E plotë/ Biznesmeni tregon tmerrin nga Shullazi: ‘Të shkrij brenda muajit’

0
216

Zbardhet dëshmia e plotë e biznesmenit Ylvi Beqja, dëshmitari “kyç” i Prokurorisë për Krimet e Rënda në hetimin e nisur ndaj Emiliano Shullazit dhe katër personave të tjerë, të dyshuar për “gjobëvënie” dhe përvetësim të pronave përmes kërcënimit.

“Panorama” ka siguruar rrëfimin e dhënë nga biznesmeni Beqja, i marrë në mbrojte si bashkëpunëtor i drejtësisë, pjesë e dosjes së Prokurorisë për Krimet e Rënda. Për të mos ndikuar në hetimet që janë në proces, gazeta nuk bën publike emrat e personave që janë ende nën hetim e verifikim nga prokuroria.

Në deklarimin e tij biznesmeni ka treguar me detaje për njohjen me Emiliano Shullazin dhe “ushtarët” e tij si i kishte kërkuar ndihmë për përfitimin e pronësisë së ish-hotel “Vollgës” dhe marrëveshjen për ta shpërblyer Shullazin me 20 për qind të pronës. Në një moment të mëvonshëm, marrëdhënia e tyre është krisur dhe sipas Beqjes, Shullazi e ka kërcënuar në vijimësi dhe i ka vendosur gjoba.

Biznesmeni Ylvi Beqja
Biznesmeni Ylvi Beqja

Biznesmeni pretendon se nën kushtet e kërcënimeve me jetë dhe dhunës i ka dhënë Emiliano Shullazit një pjesë të pasurisë së ish-hotel “Vollga” në Durrës, si edhe një total prej 541 mijë eurosh shuma parash të dhëna në formë “cash”, apo përmes çeqeve bankare.

Këtë të premte Gjykata për Krimet e Rënda pritet të zhvillojë një seancë për sigurim prove të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Në këtë seancë, Beqja do të përballet me Shullazin dhe personat e tjerë të arrestuar, të cilët përmenden në dëshminë e dhënë prej biznesmenit përpara prokurorëve të çështjes.

DËSHMIA E PLOTË

Jam me banim në adresën e mësipërme dhe jam i punësuar si administrator i kompanisë “Saudit Brothers”. Këtë detyrë e mbaj që nga viti 2010, por datën e saktë nuk e mbaj mend. Detyra ime si administrator i kësaj kompanie lidhet me administrimin e ish-hotel “Vollga”, Durrës. Më parë në kohë bëja administrimin e hotelit, pra pronës së ndodhur në Durrës, e quajtur ndryshe ish-hotel “Vollga”. Hoteli nuk ka qenë funksional, por jam marrë më mirëmbajtjen e tij. Ky hotel ishte shkatërruar në vitin 1997 dhe jemi marrë në vazhdimësi me restaurimin e tij. Kjo ka qenë detyra ime dhe më pas duke qenë se na kanë lindur konflikte, pasi ka pasur pretendime për pronësinë e tij, jam marrë me përfaqësimin dhe administrimin e çështjes në prokurori dhe gjykatë. Kam më se 10 vjet që sorollatem në prokurori dhe gjykatë për të realizuar marrjen e pronës. Në lidhje me sa më pyesni, kam për të deklaruar se shtetasin F.K. e njoh dhe kam marrëdhënie shoqërore me të. Kishim folur më parë në lidhje me faktin që një pjesë e kësaj prone t’i kalonte F.K., me qëllim që paratë që do të merrja të përdoreshin për të bërë investimin mbi pronën. Ramë dakord që çmimi i shitjes të ishte 671 mijë euro. Pasi bënë marrëveshjen bëmë dhe aktet noteriale dhe realizuam kalimin e pronësisë. Jam njohur me Emiliano Shullazin në vitin 2014. Unë kam qenë në një proces gjyqësor për shumë vite me radhë, proces civil për pronën e ndodhur në Durrës e quajtur ish-hotel “Vollga”.

NJOHJA ME SHULLAZIN

Vajta në vendin e caktuar në kafen e një pallati. U ula dhe prita. Pas disa minutash erdhi një djalë i ri në moshë, i dobët dhe i gjatë, që mësova se quhej Gilmando Dani. Më pyeti me mirësjellje “A je ti Ylviu?”. Unë i thashë po. Filluam të bisedonim pas një bisede shumë të shkurtër se kush je, si je, domethënë prezantim të momentit. Më pas ai më tha se po na pret Mili pas pallatit. Vajta te vendi që më dërgoi vetë së bashku me Gilmandon dhe pashë që aty ku vajtëm ishte parkuar një “Benz” me ngjyrë të errët. Më thanë hip mbrapa. Gilmando hipi përpara, ndërsa mua më tha hip mbrapa. Kur u ula pashë që në makinë ishte Emiliano Shullazi. E njoha si fytyrë, pasi e kisha parë në media dhe identifikohej lehtësisht dhe për shkak të shenjës që ka në fytyrë. Më tha që “unë jam Mili, ti je Ylviu?”. Fillova të flas për problemet që kisha unë dhe për çdo gjë që më kishte ndodhur. Kjo ka qenë mënyra se si jam njohur me Emiliano Shullazin. I tregova Emilianos që kisha një pasuri që quhej ish-hotel “Vollga” në Durrës dhe që për shkak të vjedhjes që më ka bërë Z.H., kjo pronë i kishte kaluar atij. Unë jam administrator i kompanisë “Saudit Brothers” dhe problemet e mia kanë lindur në raport me pronën e quajtur ish-hotel “Vollga”. Kjo pronë ka qenë në pronësi të “Saudit Brother” dhe me prokurë të posaçme nga pronari A.N. më është dhënë e drejta për të ndjekur çdo problematikë që lidhej me këtë pronë. Historia gjyqësore e kësaj prone ka filluar rreth viteve 2007-2008. Sqaroj se kjo pronë deri në vitin 2010 ka qenë në administrimin tonë. Kjo pronë pretendohej dhe më pas me vendim iu dha në vitin 2003 shtetasit Z.H.

MARRËVESHJA PËR ISH-”VOLLGA”

Pasi i shpjegova me detaje telashet e mia me pronën dhe persona që ishin përfshirë më tha që këtë punë e zgjidh unë, ti s’ke për t’u marrë fare me këtë punë. Në këmbim të kësaj, unë dua të më japësh 20 për qind të pronës. Mua m’u duk përqindje e lartë, por nuk kisha zgjidhje tjetër, pasi me ndërhyrjen e personave të fuqishëm dhe me para ata po arrinin të merrnin pronën në mënyrë të padrejtë. Pas takimit të parë me Shullazin e lashë për t’u takuar për një javë dhe e takova në të njëjtin vend. Në çdo takim që kam bërë, ka qenë i pranishëm dhe Gilmando Dani. Në takimin e dytë i thashë Shullazit që unë jam dakord me këtë përqindjen që ti kërkon, por kjo marrëveshje do të bëhet te noteri. Patjetër më tha dhe me datë 18 gusht të vitit 2014 kemi vajtur te noterja. Kemi përpiluar një kontratë porosie me kusht zgjidhjeje. Unë në cilësinë e përfaqësuesit të “Saudit Brothers” dhe shtetasit Emiliano Shullazi. Kjo kontratë kishte si qëllim që Emiliano Shullazi të merrte përsipër të zgjidhte ç’do situatë për të bërë regjistrimin e pronës dhe gëzimin e qetë të sendit. Për këtë përfshirje ai do të përfitonte 20 për qind të pronës, pasi të ishte bërë regjistrimi i saj dhe të kishim mbyllur të gjitha proceset gjyqësore. Sipas kontratës, 10 përqindëshin e parë, Emiliano e merrte pasi të bëhej regjistrim i pronës dhe 10 për qindëshin tjetër me mbarimin e të gjitha gjyqeve. Pasi nënshkrova kontratën fillova të interesohem përsëri për regjistrimin e pronës. Pas disa ditësh arrita të regjistroj pronën në Hipotekën e Durrësit. Pasi kisha regjistruar pronën më merr në telefon Gilmando Dani dhe u takova me Gilmandon. Ky i fundit më dërgoi brenda në shtëpinë e Shullazit. Hyra brenda dhe Emiliano më tha ta regjistruam pronën. Unë i thashë prona është regjistruar nga person tjetër dhe jo nga ty, më vjen keq. Më tha që “Ore s’do të ma dish as për nder një gjë të tillë, do të më japësh 10 për qind të asaj çarë të kam regjistruar, pasi kemi bërë kontratën”. Në kontratë, i thashë unë, e kemi përcaktuar që ti të mbyllësh të gjithë punën, pasi unë nuk mund të të jap pronë pa mbaruar gjyqet. Ai u inatos dhe filloi të kërcënonte.

KËRCËNIMI I PARË

Si përfundim më tha, nëse ti po më luan kështu në llafe, unë do të luaj gjë tjetër. Duke folur në këtë formë bëri dhe dorën në formë pistolete. U largova nga banesa e tij. Isha shumë i mërzitur dhe shumë i frikësuar dhe po mendoja se si të dilja nga kjo situatë. Duke marrë për bazë debatin me Shullazin mendova që mundet të kishte gisht ai dhe unë i rashë në telefon Gilmandos. I kërkova të takoj Shullazin. Ai më tha që ti i bërë vetë gjërat rrëmujë kështu. Pasi ndodhi regjistrimi, për së dyti më merr në telefon Gilmando Dani dhe me thotë “hajde se do me të taku çik ai shoku”. Aty te gjimnazi “Partizani” pashë që ishin tri makina. Jashtë tyre ishin rreth 10 çuna. Unë isha vetëm. Mbërrita aty dhe më thanë që është atje në fund, duke me treguar me gisht. Në errësirë dallova që ishte Shullazi, pasi kishte një ndriçim të varfër që më jepte mundësinë për ta identifikuar. U përshëndetëm dhe më tha “E more vesh që ta regjistrova pronën prapë? Ta hoqa pezullimin”. Unë me shaka i thashë duke qeshur “Detyrën tate po bën, po plotëson kontratën”. Me shumë egërsi më tha “Për atë punë të kam thirrur”. Mbeta pak i hutuar, për çfarë i thashë unë se ne e kemi bërë kontratën. Aty filloi të shante dhe të kërcënonte. Më tha çfarë kontrate legene kemi firmosur. Si qenka kjo 10 për qind tani e 10 për qind më vonë. Ti i ke shitur pronën mikut tënd dhe ti s’ma kalon pronën në emrin tim. E kuptova që donte pronën. Duke filluar që nesër më tha, ne të dy bashkë do të shkojmë tek e njëjta notere që i ke kaluar pronën atij tjetrit dhe aty do të ma kalosh pronën mua.

“T’I NXJERR ZORRËT NË SHESH”

Mbeta i befasuar dhe unë i thashë që ne e kemi një kontratë dhe kur të mbarosh punën tënde, kur të mbaroj gjyqet, mund të mbarojmë punë bashkë. Në këtë moment më shau dhe fyeu me fjalë nga më të rëndat. Nxori diçka nga brezi dhe në sekondë pashë që në bark më kishte vënë një pistoletë. “Dëgjo këtu ti k…, unë i nxjerr zorrët në shesh më të mirit dhe jo ty që s’ma ndjen fare!”. U tremba dhe më iku gjaku. Më dha urdhër që kalimi i pronës në favor të tij të bëhet tek e njëjta notere, ku kisha bërë kalimin e pronës për F.K. Unë u largova nga aty i trembur. Mbërrita në shtëpi dhe të nesërmen në mëngjes u nisa për Durrës dhe vajta te noterja. Më tha se mund të bëjmë diçka tjetër, që dhe kontratën e dhurimit ta bëjmë me kusht. Unë i thashë që duhet ta dhuroj se ashtu i kam kushtet, duke t’ia jap patjetër se nuk kam nga të shkoj. Më mori në telefon Gilmando dhe më tha në çfarë ore të vijmë te noterja. Noterja më tha rreth orës 08:00 të darkës. Erdhën të dy së bashku dhe u futën te noterja, ndërsa jashtë zyrës mund të ishin 6 apo 7 persona me 3-4 makina. U ulëm te noterja dhe filluam të shkruanim kontratën. Djemtë që ishin jashtë ulën qepenin e noterisë dhe ne ishim brenda. Filluam të shkruanim kontratën.

PISTOLETA NË BARK

Në një moment noterja më thotë “F. të ka kaluar në numrin e llogarisë shumën prej 671 mijë eurosh”. Sapo tha këtë llaf noterja ra njëfarë heshtjeje dhe në moment Shullazi u ngrit në këmbë dhe i tha noteres “Si është puna e llogarisë dhe e parave?”. Në atë moment Shullazi më kapi nga qafa dhe duke më tërhequr, më nxori pas pallatit, pasi u tha djemve të hapnin qepenin. Më tha “Sa lekë kemi lënë me ato letrat, 20 për qind?”. Më kishte kapur nga qafa dhe nuk më lëshonte. “Po,- i thashë,- aq e kemi në kontratë. Epo mirë,- më tha,- do të bëhet 30 për qind dhe të gjitha ato para qe ke, po s’mi kalove mua do të të shkrij brenda muajit! Si ore?,- i thashë unë, -janë lekët e kompanisë, çfarë pune ke ti me to?” Më shau dhe me fyeu, s’më la gjë pa thënë dhe ndërkohë nuk më lëshonte, por më mbante prej qafe. Në moment më nxori pistoletën dhe ma vuri në bark. Unë i thashë që nuk i prek dot se nuk kam të drejtë t’i prek se janë paratë e shoqërisë. “Në këtë moment s’më duhet gjë fare, brenda 2 muajve i dua të gjitha paratë.- I thashë- të shohim çfarë po bëjmë, po u them dhe arabëve që më duhen këto lekë për punë. E mirë,- më tha, -kështu po”. Më pas hymë përsëri brenda dhe i thashë noteres se do ta bësh përqindjen jo 20, por 30.

“GJOBAT”

Më pa njëherë noterja dhe më pas më tha që “Epo mirë, ju e dini. Jeni marrë vesh bashkë, ndaj e shkruajmë si të doni”. Përpiluam kontratën dhe firmosa edhe unë, edhe Shullazi. Pas disa ditësh u bë regjistrimi i pronës në emër të Emiliano Shullazit, 30 për qind që i takonte sipas kontratës. Pasi u bë regjistrimi pas rreth dy ditësh më thotë noterja se më kanë ardhur në orën 9 të darkës dhe kanë marrë certifikatën. Epo mirë, i thashë unë, ç’të them, ç’të bëj unë. Të nesërmen më thërret Gilmando Dano përsëri te kafja ku ishte Shullazi. Më thotë se çarë bëra për lekët. M’u drejtua me fjalë fyese dhe urdhëruese. I thashë që kam nevojë për pak kohë se për t’i vënë në lëvizje duhet dhe miratimi i atyre të tjerëve. Më tha, epo mirë, na i sill sa më parë. Pas rreth një jave më kërkuan prapë duke më kërkuar paratë. Iu dhashë një sasi parash kesh në dorë, të cilat i tërhoqa nga banka. Shuma ishte rreth 50 mijë euro. Ia kam dorëzuar vetë paratë në dorë Shullazit dhe më tha duke më vënë dorën në qafë, “Kështu je njësh ti”. Unë i thashë që kompania më ka vënë kusht që nuk mundet t’u jap para në dorë kesh, por do t’ju jap me çek se ndryshe nuk ju jap dot fare. Kjo ndodhi pasi unë ia kisha dhënë para kesh në dorë rreth 300 mijë euro. Këto para i kam dhënë si shkak i kërcënimeve. Më kërkoi sqarim si është çeku, çfarë të bëj unë, të shkoj në bankë të rri në radhë unë, si i bëhet. I thashë “Jo, unë firmos çekun dhe vë emrin e përfituesit të çekut. Mirë,- tha,- do të të lajmëroj unë për këtë”.

“DORËZIMI” I LEKËVE

Pas disa ditësh më merr përsëri Gilmando në telefon, duke më thënë që po të jap disa emri që t’i shënosh për të kaluar lekët. Pastaj më kanë thënë t’i kaloj disa lekë duke më dhënë emrat. Me datë 04.12.2016 i kam lëshuar një çek Gilmando Danit, një shumë prej 25 mijë euro. Me datë 05.12.2015 i kam dhënë Endrit Zelës një shumë prej 25 mijë eurosh. Me datë 15.12.2014 i kam firmosur Endrit Zelës çekun prej 25 mijë eurosh. Po me të njëjtën datë kam bërë një çek për Gilmando Danin në shumën 40 mijë euro. Me datë 16 dhjetor i kam kaluar një çek shtetasit Endrit Qyqja, shumën prej 16 mijë eurosh. Këto para ua kam kaluar me çek, por duke qenë nën presion të tyre i kam kaluar para dhe duke iu dhënë kesh në dorë në mënyrë të përsëritur. Gjithsej u kam dhënë 541 mijë euro. Kam qenë shumë i frikësuar dhe i kërcënuar sa nuk do ta them me saktësi nëse u kam dhënë më shumë, por di të them që iu kam kaluar shumë para nën ndikimin e kërcënimit të tyre. Emiliano Shullazi dhe grupi i tij vinin dhe rrinin shumë shpesh poshtë banesës sime, te rrugica ku hyj te shtëpia ime. Vinin aty me shumë makina dhe i shoqëruar me rreth 7 ose 8 perona. Më ka sharë dhe ofenduar sa herë ka dashur të kërkojë diçka dhe unë ja kam plotësuar apo i kam refuzuar. Unë me dhunë kam pranuar të nënshkruaj kontratën për kalimin e pronës së ish-hotel “Vollga” në emër të tij./PANORAMA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here