Djelmoshat e Lekë Dukagjinit dhe çunat e Gjin Bua Shpatës

0
174

Gani MEHMETAJ

 

toka-bregdet-abuzimeLulia u kënaq këto ditë vape gjithandej bregdetit shqiptar. Nuk ngopej më ajrin, detin, ujin e njelmët dhe rerën. Qejf, o qejf, klithte sa herë dilte nga uji i freskët. Kënaqësitë gjithë herë i shprehte me klithma e pasthirrma, nuk i ndrynte në vete. Ka ardhur të bëhet pjesë e nënës natyrë e jo të shushatet si nëpunëse e administratës.

I vinte plasja që nuk arrinte asnjëherë të dilte në televizor e të reklamonte bregdetin, ta shihnin miqtë e armiqtë si kënaqej duke u rrezitur apo duke notuar si asnjëherë më parë. “Le të piqen në diell e të përvëlohen në ferr ata që e tradhtojnë bregdetin shqiptar me dete të tjerë”, mallkon thekshëm Lulia. Rrëqethem nga ky mallkim, por Lulia është e tillë, kënaqësinë e lidh më patriotizëm, duke ma vë në pah se fjalën atdhe nuk e ka hequr nga fjalori sikurse mediet shqiptare të cilat fjalën atdhe apo mëmëdhe, nuk e përdorin kurrë. Pastaj është e bindur ajo, s’ka më mirë se në detin Adriatik e në detin Jon. Kot që shpenzojnë para gjetiu bashkëkombësit e saj kontinental apo bashkëkombësit mesdhetar. Vetëm sa duan t’i shërojnë komplekset e varfanjakut apo të kombit të vogël, është e sigurt ajo në këto cilësime.

I takonte asaj të mbushte ekranin më fytyrën e thekur nga dielli, përpiqej të më bindte. Sa shullëhej në një plazh, në mbrëmje shikonte reportazhin për ndonjë plazh tjetër ku nuk kishte qenë. E linte plazhin ku kaloi disa ditë të paharrueshme, mblidhte plaçkat për të arritur në plazhin të cilin e kishte reklamuar televizori. Heroina e Kodrës së Trimave e ka zot televizorin, çfarë reklamohet aty duhet të shijohet patjetër. I vinte maraz, sidomos kur dilnin në ekran ca fytyra nga kryeqyteti i saj, ndërsa ato fytyra as i duronte as i pranonte: sikur ti shikonte rrugës do ta kthente fytyrën që të mos ia prishnin orët e mira.

Çfarë do të fliste Lulia në televizor, sikur ta merrnin në intervistë? E pyeta më kërshëri, gjithnjë duke iu qasur me kujdes.

Çfarë mesazhi do t’i përcjellja kombit? Ma ktheu përgjigjën me përgjigje ajo.

Sikurse shumica e prishtinasve që i pa në televizor, ndërsa shullëheshin në Dhërmi për snobizëm e jo nga kënaqësia, ajo me tha se do të përgjigjej fare lehtë pa u menduar gjatë: pesë herë do të thoshte ok, katër herë do të klithte super, tre herë do të thoshte pasha nanën; nuk do të harronte t’i drejtohej intervistuesit me dost (shok nuk i thotë dot, sepse nuk është komuniste, fjalën zotni nuk e përdorin fare në shtetin e saj të rinjtë); do t’i rendiste disa cilësime cool, duke u qeshur kohë e pa kohë për të treguar dhëmbët e bardhë në fytyrën e skuqur nga dielli. Dhe intervista do ti dilte për mrekulli, është e sigurt ajo. Madje çamçakëzin (sakuzin sikurse i thonë në Kodrën e Trimave e në Drenicë) s’do ta përtypte asnjëherë derisa t’i drejtohej kombit. Kështu, të gjithë prishtinasit do ta kuptonin fare mirë.

Po të tjerët? E mbërtheva me pyetje të papritur.

Të tjerët lë ta mësojnë “kosovarishtën”, ma ktheu ajo me sarkazëm, duke i përqeshur moshatarët e saj që s’dinë ti rendisin dy fjali para televizorit as në shqip as në anglisht. Duket sikur flasin kinezisht, qeshet ajo kumbueshëm. Dhe gjithnjë thonë se janë nga Prishtina!

Lulia derisa shijonte rrezet e diellit e aromën e detit kishte kohë të analizonte mangësitë e fushatës së sivjetme turistike. Ua shihte për të madhe televizioneve që reklamat i bënin më vonesë. Si nuk u ra ndër mend që reportazhet e grishjet t’i përgatisin më herët, atëherë kur bëhen planet për pushime e jo në valën e pushimeve. I bënë a si bën reklamë bregdetit shqiptar, Lulia nuk do të dal jashtë territoreve shqiptare edhe sikur t’ia heqin të gjitha shpenzimet agjencitë turistike. Lulia duke i njohur televizionet është e kënaqur edhe më këtë që e bëjnë, sepse kanë mundur të mos bëjnë reklamë fare, apo të mos i përmendin fare bukuritë e bregdetit, kanë mundur të reklamojnë bie fjala bregdetin malazezë, kanë mundur të bëjnë antireklamë sikurse bënin disa vjet më parë kur gjithë kohën merreshin më përplasjet politike pozitë-opozitë, duke i frikësuar aq shumë turistët sa që i detyronin të shkonin gjetiu nga frika e ndonjë trazire. Edhe ajo e zëvendësonte bregdetin herë në Liqenin e Batllavës, herë në Liqenin e Badovcit, apo në pishinën e qytetit.

Natyrisht mediet nuk i lanë pa skandale pushuesit e shumtë as sivjet: kronika të zeza-sterrë, debate për Shqupa e maskarallëqe të tjera, kështu që dikur nisi të mos e shikonte fare televizorin e vogël portabël në apartament dhe të mos i merrte gazetat në plazh. Me romane dashurie kaloi për mrekulli.

Por e brengosën Lulinë banditët grek të “Agimit të artë”, ca majmunë që dukeshin si karikatura, më thotë ajo e indinjuar. Ata e pushtuan për disa orë Himarën shqiptare, e zunë rrugën sikur tre vjet më parë kur u vra një fatkeq himarjot. Ah sikur të kishim ca djelmosha të Lekë Dukagjinit e çuna të Gjin Bua Shpatës, të cilët do t’ua bënin më të butë shpinën se stomakun rrugaçëve të Greqisë, ofshante ajo e pikëlluar. Do ta mbanin në mend Shqipërinë për jetë e mot mujsharët shqiptarofob. Djelmoshat e Lekës e të Gjinit, më thotë Lulia do ta ruanin dinjitetin e kombit, atë që nuk e bënë policët, të cilët në vend t’i gjuanin në det mujsharët e “Agimit të artë” duke i detyruar ta bënin me not rrugën Himarë- Greqi, nuk reaguan. Policia në vend të zhdëpte në dru ata që e prishën rendin e qetësinë në Himarë, të nesërmen arrestuan ca djelmosha të Fierit, sepse ua veshën flamurin e grekëve qenve.

Mungesa e djelmoshave të Lekë Dukagjinit apo të çunave të Gjin Bua Shpatës është ndjerë më shumë se asnjëherë më parë në Himarë, ndjehet në veriun e Mitrovicës, apo në lagjen e Lulisë, ku ca njerëz koti për ca para shajnë komb e atdhe, apo ndjehet në Prizren ku një grusht shqiptarësh për ca para flasin turqisht, ndërsa para pesëdhjetë- gjashtëdhjetë vjetësh kanë zbritur nga malësia për një krodhe bukë. Madje krijojnë probleme në shtetin e Lulisë si himarjotët renegatë në jugun shqiptar.

Lulia nxirrte xixa nga mllefi si asnjëherë më parë. Ajo ishte e mllefosur edhe në pozitën e opozitës që heshtën si të mos kishte ngjarë asgjë, që të mos humbasin simpatinë e Greqisë, mirëpo është e sigurt ajo sikur në Himarë të bënte skandal ndonjë grup shqiptarësh socialistë apo demokratë, do të shkreptinin politikanët xixa sikur të kishte shpërthyer lufta. Grekët ua përdhosnin dinjitetin kombëtar, ndërsa politikanët merreshin me një objekt gati të braktisur ushtarak, thua se ajo është gjëja më e rëndësishme e shtetit, më rrëfente vajza nga Kodra e Trimave.

E mllefosur nga anomalitë shqiptare, ajo harroi fare se deshi të më tregoj për perlat e bregdetit: koralet, Shpellën e Piratëve, florën e faunën, Karaburumin, Butrintin ku erdhi edhe vajza e Bill Klintonit, Porto Palermon, Plazhin e gjeneralit, Livadhin, Rërën e Hedhur etj. Kur rrëmbehet vajza e Kodrës së trimave në atë farë feje, e ke vështirë ta frenosh, edhe më pak mund ta orientosh në bisedë. Megjithatë mi përsëriti bukuritë e bregdetit, më porositi që të mos më rrej mendja se gjetiu mund të kaloj më mirë.

Por prapë iu kthye hallit të saj emocional: Athua duhet ta durojnë çdo vjet shqiptarët dhunimin e Himarës nga rrugaçet e Greqisë?

Pse s’ua lë këtë punë autoriteteve shqiptare, përpiqem ta zbus.

“Më dolën në rrugë, më përgjigjet ajo, desha të kaloj disa ditë në Himarë, por me penguan majmunët grekë dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë që për ca para e shesin gjuhën e kombin”. Asaj i bëhet qejfi që Greqia ua ndërpreu rrogat shtetasve shqiptarë, e jo sikurse mediet shqiptare që i brengosi ky akt. Morën nga 500-600 euro, me thotë ajo, sepse u deklaruan minoritarë, ndërsa ishin dhe janë puro shqiptar. Asaj do t’i bëhej qejfi sikur t’ua ndërprisnin rrogat edhe renegatëve shqiptarë në Kosovë shoqatat “humanitare” nga Arabia, Serbia e Turqia, sepse me këto para që ua japin i ndërsejnë ta lënë kokën në Siri, Afganistan e gjetiu, ku lufta s’ka të bëjë fare me neve, me rrëfen ajo anomalinë tjetër shqiptare.

Djelmoshat e Lekë Dukagjinit kanë edhe më shumë punë në atdheun e saj heroik, ku gëlojnë beduinët, dinjiteti kombëtar nëpërkëmbët nga ca mercenarë shqipfolës që kanë harruar komb e atdhe. Bashkimin kombëtar ajo e sheh në bashkëpunimin e djelmoshave të Lekë Dukagjinit me çunat e Gjin Bua Shpatës, ma thotë ajo pa iu trembur syri se çfarë do të thonë fqinjët që na kanë rënë në qafë, sepse politikanët në shtetin e saj dhe në shtetin e bashkëkombësve të saj mesdhetar e kontinental gjithnjë shikojnë më parë reagimin e Greqisë, të Serbisë e të Turqisë se sa të shqiptarëve, thua se ata ua kanë dhënë votat.