranë janë vënë re disa prej atyre që kanë shoqëruar kreun Basha dhe që syrit të medias nuk i kanë shpëtuar. Në këto takime kreu i PD-së është shoqëruar nga deputetët Eduard Selami, Gerti Bogdani, Oerd Bylykbashi, për të cilët mendohet se mund të ofrohen poste të rëndësishme brenda PD-së apo grupit parlamentar. Por nga ana tjetër ndërsa askush nga radhët e deputetëve demokratë nuk flet për emra konkretë, se kush do të jetë në krye të grupit parlamentar, disa prej deputetëve janë tashmë të artikuluar në media për këtë post. Ata kanë shprehur se do të jenë një zë i fuqishëm në parlamentin e ardhshëm dhe do të bëjnë një opozitë të vërtetë përballë mazhorancës së majtë. Ndërkaq në këtë mbledhje pritet të vendoset edhe për pozicionet e tjera të deputetëve demokratë në parlamentin e ardhshëm të drejtuar nga e majta.
Diplomaci
Bumçi takon ambasadorin Cannon, informacione për Sirinë
Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe Nicholas Cannon dhe të Ngarkuarin me Punë të Francës, Didier Guilbert, me kërkesën e tyre. Diplomatët britanikë dhe francezë ilustruan me fakte dhe argumente përdorimin e armëve kimike në Siri, duke bërë përgjegjës regjimin sirian. Bashkëbiseduesit theksuan se përdorimi i armëve kimike kundër popullsisë civile përbën një krim kundër njerëzimit dhe si i tillë kërkon ndërhyrjen energjike dhe të menjëhershme të komunitetit ndërkombëtar për t’i ndëshkuar autorët e tyre. Ministri Bumçi theksoi se Shqipëria i ka ndjekur dhe vazhdon t’i ndjekë me shqetësim zhvillimet dramatike në Siri dhe ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për t’i dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike.
Rruga e re Tiranë-Farkë
Basha: Rruga çon përpara vizionin tonë për një Tiranë metropolitane
Në fillimin e vitit të ardhshëm banorët e njësisë bashkiake numër 1 dhe 2 në kryeqytet do të mund të përdorin rrugën e re që do të lidhë zonën e Saukut dhe komunës së Farkës me Tiranën. Ditën e djeshme kanë nisur punimet për rrugën në fjalë dhe që do u vijë në ndihmë 20 mijë banorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës zoti Lulzim Basha i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve tha se kjo rrugë është e rëndësishme për 3 arsye. I e ka cilësuar si një arterie shumë të rëndësishme dhe nga ana tjetër ajo do të jetë një unazë rajonale e pjesës lindore të qytetit të Tiranës. Pikë së pari, kjo është një arterie shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone, të cilët për një periudhë 15 vjeçare nuk kanë pasur asnjë segment rrugor të shtruar apo të asfaltuar, ndërsa tani do të kenë një rrugë të parametrave evropianë, në shërbim të tyre. Bëhet fjalë për një komunitet prej të paktën 20 mijë banorësh rezidentë. Së dyti, rruga do të shërbejë si një unazë rajonale e pjesës lindore të qytetit të Tiranës dhe komunave përreth, duke lidhur në kohë të shkurtër dhe në parametra të mirë, pa pasur nevojë të futen në Rrugën e Elbasanit, në qendër të Tiranës, të gjithë pjesën e Farkës, Bërzhitës, Petrelës, Dajtit dhe natyrisht pjesën lindore dhe juglindore të qytetit të Tiranës. Kjo do u shërbejë natyrisht edhe banorëve të Tiranës, përdoruesve të trafikut të qytetit të Tiranës, sepse nëpërmjet këtij investimi, ne do të shfryjmë në të paktën 30% trafikun hyrës, nga pjesa lindore e qytetit të Tiranës. Së treti, kjo rrugë do të shërbejë për realizimin e një objektivi madhor, të planit urbanistik at[ të Tiranës së Madhe ne te cilin përfshihet plani urbanistik i qytetit të Tiranës, plani urbanistik i Farkës dhe i 8 komunave kufitare. Një “mushkëri” e re, vihet në dispozicion të qytetarëve të Tiranës, liqeni i Farkës i cili do të jetë një tjetër mundësi pushimi dhe rekreacioni për qytetarët e Tiranës. Nëpërmjet ndërtimit të kësaj rruge, koha e mbërritjes në brigjet e liqenit të Farkës dhe pedonales që së shpejti do të ndërtohet aty, nga komuna e Farkës do të jetë e barabartë, madje për shumë banorë më e shkurtër, se sa koha e mbërritjes në Liqenin Artificial”, – u shpreh kryebashkiaku Basha. Përfundimi i këtij investimi, sipas zotit Basha çon një hap më tej vizionin për një Tiranë moderne, evropiane, për një Tiranë metropolitane dhe që ofron standarde bashkëkohore për banorët e qytetit, komunave dhe për të gjithë vizitorët e kryeqytetit shqiptar.